Katari: Fillimi i pauzës humanitare në Gaza do të shpallet brenda 24 orëve

Katari njoftoi se brenda 24 orëve do të shpallet se kur do të hyjë në fuqi pauza humanitare mes Izraelit dhe Hamasit.

Ministria e Jashtme e Katarit përmes platformës X shpërndau njoftimin lidhur me pauzën humanitare që u arrit midis Izraelit dhe Hamasit. Sipas njoftimit, pauza humanitare u arrit si rezultat i përpjekjeve të Egjiptit, SHBA-së dhe Katarit si ndërmjetësues.

Se kur do fillojë pauza humanitare do të njoftohet nga Katari brenda 24 orëve, bën të ditur njoftimi. Më tej në deklaratë thuhet se pauza humanitare do të jetë 4 ditë me mundësi për ta zgjatur, duke theksuar se në këmbim të lirimit të 50 civilëve, gra dhe fëmijë, të mbajtur në Rripin e Gazës, disa civilë do të lirohen nga burgjet izraelite.

Sipas marrëveshjes, do të mundësohet gjithashtu hyrja e kamionëve me ndihma humanitare në Gaza përfshirë karburantin. Katari do të vazhdojë përpjekjet diplomatike për de-përshkallëzim, ndalimin e gjakderdhjes dhe mbrojtjen e civilëve.

Mbrëmë, Izraeli dhe Hamasi njoftuan se kanë arritur marrëveshje për pauzë humanitare 4-ditore dhe shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, marrëveshje e cila përfshin shkëmbimin e 50 izraelitëve të mbajtur nga Hamasi në këmbim të 150 palestinezëve në burgjet izraelite.

Thuhet se Brigadat Izzeddin Kassam mbajnë të paktën 239 izraelitë pas një sulmi ndërkufitar më 7 tetor. Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Së fundmi, autoritetet në Gaza njoftuan se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në enklavën e rrethuar që nga 7 tetori është rritur në 14.128, përfshirë 5.840 fëmijë dhe 3.920 gra.

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne