Kapen 37 kuintalë kokainë, krizë në industrinë e ndërtimit në Shqipëri

Nga: Gjergji Thanasi

1910 Kg.kokainë

Kjo javë janari mund të quhet me plot gojën si javë e zezë për narkotrafikantët shqiptarë. Policia, dogana dhe prokuroria federale braziliane konfiskuan një sasi prej 1910 Kg. kokainë të pastër. Droga ishte porositur nga një bandë narkotrafikantësh shqiptarë, të cilët për këtë operacion kishin punësuar edhe “argatë” lokalë në Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Në njërin nga kontejnerët me ngarkesë legale miell soje proteinik u zbuluan 1229 Kg. Kokainë me destinacion Portin e Anversës (Belgjikë). Në kontejnerin tjetër frigoriferik të ngarkuar me limonë të freskët u zbuluan 681 Kg. kokainë të destinuara për në Holandë. Në kapjen e një sasie të tillë kokaine krahas informacionit të DEA-s amerikanekontribut të posacëm pati edhe Grace, qeni antidrogë i doganës së Portit de Santo.

600,5 Kg. pastë kokaine

Këtë javë brazilianët kapën edhe 600,5 Kg. pastë kokaine në Portin Itapoa. Droga ishte e ambalazhuar në 19 canta të mëdha. Kontejneri me drogë dhe lëndë druri kishte si destinacion Portin e Anversës (Belgjikë), ku kokaina do të rrëmbehej nga një bandë trafikantësh shqiptarë dhe valonë duke përdorur metodën “Rip Off”.

1181 Kg. kokainë

Në 24 janar policia greke me ndihmën e DEA-s amerikane dhe të informacioneve të Rojes Civile (policisë) spanjolle arriti të kapë 1180 Kg. kokainë të ardhur në Portin e Misolongjit  nga Karaibet ( Shteti San Vincent dhe Grenadine). Droga ishte shkarkuar në një anije transporti mallrash gjenerale dhe më pas ishte magazinuar në disa apartamente në zonën e plazhit. Krahas drogës u kap edhe anija, që kishte kryer transportin nga Karaibet në Greqi. DEA amerikane beson se kjo organizatë kriminale ka gjeneruar të ardhura nga trafiku i kokainës në shumën mbi 50 (pesëdhjetë) milion USD.

Policia greke konfiskoi një Kallashnikov prodhim gjermano-lindor tip MPi-KMS-72, variant sub-kompakt, 1 revolver kal. 38, 1 pistoletë Tokarev dhe 2 pistoleta  (Glock dhe Beretta) bashkë me 92 fishekë të kalibrave të ndryshëm. U kap gjithashtu një bombël me spray irritues. Narkosve shqiptarë iu kapën 19 celularë të markave të ndryshëm si edhe thuajse një cerek milion euro. Nga kolegët grekë mësojmë se nga memoria e celularëve shpresohet të nxirren të dhëna mjaft të vlefshme për të zbardhur në detaje veprimtarinë e këtij grupi narkosësh shqiptarë (marokenët kishin thjesht rolin e argatit në bandë). Kolegët grekë janë të bindur se priten arrestime të reja shqiptarësh në Spanjë, si edhe të një narkotrafikanti arabisht-folës, por ata nuk janë të sigurtë se segmenti në Shqipëri i kësaj bande do të goditet me efikasitet. Policia austriake, ndërsa po shkruhet ky artikull mund të ketë filluar arrestimet e 28 shtetasve austriakë të përfshirë në këtë trafik. Priten arrestime edhe në vende të tjera të Ballkanit përvec Shqipërisë.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan 8 vetë (6 shqiptarë dhe 2 marokenë). Të arrestuarit janë të moshave: 23, 24, 28, 34, 35 dhe 41 vjec.  Një grek etnik 42 vjec, shofer furgoni u shpall në kërkim. Shqiptartët u arrestuan në baza të ndryshme në lagjet e Athinës: Kalithea, Ilion, Pagrati, Nea Smirini si edhe në  Astakos Aitoloakarnania  në zonën e Mesolongjit. Ndër të arrestuarit janë edhe 2 profesionistë të zot, që i shërbenin organizatës kriminale në rolin e personelit të sigurisë dhe të kundërzbulimit me detyrë të neutralizonin cdo përpjekje të organeve ligjzbatuese për të goditur këtë trafik kokaine.

Ndër shqiptarët e arrestuar 41 vjecari në shkurt 2010 në zonën Byron të Atikës së bashku me një tjetër shqiptar kanë shkëmbyer zjarr me policinë duke përdoruru edhe 5 granata offensive prodhim shqiptar. Në këtë përplasje mbeti i vrarë një kalimtar i rastit dhe u plagosën 2 policë. Narkosi shqiptar në fjalë është arrestuar 5 herë që nga viti 2000 për akuza të tilla si drogë, armbajtje pa leje, grabitje me armë etj. Nga shqiptarët e arrestuar 2 janë arrestuar në gusht 2004 për kontrabandimin e 910 kg. kokainë nga Karaibet , në mars 20017 po për trafik kokaine si edhe në shtator 2019 në Zakinthos (ishulli i vockël Piperi) po për trafik droge. Një shqiptar tjetër i arrestuar ka këto precedent penalë: Në nëntor 2011 është arrestuar për vjedhje banese me thyerje në Kozan. Në shtator 2015 është arrestuar për drogë. Një tjetër shqiptar i arrestua, në qershor 2016 ka qenë arrestuar për mbajtje dhe trafikim kokaine. Një nga shqiptarët e arrestuar ka këto precedent penalë: shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara si edhe trafik droge në shtator 2012.

Arrestimi i komponentëve të tjerë të kësaj bande narkotrafikantësh mbetet si një patate e nxehtë në duart e policisë shqiptare. Nëse shqiptarët e arrestuar në Athinë fillojnë e tregojnë emrat e shokëve, atëhere policisë shqiptare nuk I ngelet gjë tjetër vecse t’ia marrë me iso vargjeve të këngës:

Jam fatos, jam fatos

Nga Labëria

Nga Rrëzoma

Nga Vërria…..

Problematika e financimit të gratacielave

Kapja e kësaj sasie të stërmadhe droge nga Brazilin në Greqi do të thotë, që një injeksion shumë miliona eurosh do t’i mungojë  financimit të gratacielave, kryesisht në Tiranë e më pak në Sarandë e Vlorë. Një mungesë e tillë do cojë në më pak vende pune, më pak qarkullim paraje në industrinë dhe tregëtinë e materialeve të ndërtimit, më pak taksë për ndikim në infrastrukturë në buxhetet bashkiake….. Nëse shteti shqiptar nën presionin e DEA-s amerikane do të guxojë të sekuestrojë pasuritë e paluajtshme dhe paratë në llogaritë bankare të anëtarëve të bandës ka rrezik të qartë dhe present, që disa nga anëtarët të bashkëpunojnë me DEA-n për të cmaskuar kontaktet e tyre me segmente të devijuara të policisë dhe gjyqësorit shqiptar e sidomos kontaktet e narkotrafikantëve me politikanë lokalë dhe madje me politikanë në kryeqytetin shqiptar./Gazetaimpakt/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne