Kryeministri spanjoll Sanchez i kërkon BE-së të ngre zërin kundër Izraelit dhe të thotë “mjaft”

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE) në Strasburg, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez i kërkoi Bashkimit Evropian (BE) të ngre zërin kundër Izraelit dhe t’u thuhet “mjaft” masakrave në Rripin e Gazës. Sanchez mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së, ndërsa Spanja do të përfundojë presidencën e radhës në BE në fund të dhjetorit.

“Është koha për të folur hapur për atë që po ndodh në Izrael dhe Palestinë”, u tha kryeministri spanjoll eurodeputetëve. “Lëreni heshtjen dhe flisni me të njëjtën qartësi dhe unitet për atë që po ndodh në Izrael dhe Palestinë”, apeloi ai. “Nëse duam që bota të na respektojë si një aktor gjeopolitik të qëndrueshëm dhe relevant, nëse duam që qytetarët tanë të jenë krenarë për veprimet tona dhe të shohin se vlerat evropiane nuk janë vetëm fjalë, ne duhet të flasim me zë të lartë, qartë dhe me një zë”, tha Sanchez.

Duke vënë në dukje se ai dënoi sulmet e Hamasit më 7 tetor dhe duke theksuar edhe një herë se pengjet duhet të lirohen menjëherë, Sanchez shtoi: “Ne duhet të mbështesim luftën kundër terrorizmit në gjithë Lindjen e Mesme. Duhet të njohim të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe ekzistencë, por me të njëjtin besim dhe të njëjtat vlera, duhet të themi mjaft për vdekjen e civilëve të pafajshëm, përfshirë të mijëra fëmijëve, në Gaza. Bombardimet duhet të ndalen menjëherë. Ndihma humanitare duhet të arrijë urgjentisht dhe në sasi të mjaftueshme”.

Ai deklaroi se Evropa duhet të kontribuojë në mënyrë aktive në kërkimin e një zgjidhjeje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse të çështjes izraelito-palestineze, dhe në veçanti të kërkojë përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare. “Për të siguruar një perspektivë të besueshme dhe serioze paqeje, duhet njohur ekzistencën e Shtetit të Palestinës që bashkekziston në siguri dhe paqe pranë Shtetit të Izraelit”, theksoi kryeministri spanjoll./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne