Leon Molla ka pranuar publikisht se është dënuar me pesë vite burg nga drejtësia shqiptare për veprime që lidhen me kundërshtimin e simboleve turke në vend. Në një shkrim nga Parisi, ai ndërthur rrëfimin personal me reflektime mbi historinë dhe identitetin kombëtar.
Leon Molla
Ka ditë që nuk maten me orë, por me bisedat që lënë gjurmë.
Të kalosh një ditë në Paris me profesorin e nderuar Aref Mathieu, mes një kafeje pariziene, pak pijeje të ngrohtë “anti-grip” dhe bisedash për historinë, mitologjinë dhe lashtësinë e popujve, është një privilegj i veçantë.
Bisedat tona nuk mbeten te një kafe, ato udhëtojnë nëpër shekuj, nga Pellazgët te shqiptarët e sotëm, nga mitologjia te historia, nga dokumentet te kujtesa e një populli.
Profesori Aref Mathieu e ka përkushtuar një pjesë të veprimtarisë së tij në kërkimin dhe interpretimin e lashtësisë pellazgjike dhe të lidhjeve të saj me historinë shqiptare, ndërsa unë vij nga një tjetër front i kujtesës, nga Mirdita e cila është një krahinë që ka mbajtur mbi vete shekuj histori, qëndresë, sakrifica dhe krenari.
Kam shkruar për të, kam hulumtuar historinë e saj dhe kam botuar libra për ngjarje e figura që, sipas bindjes sime, nuk duhet të mbeten peng i harresës, dhe po, për disa prej qëndrimeve të mia jam konsideruar rebel.
Jam përballur me gjykatat shqiptare dhe jam dënuar me dy vite burg për çështjen e flamurit turk të hequr nga HEC-i i Qafë-Mollës në Mirditë, pas ngjarjeve të 31 dhjetorit të vitit 2017.
Më pas, për çështjen e pllakës me emrin e Rexhep Tahip Erdogan në Laç të Kurbinit, mora edhe një tjetër dënim prej tre vitesh burg, po, po, pesë vite dënime.
Por këto janë vetëm disa faqe të historisë sime, sepse ekziston edhe një faqe tjetër, ajo e përballjes me procedurat në Francë, ku drejtësia franceze nuk pranoi kërkesën për ekstradimin tim, duke hedhur poshtë vendimet gjyqësore të Shqipërisë.
Unë nuk i përmend këto për të kërkuar lavdi, i përmend sepse çdo njeri që përpiqet të mbrojë një ide duhet të jetë i gatshëm të mbajë edhe peshën e pasojave të saj.
Sot, duke biseduar me profesor Aref Mathieu, kuptova edhe një herë se historia ka shumë shtresa.
Ai kërkon gjurmët e një lashtësie të largët, unë përpiqem të ruaj gjurmët e një historie më të afërt.
Ai kërkon të kuptojë rrënjët, unë përpiqem të mos lejoj që degët dhe kujtesa e sotme të thahen.
Ai në mbrojtje të kërkimit mbi lashtësinë pellazge, unë në mbrojtje të kujtesës dhe kulturës së Mirditës dhe shqiptarëve.
Dy rrugë të ndryshme, por një pikë takimi, historia shqiptare, sepse një popull nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke harruar të kaluarën, dhe një komb nuk shuhet kur humbet betejat politike, administrative apo gjyqësore.
Një komb shuhet vetëm atëherë kur pushon së kërkuari rrënjët e veta dhe kur brezat e rinj nuk dinë më çfarë të kujtojnë, prandaj, kjo fotografi nuk është thjesht kujtim i një dite në Paris, është simbol i një bisede mes dy brezave të mendimit, mes dy mënyrave të kërkimit të historisë, mes lashtësisë dhe së tashmes.
Njëri kërkon në thellësi të mijëra viteve, tjetri mbron kujtesën e një populli në kohën që jeton, dhe kur këto dy rrugë takohen, krijohet një gërshetim i bukur, lashtësia dhe kujtesa, historia dhe dinjiteti, përcaktimi dhe qëndresa, sepse koha mund të ndryshojë emra, kufij dhe pushtete, por sa kohë ekzistojnë njerëz që kërkojnë, shkruajnë, dëshmojnë dhe kujtojnë, kujtesa e një populli nuk shuhet.
Dhe unë besoj se ajo që na bashkon sot është pikërisht kjo, të mos lejojmë që historia të vdesë në heshtje.
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptarë
Me respekt,
Leon Molla
Paris; 16 shtator 2026
/fb

















