Kosovë, veteranët e luftës takojne presidenten Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për të diskutuar mbi ligjin e pagave që është miratuar në Kuvend, por po kundërshtohet nga veteranët për shkak të mos përfshirjes së tyre në këtë ligj, raporton Anadolu.

Pas takimit që ka zgjatur për më shumë se një orë, përfaqësuesit e organizatave thanë se do të vazhdojnë me protesta në kundërshtim të këtij ligji.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, u shpreh pas takimit se Osmani ishte adresa e tyre e fundit për këtë çështje.

“Presidentes i treguam që ta luaj rolin që ka, atë të unitetit, sepse kjo qeveri është e interesuar që të krijojë sa më shumë përçarje, duke goditur UÇK-në, krijo përçarje ndoshta edhe fito vota me këtë”, theksoi Klinaku.

Xhavit Jashari, që përfaqëson familjet e dëshmorëve të UÇK-së, i bëri thirrje presidentes Osmani që të mos e dekretojë Ligjin për pagat, pasi siç tha ai, “do t’ia vë vetes një njollë shumë të keqe”.

Sipas Jasharit, ky ligj diskriminon “kategorinë më të lavdishme të luftës”.

“I bëmë kërkesë në kompetencat e saj që mos ta nënshkruajë një ligj të tillë, i cili diskriminon kategorinë shumë të veçantë, kategorinë që ka dhënë shumë në luftën e lavdishme të ushtrisë çlirimtare, në këtë rast veteranët e luftës”, theksoi Jashari.

Jashari tha se organizatat kanë marrë vendim për bllokimin e deputetëv për të mos u futur në Kuvend, aty ku kanë “fyer veteranët e luftës, duke folur edhe me kriminelë”.

Në anën tjetër, në një njoftim për media nga Zyra e Presidentes, është bërë e ditur se presidentja Osmani i ka njoftuar ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.

“Sipas presidentes Osmani, ky ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive”, thuhet në njoftim.

Javën e kaluar, veteranë të UÇK-së protestuan në mënyrë të qetë, mbështetur edhe nga parti opozitare. Veteranët e UÇK-së protestuan disa ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale në Kuvendin e Kosovës dhe tani ligji pritet të dekretohet nga presidentja Osmani.

Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Një veteran i luftës në Kosovë paguhet aktualisht 170 euro./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne