Një ish-pjesëtar i muxhahedinëve iranianë me bazë në Manzë tregoi se MEK-u sulmet kibernetike ia drejton Iranit. Sipas tij në Iran ka pasur çdo ditë sulme kibernetike dhe të gjitha janë kryer nga kampi Ashraf 3. Ai rrëfeu se bëhet një punë e palodhur çdo ditë me të rinjtë në Iran që të arrijnë t’i bindin të kundërshtojnë Iranin.
“Organizata muxhahedine ka 50 vjet që është krijuar, por mes asaj që thonë dhe asaj që bëjnë është në mes një det i tërë. Lufta mes Iranit dhe MEK-ut ka shumë vite që zhvillohet. Më parë MEK-u ka qenë në Irak dhe bënte veprimtari terroriste në Iran. Edhe në Francë kanë bërë të njëjtën gjë. Ata hakerojnë shërbimet e Iranit,” – u shpreh ish-muxhahedini Rahimi për Euronews.
Ai theksoi se policia shqiptare veproi drejt ditën e djeshme dhe nëse banorët e MEK-ut nuk do të kishin diçka për të fshehur nuk kishte pse të reagonin në atë mënyrë.
Rahimi tregoi se si brenda kampit nuk lejohej komunikimi me familjen dhe imponohej ideja se familja është armik.
“Kam qenë 17 vite pjesë e MEK-ut, kam 7 vjet që jam larguar. Kam ardhur në Shqipëri për t’u larguar. Arsyeja ime kryesore e largimit ka qenë sepse në kampin Ashraf nuk na lejohej asnjë komunikim me familjarët.
Telefoni, kompjuterët kanë qenë të ndaluar. Familjarët i kam në Iran. Ka qenë dhunë psikologjike, çdo gjë me urdhra dhe detyrim. 17 vite interneti është përdorur vetëm për pjesën kibernetike. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet që jam larguar,” – u shpreh Rahimi./TPZ