Kosovë, EULEX dhe Ministria e Drejtësisë me marrëveshje bashkëpunimi për personat e zhdukur

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Ministria e Drejtësisë kanë nënshkruar dy marrëveshje teknike me synim konsolidimin e vijimësisë së bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) për rritjen e efektivitetit të punës për personat e zhdukur.

Marrëveshjet, siç njofton EULEX, u nënshkruan nga shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Marrëveshja teknike ndërmjet EULEX-it dhe IML-së për kryerjen e përbashkët të shqyrtimit të rasteve përfshin ofrimin thelbësor të ndihmës nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it për IML-në në të gjitha aspektet teknike të kërkimit, zhvarrosjes dhe identifikimit të personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë”, njofton EULEX.

Marrëveshja tjetër përfshin instalimin e zyrave në kontejnerë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për një afat kohor të caktuar, me qëllim të bashkëpunimit të Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it me atë të IML-së, deri në përfundimin e punimeve për riparimin e objektit të IML-së, pasi objekti është dëmtuar nga zjarri.

“Marrëveshjet teknike të nënshkruara sot ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të IML-së për kryerjen e punës për personat e zhdukur, siç parashihet nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale 2024-2034 e miratuar së fundmi”, thuhet në njoftim.

Që nga fillimi i mandatit të tij deri më sot, EULEX-i ka punuar për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre në Kosovë.

Për vite me radhë, ekspertët e EULEX-it ofrojnë ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve klandestine apo të pashënuara, si dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga lufta e Kosovës dhe periudhën menjëherë pas saj.

Që nga viti 2009, ekspertët e EULEX-it kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në 806 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 210 zhvarrime. Mbetjet mortore të 507 personave janë identifikuar, duke përfshirë 348 persona të zhdukur./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne