Izraeli pranon listën e pengjeve që do të lirohen nga Hamasi

Izraeli konfirmoi sot se ka marrë një listë fillestare të pengjeve të planifikuar për t’u liruar nga Hamasi.

“Zyrtarët përkatës po kontrollojnë detajet e listës dhe aktualisht janë në kontakt me të gjitha familjet”, tha në një deklaratë zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Katari më herët sot tha se pauza e planifikuar humanitare në Rripin e Gazës do të fillojë në orën 7:00 të mëngjesit me kohën lokale (0500 GMT) të premten.

“Grupi i parë i pengjeve civile do të shkëmbehet rreth orës 16:00 të premten”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Majed al-Ansari në një konferencë shtypi në Doha. Ai tha se 50 pengje do të lirohen në katër ditë. “Grupi i parë i pengjeve do të përfshijë 13 gra dhe fëmijë”, shtoi ai.

Të mërkurën, Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi se u arrit një marrëveshje për një pauzë humanitare katërditore midis Izraelit dhe Hamasit. Izraeli vlerëson se të paktën 239 izraelitë mbahen nga Hamasi pas sulmit të tij ndërkufitar më 7 tetor.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit, duke vrarë më shumë se 14.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve të enklavës. Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1.200./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne