Kontrolli i SPAK në disa farmaci në Tiranë, zbulohen detajet, në hetim del edhe emri i Ilir Beqajt

Zbardhen detaje të reja në lidhje me kontrollin që Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe policia, me urdhër të SPAK, po kryejnë në disa farmaci kryesisht të lokalizuara në Tiranë.

Kontrolli ka nisur që prej mesditës së sotme, në kuadër të një hetimi të ri të lidhur me kontratat që këto kompani kanë pasur me Ministrinë e Shëndetësisë, kur drejtohej nga Ilir Beqaj.

Kontrolli në këto farmaci është ende në vijim, ndërsa mësohet se janë sekuestruar dokumente që mund t’i shërbejnë hetimit, e po ashtu edhe kompjutera.

Lidhur me këtë çështje të re penale, po hetohet roli i ish-ministrit Ilir Beqaj, për të parë lidhjet që mund të ketë me pronarët e këtyre farmacive, dhe sesi janë lidhur kontratat. Pra, nëse janë lidhur me procedurë sipas ligjit, apo në mënyrë klienteliste, por ende nuk dihet se për cilat kontrata bëhet fjalë konkretisht.

Po ashtu mësohet se kontrolle janë kryer edhe në disa banesa të personave që dyshohet se kanë lidhje me ish-ministrin Beqaj.

Kontrolle në këto kompani kanë nisur pas indicieve që SPAK ka marrë lidhur me shkeljet e pretenduara, kur ky institucion drejtohej nga Beqaj. Theksohet se ky është një hetim i ri, i cili nuk lidhet me hetimet e mëparshme për Ilir Beqajn.

Ndërkohë, hetimi po mbahet sekret në mënyrë që mos ketë mundësi për prishje të provave./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne