Kina paralajmëron SHBA-në dhe aleatët e saj të mos rrisin tensionin në Detin e Kuq

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, pas sulmeve të SHBA-së dhe Britanisë kundrejt Huthive në Jemen ka bërë paralajmërimin se duhet distancim nga hapat që do të rrisin tensionin në Detin e Kuq. Ministri Wang bëri vlerësim lidhur me tensionin në Detin e Kuq dhe krizën në Gaza gjatë një konference të përbashkët për shtyp që zhvilloi me homologun e tij egjiptian Sameh Shoukry, gjatë vizitës së tij në Egjipt.

Duke u shprehur se Kina është e shqetësuar për sulmet në rritje të Huthive në Jemen kundër anijeve tregtare që lundrojnë në Detin e Kuq, Wang theksoi se tensioni në rajon është “efekti i përhapjes” së krizës në Gaza e cila ndodhet nën sulmet izraelite. Më tej Wang bëri të ditur se koalicioni i krijuar nën udhëheqjen e SHBA-së për sigurinë e lundrimit në Detin e Kuq, duhet të distancohet nga hapat që do të rrisin tensionin dhe rreziqet e sigurisë në rajon.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) nuk i ka dhënë ndonjë vendi kompetencë për përdorimin e forcës në Jemen, rikujtoi Wang, duke shtuar: “Siguria e rrugëve ujore në Detin e Kuq duhet të mbrohet nga të gjitha palët në mënyrë të përshtatshme me ligjin, duhet të respektohet sovraniteti dhe integriteti i vendeve bregdetare, duke përfshirë Jemenin”.

– Tensioni në Detin e Kuq, “efekti i përhapjes” së krizës në Gaza

Pasi vuri në dukje se tensioni në Detin e Kuq është qartë “efekti i përhapjes” së krizës në Gaza, Wang shtoi se “Komuniteti ndërkombëtar duke kaluar në veprim urgjent, duhet t‘i japë përparësi përpjekjeve për sigurimin e armëpushimit dhe mbrojtjen e civilëve në Gaza”. Wang deklaroi se zgjidhja e problemit palestinez është e mundur me rikthimin e të drejtave kombëtare ndaj popullit të Palestinës të cilat i janë privuar prej 76 vitesh.

“Populli palestinez duhet të marrë drejtësi sa më shpejt të jetë e mundur. Rruga e vetme për një zgjidhje të drejtë të problemit palestinez është krijimi i një shteti palestinez me sovranitet të plotë, të bazuar në kufijtë e vitit 1967, me kryeqytet Kudsin Lindor”, deklaroi Wang. Ndër të tjera Wang përsëriti thirrjen e vendit të tij për mbajtjen e një konference ndërkombëtare të paqes nën kryesimin e OKB-së për zgjidhjen e problemit palestinez./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne