“Kritikat ndaj Gjykatës, indikator i lirisë së shprehjes”, kryetarja e GJK në 25-vjetorin e Kushtetutës: Gjyqësori luan rolin nëse është i pavarur

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Holta Zaçaj në përvjetorin e 25-të të Kushtetutës së Shqipërisë: “Gjyqësorizimi i politikës tregon rolin e pazëvendësueshëm të Gjykatës në interpretimin përfundimtar të Kushtetutës”.

Me rastin e 25 vjetorit të Kushtetutës, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj, ka mbajtur fjalën e saj përshëndetëse në konferencën ndërkombëtare me temë “25 VJET TË KUSHTETUTËS SHQIPTARE”, organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në bashkëpunim më Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë fjalimit të saj, Kryetarja Zaçaj pas falenderimeve të rastit, u shpreh se Kushtetuta është kryefjala e diskursit tonë të përditshëm politik e shoqëror dhe prej 25-vjetësh është streha jonë e përbashkët e cila garanton shtetin e së drejtës dhe të drejtat tona njerëzore.

“Është Gjykata Kushtetuese e cila përmes interpretimit, arrin ta bëjë normën kushtetuese realitet, e bën të gjallë atë”, vijoi në fjalën e saj Zaçaj, për tu ndalur në rëndësinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e cila është sjellja e duhur,e vetme dhe e nevojshme për të zbatuar Kushtetutën.

Gjithashtu, Kryetarja Zaçaj theksoi se: “ Kritikat ndaj Gjykatës dhe gjyqtarëve të saj janë një indikator i lirisë së shprehjes për të cilën ne të gjithë kemi luftuar, por deri në atë masë që nuk kthehen në sulm ose mjet presioni ndaj tyre. Mos të harrojmë, pushteti gjyqësor, mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur. Politizimi i gjyqësorit dhe gjyqësorizimi i politikës kanë qenë dhe janë fenomene, të cilat përbëjnë sfida të vazhdueshme të demokracive në zhvillim, por edhe të atyre të konsoliduara.

Në vijim të fjalës përshëndetëse Kreu i Kushtetueses u ndal te aksionet politike të cilat e kanë devijuar diskursin politik nga organi i zgjedhur nga populli në një debat gjyqësor kushtetues.
“Gjyqësorizimi i politikës tregon në fakt nga njëra anë nevojën dhe rolin e pazëvendësueshëm të Gjykatës në interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, por nga ana tjetër tregon edhe rrezikun e transformimit të Gjykatës në pjesë të procesit politikbërës. Gjykata Kushtetuese ka treguar kurajo dhe profesionalizëm në ushtrim të funksionit të saj duke shfuqizuar norma sa herë që ato nuk janë në përputhje me Kushtetutën, e ndërgjegjshme se ajo ka vetëm gomën kurse lapsi i takon Parlamentit “- përfundoi fjalën e saj Zaçaj./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne