Izraeli vazhdon sulmet në pjesën jugore dhe qendrore të Rripit të Gazës

Ushtria izraelite vazhdon të sulmojë pjesën jugore dhe qendrore të Rripit të Gazës, pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësve për të arritur marrëveshje armëpushimi. Në deklaratën me shkrim të ushtrisë izraelite thuhet se: “Forcat 162 vazhdojnë operacionet e tyre në Rafah ndërsa Forcat 99 vazhdojnë operacionet e tyre në pjesën qendrore të Rripit të Gazës”.

“Gjatë 24 orëve të fundit një grup personash të armatosur janë eliminuar në Rafah dhe janë zbuluar shumë armë dhe tunele”, thuhet më tej. Në deklaratën e ushtrisë thuhet se gjatë natës janë lëshuar shumë raketa nga veriu i Rripit të Gazës ndaj vendbanimeve izraelite afër kufirit. Disa prej tyre janë shkatërruar nga sistemi mbrojtës “Iron Dome” dhe disa kanë rënë në zonë të hapur.

Pikat ku dyshohet se u lëshuan raketat u vënë në shënjestër të zjarrit ajror dhe artilerik dhe thuhet se është goditur një depo armësh në zonë. Në deklaratën e saj më 8 qershor, ushtria izraelite njoftoi se dy raketa u hodhën nga kampi i refugjatëve Jabalia në veri të Gazës dhe disa orë më vonë nisi një sulm në kampin e refugjatëve Nusairat, duke rezultuar në vdekjen e afro 300 palestinezëve.

Ndërmjetësuesit në Katar dhe Egjipt, me mbështetjen e SHBA-së, po zhvillojnë bisedime me Izraelin dhe Hamasin për të arritur marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve dhe armëpushimin në Rripin e Gazës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne