Kolonët izraelitë kërcënojnë palestinezët në Bregun Perëndimor me një “Nakba” të re

Kolonët izraelitë kanë kërcënuar palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar me një “Nakba” të re, përkatësisht me dëbimin me forcë nga tokat e tyre siç ndodhi në vitin 1948.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve ‘Wafa’, kolonët izraelite vendosën fletëza në automjetet e fermerëve palestinezë në periferi të fshatit Deir Istiya pranë provincës Salfit në Bregun Perëndimor verior, duke kërkuar që fermerët të braktisin shtëpitë dhe fshatrat e tyre dhe të zhvendosen në Jordani.

“Nëse ata nuk përmbushin kërkesën, kolonët do ta bëjnë atë përmes sulmeve të dhunshme dhe do t’i dëbojnë me forcë nga tokat e tyre”, citon agjencia ‘Wafa’ fjalët e një prej fletëzave të shkruara në gjuhën arabe.

Duke komentuar kërcënimet, kryetari i fshatit, Firas Diyab, tha se kërcënimet janë qartë të dukshme për të gjithë, duke u bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë vigjilentë.

“Nakba ose Katastrofa” është ngjarja me të cilën rreth 800 mijë palestinezë u dëbuan me forcë nga shtëpitë dhe tokat e tyre në vitin 1948 pas themelimit të Izraelit.

Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor që nga shpërthimi i luftimeve më 7 tetor midis grupeve palestineze dhe Izraelit në Gaza.

Që nga 7 tetori, mbi 100 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor.

Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumëanshëm që përfshinte lëshime raketash dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pamëshirshëm të objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Pothuajse 8.500 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 7.028 palestinezë dhe 1.400 izraelitë./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne