Kanadaja duhet të veprojë shpejt për të siguruar kufijtë e saj kundër një “fluksi masiv” të migrantëve për shkak të triumfit presidencial të Donald Trumpit në SHBA, paralajmëroi të mërkurën kryeministri i Kebekut (Quebec), Francois Legault.
Kebeku kufizohet me katër shtete verilindore të SHBA-së dhe Trump premtoi gjatë fushatës së tij zgjedhore se do të urdhëronte dëbimin masiv të miliona migrantëve që jetojnë në vend ilegalisht. Vlerësohet se ka rreth 11 milionë migrantë pa dokumente në SHBA dhe Trump ka thënë se mund të zhvendosë një milion çdo vit.
“Ne do t’i bëjmë thirrje qeverisë federale që të përmbushë përgjegjësinë e saj për të mbrojtur kufijtë tanë”, tha Legault gjatë një konference për media pas fitores së Trumpit. “Problemi nuk janë migrantët, është numri”, shtoi ai.
Por, forca policore kombëtare e Kanadasë ka thënë se ka plane emergjence, përfshirë mbikëqyrjen e shtuar të kufirit në rast të një vërshimi të migrantëve.
“Disa muaj më parë, ne filluam të punonim për këtë plan emergjence nëse ai (Donald Trump) do të fitonte dhe të vazhdonte me disa nga politikat e tyre të imigracionit”, i ka thënë në një intervistë gazetës “Globe and Mail” rreshteri i Policisë Mbretërore Kanadeze, Charles Poirier.
Zëvendëskryeministrja Chrystia Freeland të mërkurën përdori fjalë të matura për të qetësuar frikën e kanadezëve se qeveria e kryeministrit Justin Trudeau nuk do të ishte në gjendje të kontrollonte kufijtë.
“Dua të siguroj kanadezët se ne e njohim absolutisht rëndësinë e sigurisë së kufirit dhe të kontrollit të kufirit tonë, të kontrollit se kush hyn në Kanada dhe kush jo”, tha ajo./AA