Jahja Hondozi: El-Mukaddime veçohet si kontributi më i rëndësishëm, më i thellë dhe më burimor në kuadër të mendimit islam

Profesori Jahja Hondozi me punën e tij, prej vitesh ka treguar përkushtim dhe seriozitet. Kontributi i tij në fushën e orientalistikës, është i njohur tashmë. Ai e ka transkriptuar ‘Divanin’ e Sheh Maliqit, që konsiderohet si një ndër veprat e rëndësishme në trashëgiminë kulturore shqipe. Ndërsa puna më e madhe e tij mbetet përkthimi i veprës kapitale e dijetarit musliman Ibn Haldun, e njohur si ‘El Mukaddime’.

Hondozi aktualisht është i angazhuar në katedrën e orientalistikës, në kuadër të Universitetit ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë. Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai ka folur për punën e tij, kolegëve të tij, nevojën për t’i përkrahur studiuesit, dhe detin e paanë të veprave të paeksploruera të shkruara në alfabetin arab.

GER: Z. Hondozi, ju keni dhënë një kontribut të paçmueshëm në fushën e studimeve orientale. Transkriptimi i ‘Divanit të Sheh Maliqit’, pa asnjë dilemë, mund të cilësohet si diçka e tillë. Por, a është bërë mjaftueshëm në këtë drejtim?

J.Hondozi: Transkriptimi dhe transliterimi i dorëshkrimeve orientale, mund të them që është një punë mjaft e ndërlikuar, por njëkohësisht edhe mjaft interesante. Para së gjithash, kërkohet një njohje solide e gjuhëve orientale.

Në periudhën e letërsisë së bejtexhinjve, siç dihet, janë shkruar një numër i konsiderueshëm veprash orientale me alfabet arab. Në mesin e tyre, bën pjesë padyshim edhe Divani i Sheh Maliqit nga Rahoveci. Sikundër e përmendët, një vepër me vlera të rralla, e të dobishme në radhë të parë për studime dialektologjike. Me këtë rast, dua ta njoftoj opinionin që unë kam pasur fatin të punojnë në këtë vepër të rrallë, vepër e cila për një shekull të tërë është ruajtur si dorëshkrim në teqenë e Melamive në Rahovec.
Nën udhëheqjen e profesorit, tashmë të ndjerë, Mehdi Polisit, Zoti e mëshiroftë, në vitin 2008-të, me këtë dorëshkrim e kam mbrojtur punimin e masterit në Degën e Gjuhës Shqipe, kurse në vitin 2014-të vepra botohet nga shtëpia botuese Logos-a nga Shkupi, me ç’rast e falënderoj drejtorin e saj, prof. Adnan Ismailin për gatishmërinë e botimit të saj.

T’ju them të drejtën, mendoj se janë bërë disa punë dhe kontribute të çmuara në fushën e transkriptimit të dorëshkrimeve, por gjithnjë vetëm si përpjekje individuale e studiuesve.

GER: Çka mendoni, a ka ende shtresa të pa-eksploruara në kuadër të kulturës dhe identitetit tonë?

  1. Hondozi: Me gjithë kontributet e ofruara me qëllim të ndriçimit të kësaj trashëgimie shpirtërore, kulturore e historike, mendoj se ka ende edhe shumë punë për t’u bërë në të ardhmen. Janë me qindra dorëshkrime të çmuara, sidomos nëpër bibliotekat personale dhe teqetë e ndryshme të Kosovës, për transkriptimin e të cilave, besoj se, do të duhej të ndërmerrej ndonjë iniciativë serioze për t’u punuar nga ekspertët e kësaj fushe.

Është e vërtetë se kanë qenë disa përpjekje, por që nuk janë të mjaftueshme. Në mungesë të një përkrahjeje serioze shtetërore, ato kanë mbetur nën mëshirën e fatit dhe aty-këtu të ndonjë iniciative vetanake të studiuesve të caktuar.

Jemi duke folur për një periudhë disa-shekullore të shkrimit shqip (përkatësisht për shekujt XVIII-XX), në të cilën, një numër i madh veprash, sidomos ato me karakter letrar, didaktik dhe mistik, janë hartuar me alfabet arab. Gjithsesi, është një fushë e paeksploruar sa duhet. Me këtë rast, dëshiroj të përmend një fakt, se vetëm nga krijimtaria e begatë e Sheh Maliqit, deri më tani, përveç Divanit, nuk është punuar diçka tjetër. Gjithnjë duke pasur parasysh se në dorëshkrim janë edhe Risalet e tij si dhe përkthimi në shqip i veprës së tij  të njohur si ‘Varidat’.

GER: A ka tendencë që të fshihet një pjesë e trashëgimisë kulturore, veçmas ajo që ka të bëjë me shtresimin identitar islam? Apo këtu bëhet fjalë për një paragjykim të ngulitur në ndërdijen e muslimanëve, të cilët sikur priren të viktimizohen?

J.Hondozi: Mendoj se janë të dyja. Sipas meje, ka edhe tendencë, siç përmendët, për t’u fshehur kjo trashëgimi. Vet fakti se pjesa dërrmuese e veprave janë me karakter islam dhe meqë shpesh promovohet ideja që të këputet hallka e lidhshmërisë sonë me këtë trashëgimi, flet shumë. Ajo çfarë më habitë është kjo që: atyre të parëve që u ka rënë hise t’i kenë në dorë këto vepra, fatkeqësisht i kanë futur ato në kuti, duke penguar kështu, me apo pa vetëdije, që ato të përpunohen e të jenë në dorë të lexuesit. Personalisht, jam munduar mjaft derisa e kam siguruar origjinalin e dorëshkrimit të Divanit, problem me të cilën janë përballur dhe përballen edhe kolegët e mi gjatë kërkimit të veprave të këtij lloji. Mbyllja e tyre në rafte dhe privimi edhe nga prekja e tyre nuk i bënë fare shërbim askujt, por është një veprim për keqardhje. Prandaj, këtu po bëjë thirrje publike për kthjellje dhe ndërgjegjësim, pasi edhe dija ka zeqatë, e që është përhapja e saj.

 GER: Përse në studimet orientale në universitetet prestigjioze perëndimore, veprat e Al-Arabiut, Al Kindit dhe dijetarëve të këtij kalibri, ua kanë ngjallur kërshërinë studiuesve perëndimorë?

J.Hondozi: Jo vetëm veprat e autorëve që i përmendët, por edhe shumë të tjerëve, si ato të Gazaliut, Ibn Sinasë, Ibn Rushdit, Ibn Haldunit, Rumit e plot të tjerëve. Mendoj se në radhë të parë janë produkt i interesimit të botës së oksidentit për botën e orientit, duke filluar nga shek. XI e këndej. Por, shprehja e interesimit të tyre kryesisht në fushën e filozofisë dhe mistikës, mund të jetë, besoj, si rrjedhojë e asaj që pjesa dërrmuese e filozofëve grekë janë përkthyer herët në gjuhën arabe, gjatë sundimit të halifit abasid, el-Me’mun (shek. IX).

Interesimi i botës perëndimore për këto lloj veprash zë fill në Andaluzi, gjatë kohës së artë të civilizimit islam. Aty, siç është e njohur, janë shkolluar një numër i madh i evropianëve, me ç’rast edhe janë njohur me këta emra, të cilët më vonë do të lënë ndikim të madh në atë që njihet si epoka e renesancës dhe lindjes së shkencave ekzakte në Evropë.

GER: Ju e keni përkthyer Mukaddime-n e famshme të Ibn Halun-it, ç’duhet bërë që të përkthehen edhe një varg veprash të tjera po kaq të rëndësishme të filozofisë dhe përgjithësisht botëkuptimit islam?

J.Hondozi: Më lejoni që fillimisht t’i them disa fjalë për këtë vepër. Në mesin e të gjitha veprave të Ibn Haldunit, El-Mukaddime veçohet si kontributi i tij më i rëndësishëm, më i thellë dhe më burimor kushtuar mendimit islam në shtatë shekujt e parë të kulturës dhe qytetërimit islam. Ajo gëzon famë të dyfishtë: atë të autorit të saj dhe reputacionit të vet veprës.

El-Mukaddime – Hyrja konsiderohet një ndër veprat më të shquara, për të cilën autorë të shumtë kanë shprehur konsiderata më të larta. Toynbee, historian anglez, thotë se El-Mukaddime është një vepër më e madhe e llojit të vet, të cilën e ka sajuar ndonjëherë ndonjë mendje kurdoqoftë dhe kudoqoftë. Kritiku i njohur arab, Hana el-Fahuri pohon se kjo vepër e Ibn Haldunit paraqet një imazh të gjallë të jetës shoqërore në mjediset e ndryshme.

Qasja e shumanshme e shtjellimit të shumë temave bën që kjo vepër ta shëtis lexuesin nga një skaj i dijes në skajin tjetër. Mund të them që fare të rralla mund të jenë ato vepra me kaq gamë të gjerë njohurish të përmbledhura në një vend, duke filluar nga historia, gjeografia, sociologjia, psikologjia feja etj.

Në perëndim, autori është i njohur si paraprijës i Kontit, Vicos, Spenglerit, Sorokinit dhe plejadës së tërë të filozofëve të historisë dhe themeluesve perëndimorë modernë të sociologjisë.

Sfida e përkthimit ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Një punë konstante rreth pesë vjeçare e cila, falë Zotit, është kurorëzuar suksesshëm. Ndihem shumë krenar që m’u ka dhënë rasti ta përkthej këtë vepër, e cila në shqip është botuar në dy vëllime, në vitet 2012-2013, por që fatkeqësisht nuk pati promovim të veprës, prandaj edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë jo edhe aq e njohur për opinionin shqiptar.

El-Mukaddime ishte zbuluar në Evropë qysh në shek. XVII dhe është përkthyer në gjuhët: franceze, angleze, gjermane, turke, portugeze etj.

Është paradoksale që Mukaddimen e bëri të njohur ndër shqiptarë themeluesi i Facebook-ut, Mark Zukerberg, kur para disa vitesh e listoi atë si një ndër veprat me më shumë ndikim, e e cila vlen të studiohet.

Për sa i përket pyetjes suaj se çfarë duhet bërë për t’u përkthyer edhe veprat e tjera me përmasa botërore, mendoj se në radhë të parë nevojitet vullneti dhe interesimi për këtë lloj literature dhe po ashtu puna ekipore, pasi që është e mundimshme për një individ të merret vetë me një hap të tillë.

Sot, ka përkthyes të shumtë të arabishtes cilët, me një iniciativë serioze do të mund të angazhoheshin për të dhënë kontributin e tyre në këtë çështje. Duhet, pra, angazhimi i tyre i përbashkët në koordinim me shtëpitë botuese serioze që shfaqin interes për këtë lloj literature.

GER: A e njohin muslimanët shqiptarë civilizimin islam?

J.Hondozi: Nuk besoj se e njohin edhe aq mirë. Sipas meje, shkaku i kësaj, fillimisht, mund të jenë paragjykimet e ndryshme të formuara e të akumuluara ndër vite dhe arsye tjetër, mendoj se është literatura e paktë dhe leximi edhe më i paktë i shqipfolësve. E mosnjohja të shpie deri te urrejtja, siç thotë fraza e njohur e Aliut, halifit të katërt musliman: “Njeriu urren atë që s’e njeh”./Gazetaere

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne