Historia Shqiperia

KRIMET E KOMUNISTËVE (Rasti i Mirditës)

Kumtesë në promovimin e librit : Krimet e Komunizmit:  Një histori e plotë për Mirditën (1944-1950), të autorit Tanush Kaso

Krimet e komunistëve përbëjnë një nga faqet më të errëta në historinë e Shqipërisë. Për fat të keq, ato ende nuk njihen në përmasat reale, kryesisht për pandjeshmërinë e Institutit të Historisë dhe pengesave të politikës.

Përpjekjet për zbardhjen e krimeve të komunizmit janë kryesish iniciativa private dhe meritë e  autorëve nga radhët e ish të burgosurve dhe të persekutuarëve politikë, që kanë nxjerrë nga arkivat dhe i kanë sjellë publikut vepra me vlera të mëdha dokumentare, edukuese dhe humaniste. Duhet theksuar këtu edhe mbështetja që u ka dhënë vitet e fundit për botimin e tyre Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK).

Një libër i tillë është edhe Krimet e Komunizmit:  Një histori e plotë për Mirditën (1944-1950), i autorit Tanush Kaso.

Autori është mbështetur tërësisht në dokumente arkivore të fondit të PPSH dhe të strukturave të regjimit, çka e bën librin të besueshëm edhe për më skeptikët.

Krahas botimeve të tjera të tij, autori i sjell lexuesit edhe një dëshmi më shumë për historinë.

Në këtë libër, lexuesi do të gjejë të dokumentuara ngjarje dhe personazhe, krime dhe kriminelë, njerëz të zakonshëm dhe heronj të rezistencës.

Sfondi historik

Krimet e komunizmit në Mirditë janë një pjesë e krimeve të shumta të tyre, të kryera në Shqipëri, gjatë e pas luftës. Që në fillim duhet theksuar se Partia Komuniste vepronte në dy linja. Njëra legale, që predikonte luftë kundër pushtuesit, ndërsa tjetra e fshehtë, që kishte si objektiv edukimin e antarëve të saj me ideologjinë komuniste për marrjen e pushtetit dhe përmbysjen e organizimit shoqëror.

Organizimi shoqëror është produkt i evoluimit të shoqërisë përgjatë historisë ku krijohen traditat e popullit, ruhen besimet fetare dhe zakonet e mira. Duke qenë pjesë identitare të kombit, populli, elitat e vendit dhe paria lokale kanë bërë gjithnjë kujdes ta zhvillonin. Në një krahinë si Mirdita, me histori dhe tradita të pasura, këto vlera  ishin qartësisht të spikatura.

Ishte kjo arsyeja që, një nga pikat kryesore të marrëveshjes së Mukjes (2 gusht 1943) ishte ruajtja e organizimit shoqëror dhe po kjo pikë, një nga shkaqet që ajo marrëveshje u prish nga komunistët.

Qëllimi i komunistëve dukej sheshit se luftonin për pushtet. Për t´i dhënë legjitimitet prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, më 4 shtator 1943, Partia Komuniste mbajti një konferencë në Labinot të Elbasanit ku u vendos  “…të mos njihej asnjë forcë ose lloj pushteti tjetër në Shqipëri përveç pushtetit të këshillave nacional-çlirimtare”.[1]

Forcat e tjera politike, herë në bashkëpunim me të dhe herë rivale, i konsideroi si armike dhe pas një muaji u shpalli luftë.

Shqipëria e Jugut u përfshi në luftë të ashpër civile ku deri në mars 1944 pati qindra të vrarë, grabitje të pasurisë, dëme të mëdha materiale dhe shtëpi të djegura.

Ndryshe nga sa ndodhte në Jug, në zonat e tjera mbi vijën gjeografike Durrës-Tiranë-Elbasan-Korçë, komunistët nuk kishin mbështetje në popull dhe si të tillë, nuk guxonin të fillonin luftën kundër kundërshtarëve të tyre. Autori ndalet në këtë çështje dhe na jep hollësira me vlerë.

Ngjarjet që ndodhën në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1944, në Veri të Shqipërisë, nuk ishin rastësore. Në pranverë të atij viti, forcat gjermane po tërhiqeshin me shpejtësi nga Greqia dhe, në ato kushte, forcat komuniste nuk kishin mundësi të merrnin pushtetin.

Në mars 1944, shtabi i Korparmatës së II të Ushtrisë Partizane Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë⃰[2], iu drejtua Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane. Ai theksonte se : “reaksionarët kanë pas sukses në bashkimin e popullit të Shqipërisë së Veriut e Verilindjes në luftë kundra nesh dhe kanë mundë me bindë atë popull që neve jemi për çështjen serbe e komuniste…”[3]

Ata i kërkonin udhëheqjes komuniste t’i orientonte forcat e saj të armatosura nga Shqipëria e Veriut dhe Kosova me qëllim bashkëpunimin me forcat e tyre.[4]

Komanda e Korparmatës II angazhohej të sqaronte popullin e Shqipërisë së Veriut se nuk kishin “asnjë qëllim apo plan kundrejt Shqipërisë…”

Kërkesa e jugosllavëve nuk mund të realizohej në kushtet kur forcat partizane ishin të pakta në numër dhe në formacione të vogla. Sa për krahasim, korparmata e II jugosllave, e vendosur në Kolashin, kishte në përbërjen e saj 5 divizione dhe 10 aradha partizane. Ndërkohë kur komunistët shqiptarë kishin 6 brigada të vogla.

Për këtë qëllim u mbajt Kongresi i Përmetit (24-28 maj 1944). Kongresi krijoi një komitet, me atributet e një qeverie të përkohshme, i cili formoi një divizion partizan, të quajtur Divizioni I Sulmues.

Bërthama e divizionit, – shkruante Alan Palmer, – ishte Brigada e Parë që përfaqësonte forcën dinamike të komunistëve, terrorin dhe torturën.[5]

Divizioni u urdhërua të sulmonte në Shqipërinë e Veriut dhe më 10 qershor 1944 kaloi Shkumbinin. Objektivi i tij ishte zona Dibër-Mat-Lurë- Mirditë. Filloi kështu zbatimi i udhëzimeve të shtabit të korparmatës së dytë jugosllave.

Mësymjen e forcave komuniste në Veri, autori e përshkruan me hollësi, çka na mundëson të bëjmë krahasime dhe të heqim paralele me sjelljet e pushtuesve të huaj përgjatë kohërave. 

Ku ishin armiqtë?

Në kushtet kur në zonat kodrinore e malore nuk kishte ushtarë gjermanë, natyrshëm lindte pyetja: Kundër kujt do të luftonin partizanët në ato vise?  Kush ishin armiqtë e komunistëve?!

Nëpërmjet dokumenteve që u është referuar autori dhe dokumentacionit historik të kohës, marrim vesh se armiq të tyre ishin shqiptarët e tjerë, jo komunistë dhe nacionalistë. Ishte xhandarmëria që mbante rendin dhe qetësinë, ishte administrata, ishte paria lokale dhe bajraktarët, ishte kleri, besimi fetar dhe traditat e popullit, ishte kanuni i lashtë dhe qibar i maleve.

Kundër tyre u derdh urrejtja e komunistëve. Në korrik e gusht 1944, forcat partizane vunë nën kontroll Dibrën e Matin dhe u futën në kufijtë e zonës së Mirditës.[6]

Autori përshkruan ngjarjet dhe analizon qëndrimin e forcave të ndryshme, rezistencën e nacionalistëve dhe krimet e komunistëve.

Ndryshe nga Dibra, ku paria ishte e ndarë dhe komunistët arritën qëllimin e tyre, në Mirditë gjendja paraqitej krejt ndryshe. Bajraktarët, paria lokale, kleri dhe populli ishin kundërshtarë të vendosur të komunizmit.

Të vetmit bashkëpunëtorë të komunistëve në Mirditë ishin disa të rinj të krahinës që ishin njohur me idetë komuniste në gjimnazin e  Shkodrës.

Njeri prej tyre, Bardhok Biba, që e njihte krahinën, si vendas, në gusht 1944 shkoi dhe i raportoi Mehmet Shehut mbi gjendjen e forcave të bajraktarëve të Mirditës, që komunistët i quanin “reaksionare”.

Forcat e brigadës I iu afruan kufirit jugor të Mirditës me Matin dhe hynë në Perlat. Ndërkohë, nga ana lindore e krahinës sulmuan forcat e Brigadës IV të cilat u futën deri në Orosh, ku dogjën shtëpitë e bajraktarit Gjon Marka Gjoni.[7] Në libër përshkruhen me hollësi operacioni i partizanëve.

Bardhok Biba, që sipas Sigurimit të shtetit, punonte në fshehtësinë më të madhe në zonën e Oroshit, mbante lidhje me shefin e informacionit të Brigadës së IV, Xhafer Cenko Lubonja. Lubonja ngriti rrjetin e informacionit ku përfshihej edhe mësuesi Ndrec Ndue Gjoka ata pak  komunistë të krahinës. Nga të dhënat e tyre, brigada IV kreu disa aksione që i quajti të suksesshme. Konsiderohej sukses djegia e  shtëpive të bajraktarëve dhe parisë së Mirditës!

Forcat nacionaliste të Mirditës, më 1 shtator 1944, e vranë në Livadhet e Vjerthit Xhaferr Cenko Lubonjën.[8] Bashkë me të u vranë edhe tre partizanë të tjerë.

Pas vrasjes së tij, forcat e Divizioni I u tërhoqën drejt zonave të Tiranës, për tu kthyer përsëri në 24 tetor 1944, kur morën nën kontroll tërë krahinën e Mirditës.[9]

Autori e ka sjellë me hollësi edhe këtë fazë të luftës së komunistëve në ato vise.

Çarmatimi i popullit, “ja pushkën, ja shpirtin”

Forcat komuniste hynë në Shqipërinë e Veriut, përkatësisht në Mirditë, por nuk kishin mbështetje në popull, madje një pjesë e madhe e tyre rezistoi me armë. Për të thyer popullin, qeveria komuniste krijoi një formacion luftarak, që për ironi e emëroi “Divizioni i Mbrojtjes së Popullit”.

Divizioni kishte në përbërjen e tij 2069 komunistë dhe 1283 kandidatë partie. Komunistë ishin edhe 92 për qind e oficerëve dhe 80 për qind e nënoficerëve.[10]

Operacioni ushtarak për shtypjen e popullit dhe çarmatimin e tij u krye nën urdhrin: “Ja pushkën, ja shpirtin”. Për këtë qëllim ata përdorën gjerësisht terrorin dhe torturën.

Dhuna e ushtruar mbi popullin përshkruhej në shumë raporte të vet strukturave politike dhe ushtarake të regjimit.

Më 29 maj 1945, Koçi Xoxe, ministër i Brendshëm, kritikonte komandën e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit për abuzimet e tyre dhe sjelljet e këqija me popullin. Ai vinte në dukje se “… në arrestime, kontrollime, sekuestrime, partizanët janë sjellë keq, gjë që ka lejuar të flitet se në kontrollime kanë ngjarë vjedhje sendesh me vlerë”.[11]

Në një raport, midis të tjerave, theksohej se nuk kishin pasur marrëdhënie të mira me popullin, për arsye se oficerët mbanin qëndrim të keq.[12] Nën shembullin e kuadrove vepronin edhe ushtarët. Ata u merrnin popullit vezë, mjaltë, verë etj. Ushtarët, – lexohet në një raport, “dyshohet të kenë bërë edhe çnderime”.[13]

Në një raport tjetër vihej në dukje se komunistët kishin vrarë, se nuk tregonin për vrasjet që kryheshin nga repartet e tyre, por përkrahnin tezat e komandantëve se gjoja njerëzit tentonin të iknin, prandaj i vrisnin.[14]

Kishte edhe ndonjë komunist që nuk i pëlqente veprat që kryenin, por kishte frikë të kundërshtonte se e vrisnin eprorët.[15] Dy ushtarë që tentuan të dezertonin u kapën dhe sakaq u pushkatuan.

Një toger që vrau dy civilë, para se të vriste thirri disa komunistë, biseduan  dhe morën vendim si Parti për t’i vrarë.[16] Në librin e autorit Tanush Kaso jepen krime të tilla, emrat e kriminelëve dhe të viktimave të tyre.

Rezistencë dhe terror

Për ti bërë rezistencë terrorit të forcave të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, të vendosur në ShënPal, rreth bajraktarit Gjomarkaj u mblodhën rreth 400 burra të armatosur. Operacioni për likuidimin e forcave kundërshtare të regjimit komunist, u krye sipas urdhrit të Enver Hoxhës të 26 marsit 1945, ku forcat komuniste duhej të eliminonin elementët e listuar si reaksionarë…

Për të goditur rezistencën antikomuniste, të udhëhequr nga “Komiteti i Maleve”,  regjimi përdori të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe bashkëpunëtorët e sigurimit. Nëpërmjet tyre Sigurimi mësonte lëvizjet dhe bazat, e në këtë mënyrë organizoheshin pritat dhe operacionet kundër luftëtarëve të rezistencës.

Nga të dhënat e agjentëve, më 13 qershor 1946, në rrugën Prosek – Malaj, sigurimi i zuri pritë dhe vrau kryetarin e Komitetit të Maleve, Dr. Mark Gjon Markun dhe korrierin e tij Ndue Pjetër Gjonin.[17]

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1946, Sigurimi dhe Partia, krijuan evidenca të sakta për kundërshtarët e regjimit, krijuan dosje formulare, dosje informatorësh, dosje hetuesie etj.

Autori portretizon edhe komunistët e krahinës dhe aktivistët e organizatave të rinisë dhe gruas, të cilat aktivizoheshin në mbledhjen e informacionit dhe furnizimin me to Sigurimin.

Interesante është përshkrimi dhe analiza për vrasjen e Bardhok Bibës. Autori e jep në tre variante: të strukturave të regjimit, variantin e Mark Zef Ndrecës dhënë radios BiBiSi, në tetor 1994, dhe variantin e Ndue Gjomarkajt, cituar sipas Dr. Xhevat Repishtit.

Autori hedh dritë duke analizuar nxjerrjen në pritë të Bardhokut. Duket si një intrigë e treguar bukur, por autori na thotë se ishte një vajzë që duhet ta ketë nxjerrë në pritë Bardhok Bibën. Në fakt, nga konsultimet me arkivat, na rezulton se Bardhok Biba e ka njohur sekretaren e rinisë. Ç’ farë lidhje kishte ajo me operativin e Sigurimit…?! Këtë na e thotë autori.

Një vend të gjerë autori i kushton edhe masakrës së regjimit mbi njerëzit e pafajshëm, si hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Shqipëri që për një të vrarë të shteti të ekzekutonte 14 të pafajshëm, të burgoseshin shumë të tjerë dhe të internoheshin mbi njëqind familje në kampet e vdekjes në Tepelenë, Berat etj. Natyrshëm lind pyetja: Kush i përgatiti listat? Sigurisht, shefat e Sigurimit e të Partisë, por me propozimet e komunistëve të Mirditës. Këto ndodhnin vetëm në Shqipëri, nën pushtetin e komunistëve, që pa frikë se gabojmë mund ta konsiderojmë terrorizëm shtetëror.

As ushtritë pushtuese që kanë kaluar këtej pari nuk janë sjelle me shqiptarët në mënyrë aq mizore! Për një ushtar të tyre të vrarë, ato ekzekutonin dhjetë vendas, ndërsa komunistët ua kaluan në mizori. Masakra e Valmirit është nga ato ngjarje që duhet të kujtohet për të nderuar kujtimin e atyre që u vranë pa qenë fajtorë dhe për të mos harruar krimet e komunizmit.

Autori nuk mund të kalonte në heshtje Pal Mëlyshin, madje na sjell dy qëndrimet e të afërmve të tij për të. Ata që jetojnë në Shqipëri janë të bindur se Pal Mëlyshi ka qenë agjent i Sigurimit të shtetit, ndërsa të tjerët që jetojnë në Perëndim, duke përfshirë edhe babanë e tij të ndjerë, Nikollë Mëlyshi, nuk e besonin kurrsesi një gjë të tillë.

Në fakt, sipas dosjeve të sigurimit dhe referuar historikut të Sigurimit të shtetit të DPB të Mirditës, duket  qartësisht se ai ka qenë agjenti “Furtuna”.

Ai nuk ishte thjesht agjent i detyruar me material shtrëngues, por besnik i bindur i Partisë. Në muajin shkurt 1950, sipër shtëpisë së Preng Frrok Gjetës, në katundin Perlat, “Furtuna” shkruajti një vjershë për Partinë: “Por kjo s’është veç fillimi/ tash me veti, me gjakftohtësi/ Veç t’arrihet objektivi/ Rrofsh sa malet, o Parti”.

Fundin e qendresës heroike të antikomunistëve të Mirditës, autori e përshkruan me nota trishtimi. Mirëpo, edhe këtu kemi për të shtuar se, Sigurimi kishte infiltruar në grupet e viteve 1950-1953, agjentët “Tabella e Kuqe”, “Davetaxhiu”, “Dylli i Bardhë”, “Rrjeshti” etj.

Por, ndërsa opinioni publik njeh si më rezultativin “Furtunën”, në të vërtetë, dëmin më të madh luftëtarëve të rezistencës antikomuniste në Mirditë ia kanë shkaktuar “Davetaxhiu” dhe “Dylli i Bardhë. Ata qëndruan në “arrati” tre vjet, deri sa në rrethin e Mirditës nuk kishte më çeta në male.

Përveç punës për likuidimin e luftëtarëve të lirisë, “Dylli i Bardhë” dhe “Davetaxhiu” përpunuan edhe bazat e të arratisurve dhe elementëve që për regjimin ishin me përbërje dhe qëndrim të keq politik. Nga të dhënat e tyre, Sigurimi i shtetit bëri shkallëzimin e atyre që i quante element armik, duke përcaktuar rrezikshmërinë dhe rrugët për goditjen e tyre. Gjatë viteve që do të vinin disa prej tyre u ekzekutuan, ndërsa shumë të tjerë përfunduan në burgje e internime.

Por, ndërsa “Furtuna” dhe “Tabella e Kuqe” njihen, është detyra e Autoritetit të Dosjave të bëjë publike emrat e agjentëve “Dylli i Bardhë”, “Davetaxhiu” dhe koordinatori i tyre, “Rrjeshti”. Duhet ta bëjë jo vetëm për studime historike, por në nderim të kujtimit të atyre që u vranë nga këta agjentë.

Tanush Kaso e mbyll librin e tij me familjen e famshme Gjomarkaj. Qendresa e tyre heroike dhe fati tragjik i shumë burrave të atij fisi të madh, na sjell në kujtesë kohërat e vjetra kur bajraktari printe në beteja dhe nuk vdiste në shtrat, por në fushën e luftës. Ashtu ranë edhe Gjomarkajt dhe bajraktarët e tjerë të Mirditës dhe malësisë në përgjithësi, për të penguar vendosjen e regjimit komunist

Me rënien e rezistencës antikomuniste në Mirditë, mori fund rezistenca e armatosur kundër terrorit komunist. Rezistenca kundër komunizmit, e filluar në Shqipërinë e Jugut që në tetor 1943, me simbole si Lazarati e Dukati do të zgjaste në Mirditë për vite me radhë. Mirdita ishte kështjella antikomuniste që ra e fundit.Vite të tëra rezistencë, sakrifica të panumërta, qindra të vrarë, të burgosur, të internuar, i bëjnë nder jo vetëm asaj krahine, por tërë Shqipërisë.

Pas eliminimit të rezistencës antikomuniste, regjimi instaloi sistemin e biografive dhe Luftën e klasave.  Lufta e klasave, në një shoqëri pa klasa u shndërrua në mekanizmin e regjimit komunist që përçau popullin dhe shtypi pjesën më të pambrojtur dhe të pafajshme.

Përfundime

Regjimi komunist si ideologji ka rënë, por pasojat që la pas janë të pranishme kudo. Ai është i gjallë në mendësinë e kriminelëve të pandëshkuar, të institucioneve “shkencore” që merren me historinë, të politikës, madje deri në superstrukturën e shtetit. Mediat e regjimit nuk shkruajnë për heronjtë e rezistences dhe viktimat e komunizmit, por për kriminelët që i shkaktuan popullit tragjedi dhe vuajtje.

Ende pas tre dekadash, krimet e komunizmit nuk janë dënuar, ndërsa viktimat e komunizmit nuk janë rehabilituar. Askush nuk u ka kërkuar falje dhe akoma nuk janë zhdëmtuar për dëmin që u është shkaktuar.

Mu për këto arsye, libra të tillë si ky i z. Tanush Kaso janë të nevojshëm, madje të domosdoshëm. Autori duhet përgëzuar për kontributin e dhënë në dokumentimin e krimeve të komunizmit dhe vuajtjet e pamerituara të një pjese të konsiderueshme të popullit.

Veprat me këtë lëndë mbajnë gjallë kujtesën e kombit dhe janë mesazh për shoqërinë që të dënojë krimet e komunizmit dhe për gjeneratat e reja që të njohin krimet e komunizmit, që ato të mos përsëriten më. E që të mos përsëriten duhen përmbysur pushtetet që shtypin popullin.

Zotë të këtij vendi janë qytetarët e lirë dhe jo pushteti që dhunon të drejtat e qytetarit./Gazetaimpakt/

OPINIONE