Izraeli vlerëson në 51 miliardë dollarë koston fillestare të luftës së Gazës

Ministria e Financave e Izraelit ka vlerësuar koston fillestare të luftës së Gazës në vazhdim në rreth 191 miliardë shekelë (51 miliardë dollarë). Duke folur gjatë një seance të komitetit të financave të parlamentit izraelit (Knesset), zyrtarët e ministrisë thanë se shifra mund të rritet për shkak të zhvillimeve në terren.

Llogaritjet e mëhershme thonë se kostoja e luftës së Gazës ishte rreth 163 miliardë shekelë (44 miliardë dollarë). Zyrtarët e Ministrisë së Financave komitetit parlamentar i thanë se të ardhurat nga taksat po shënonin rënie edhe para shpërthimit të luftës së Gazës në muajin tetor.

Zyrtarët gjithashtu vlerësojnë se deficiti fiskal i Izraelit do të arrijë në 3,7 për qind në buxhetin e vitit 2023, nga vlerësimet e mëparshme prej 1,1 për qind. Më herët, Byroja Qendrore e Statistikave të Izraelit vlerësoi se rreth 750 mijë izraelitë mungonin në fuqinë punëtore për shkak të konfliktit të Gazës, një shifër që përfaqëson pothuajse 18 për qind të fuqisë punëtore të vendit.

Të premten, Izraeli rifilloi ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës pas përfundimit të një pauze humanitare 1-javore me grupin palestinez Hamas. Të paktën 15.899 palestinezë janë vrarë dhe mbi 42 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit ishte 1.200./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne