Kandidatja socialiste Edlira Dyrmyshi përmbyll fushatën në krah të Ramës, në heshtje për Palestinën dhe myslimanët e burgosur

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Edlira Dyrmyshi, në mbyllje të fushatës së saj elektorale, mbajti një fjalim publik ku falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin dhe strukturat e PS-së për mbështetjen. Deklarata u fokusua në emocionet e rrugëtimit të saj politik, duke e cilësuar atë si një “bashkim zemrash”. Por ajo që mungoi krejtësisht në fjalimin përmbyllës të Dyrmyshit ishin qëndrimet mbi temat e mëdha njerëzore që kanë tronditur ndërgjegjen botërore siç është genocidi ndaj popullit palestinez, burgosja masive e myslimanëve dhe shtypja e zërave të drejtësisë në Lindjen e Mesme.

Në një kohë kur shumë personalitete publike në botë dhe në Shqipëri po ngritin zërin për ndaljen e dhunës dhe përkrahjen e kauzës palestineze, kandidatja e PS-së duket se zgjedh të heshtë, në përputhje me linjën e qeverisë Rama, që shpesh ka shmangur deklarimet publike për këtë çështje.

Kjo heshtje ngre pikëpyetje të forta:
A është kjo një heshtje e qëllimshme për të mos rrezikuar karrierën politike, apo një mungesë ndjeshmërie ndaj kauzave universale të drejtësisë? A mund të përfaqësojë me dinjitet qytetarët dikush që zgjedh të heshtë ndaj padrejtësive më të mëdha globale?

Në mungesë të një qëndrimi të qartë, Dyrmyshi rreshtohet qartazi në krah të një politike që mbështet aleanca të heshtura me shtete që përndjekin civilë dhe shtypin popuj të tërë, ndërkohë që përdor emocionin e derës së shtëpisë për të kërkuar votën e qytetarëve të Tiranës.

Më poshtë deklarata e plotë e Edlira Dyrmyshit në mbyllje të fushatës:

“Vetëm kështu, me një armë të përbashkët dhe me përfaqësuesit e duhur, dera do të jetë e hapur. Faleminderit Partisë Socialiste për këtë mundësi. Faleminderit Kryeministrit dhe Edi Ramës për besimin. Faleminderit të gjithë qytetarëve, të Tiranës dhe të njësive të saj, për mbështetjen.

Ky rrugëtim nuk ka qenë thjesht një garë politike për mua, por një bashkim zemrash. Në çdo derë ku kam trokitur, kam gjetur më shumë se sa një zë. Kam gjetur besim. Kam parë në sytë e atyre njerëzve që kërkojnë shpresë, duart që kërkojnë drejtësi dhe buzëqeshjet e atyre syve që kërkojnë përfaqësim me dinjitet. Ndaj, nëse mendoni se jam personi i duhur, unë jam këtu për ju aty ku duhet, ashtu siç duhet. Jam këtu për të përfaqësuar me dinjitet.”/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne