Kërcënoi gjyqtarët pas arrestimit të nipit që vrau Kalanë, familja e Shkambit kërkon familje: Ishte në gjendje të rënduar psikologjike

Familja Shkambi thotë se e kuptojnë ndjeshmërinë ngjarjes ku mbeti i vrarë gjyqtari Kalaja, por theksojnë se në momentin që babai i tyre është marrë në pyetje ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.

SHKODËR– Familja e Gjovalin Shkambit, xhaxhait të autorit të vrasjes së gjyqtar Astrit Kalaja, ka kërkuar falje publike për kërcënimet që 49-vjeçari adresoi në drejtim të gjyqtarëve. Në reagimin e ndarë për mediat, familja Shkambi thotë se ai ka qenë në gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike.

Në asnjë rast, thekson familja, nuk duan që të përdorin gjuhë urrejtje ndaj personave që ushtrojë detyrën e tyre. Familja Shkambi thotë se e kuptojnë ndjeshmërinë e kësaj ngjarje, por theksojnë se në momentin që babai i tyre është marrë në pyetje ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.

Pas arrestimit të nipit të tij, Elvis Shkambi, për vrasjen e gjyqtarit Kalaja, Gjovalin Shkambi kërcënoi në një prononcim për mediat, duke thënë se gjyqtari që do ti dënojë nipin, do të ketë të njëjtin fat i Astrit Kalaja.

“Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente.

Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike.

Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, Shkambi do të dalë sot në Gjykatën e Shkodrës, për tu njohur me masën e sigurisë, pas arrestimit për deklaratat kërcenuese./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne