Izraeli vazhdon të kufizojë faljen e namazit të xhumasë në Mesxhid Al-Aksa

Izraeli ka vendosur sërish kufizime për palestinezët që donin të falin namazin e xhumasë në xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar. Policia izraelite është vendosur në shumë pjesë të qytetit që nga mëngjesi për të parandaluar hyrjen e palestinezëve në Al-Aksa.

Forcat izraelite ngritën barrikada në hyrjet e qytetit të vjetër të Kudsit Lindor dhe lejuan vetëm hyrjen e të moshuarve në xhaminë Al-Aksa.

Ata ngritën gjithashtu pika kontrolli në portat e jashtme të xhamisë Al-Aksa. Sipas dëshmitarëve okularë, një numër i madh i policisë izraelite bastisën Xhaminë al-Aksa me fillimin e namazit të xhumasë dhe u endën nëpër oborr.

Një numër i madh i oficerëve të policisë u vendosën gjithashtu në lagjen Wadi al-Jawz pranë qytetit të vjetër dhe penguan lëvizjen e palestinezëve. Policia izraelite ka rrahur disa persona që kanë dashur të falin namazin e xhumasë në rrugë pasi nuk kanë mundur të hyjnë në xhaminë Al-Aksa. Gjithashtu forcat izraelite nuk i kanë lejuar gazetarët të afrohen në zonë.

Oborri dhe xhamia e Al-Aksa ishin pjesërisht të zbrazëta për shkak të kufizimeve. Policia izraelite ka vendosur kufizime të ashpra duke penguar dhjetëra mijëra njerëz të arrijnë Xhaminë Al-Aksa për 15 javë që nga 7 tetori, kur ata nisën sulmet ajrore në Rripin e Gazës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne