Hyn në fuqi armëpushimi, Izraeli miraton fazën e parë të planit të paqes në Gaza; SHBA-të dërgojnë trupa ushtarake

Komanda Qendrore e SHBA-së do të krijojë një “qendër koordinimi civil-ushtarak” në Izrael që do të ndihmojë në lehtësimin e rrjedhës së ndihmës humanitare, si dhe ndihmën logjistike dhe të sigurisë në Gaza.

Izraeli ka miratuar zyrtarisht një plan për armëpushim në Rripin e Gazës, i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Lajmi u konfirmua nga zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, përmes një deklarate zyrtare, ku thuhet se marrëveshja do të hyjë në fuqi të shtunën në mëngjes, 24 orë pas miratimit.

Plani parashikon një ndalesë të luftimeve në fazën e parë dhe përfshin lirimin e pengjeve izraelite që ndodhen ende në Gaza.

Sipas deklaratës së Trump, lirimi i tyre pritet të ndodhë të hënën ose të martën. Në këmbim, Izraeli do të lirojë disa qindra të burgosur palestinezë dhe do të nisë tërheqjen graduale të trupave të tij nga disa zona të Rripit të Gazës.

Marrëveshja parashikon gjithashtu hyrjen e ndihmave humanitare në territorin palestinez, me qindra kamionë që pritet të kalojnë kufirin çdo ditë për të lehtësuar gjendjen humanitare.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të zhvendosin deri në 200 trupa nga bazat e tyre ekzistuese në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në koordinimin e një force shumëkombëshe, që do të monitorojë zbatimin e armëpushimit.

Ndërsa rrugët e Jerusalemit mbushen me muzikë dhe shpresë për një moment qetësie, korrespondentja Lyse Doucet thekson se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar. “Ky është një armëpushim – jo një marrëveshje paqeje”, shkruan ajo, duke kujtuar se rruga drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme mbetet e gjatë dhe e vështirë.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara po zhvendosin deri në 200 trupa ushtarake nga Lindja e Mesme në Izrael për të ndihmuar në zbatimin e armëpushimit.

Këto trupa do të krijojnë një qendër bashkëpunimi civil-ushtarak në Izrael, pa hyrë në Gaza.

Në këtë mision do të marrin pjesë edhe vende si Egjipti, Katari dhe Turqia për të monitoruar armëpushimin.

Qëllimi është të mbikëqyret zbatimi i marrëveshjes dhe të ndihmohet me ndihmën humanitare. Pas përfundimit të shkëmbimit të pengjeve dhe të burgosurve, mund të krijohet një Forcë Ndërkombëtare Stabilizuese, nëse palët bien dakord./pamfleti

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne