Me torturën sistematike, Izraeli i ktheu burgjet në “ferr”

Mijëra palestinezë të arrestuar në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite po kryen gjenocid tashmë një vit, iu nënshtruan shkeljeve të ndryshme të të drejtave të njeriut si tortura, sulme seksuale dhe uri në burgjet ku u dërguan.

Anadolu ka përmbledhur informacioni për praktikat çnjerëzore që kanë vuajtur palestinezët e arrestuar në Rripin e Gazës, në një dosje të titulluar “Viti i parë i gjenocidit të Izraelit në Gaza”, është.

Në mesin e të arrestuarve në Gaza që nga 27 tetori i vitit 2023 kur Izraeli filloi një pushtim tokësor, ndodhen edhe gra, fëmijë, mjekë, punonjës të kujdesit shëndetësor dhe personel i mbrojtjes civile.

Disa nga mijëra palestinezë të arrestuar vetëm sepse ishin “në moshë që mund të luftojnë” ose sepse mbështetën rezistencën palestineze janë liruar, por disa të tjerë mbahen ende në burgjet izraelite.

 

Në një raport të organizatës izraelite të të drejtave të njeriut B’Tselem u theksua se ushtria izraelite ka zbatuar një politikë të abuzimit sistematik, torturës dhe neglizhencës mjekësore ndaj palestinezëve që ka arrestuar.

Në raport thuhet se palestinezët e ndaluar në burgjet izraelite iu nënshtruan dhunës arbitrare dhe të vazhdueshme, torturave, sulmeve seksuale, fyerjeve, urisë, privimit të gjumit dhe neglizhencës mjekësore.

Burgjet izraelite u kthyen në “kampe torture”

“Dëshmitë e palestinezëve në burgjet izraelite zbulojnë rezultatet e një operacioni të shpejtë në të cilin më shumë se 12 burgje, civile dhe ushtarake, u shndërruan në një kamp, ​​qëllimi i të cilëve ishte të keqtrajtonin njerëzit. Kushdo që hyn një herë në këto vende, që funksionojnë si një kamp torture, është i dënuar të vuajë dhimbjen më të rëndë, si dhe torturën e qëllimshme dhe të pafund”, tha raporti i publikuar në muajin gusht nga B’Tselem.

Në raportin e titulluar “Mirë se erdhe në ferr: Burgjet izraelite u shndërruan në një rrjet kampesh torture” thuhet se numri i palestinezëve në burgjet izraelite para 7 tetorit të vitit 2023, kur Izraeli nisi sulmet e tij në Rripin e Gazës, ishte 5.192, ndërsa numri i palestinezëve në burgje dhe qendrat e paraburgimit që nga korriku i vitit 2024 pothuajse u dyfishua dhe arriti në 9.623.

Ndër të tjera, raporti theksoi se 4.781 nga palestinezët e arrestuar u mbajtën në burg në kuadër të “arrestit administrativ” pa gjykim ose ndonjë akuzë.

Derisa nuk ka asnjë informacion zyrtar për numrin e palestinezëve të arrestuar nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës, shtypi izraelit thekson se të paktën 4.500 palestinezë janë të arrestuar në Gaza.

Qendra e paraburgimit Sde Teiman, “Guantanamo e Izraelit”

Sde Teiman, i cili është përcaktuar se ushtria izraelite ka kryer krime çnjerëzore, veçanërisht abuzime seksuale dhe tortura kundër palestinezëve që ka ndaluar në Rripin e Gazës, konsiderohet si një nga qendrat e paraburgimit ku palestinezët trajtohen më rëndë.

Shkeljet fizike dhe psikologjike ndaj palestinezëve në qendrën e paraburgimit Sde Teiman në shkretëtirën Negev, e cila quhet “Guantanamo e Izraelit”, u shënuan në raportin e organizatës për të drejtat e njeriut “Shoqata për të Drejtat Civile”, me bazë në Izrael.

Në raport theksohet se në Sde Teiman, “operacionet janë kryer pa përdorur anestezi, të arrestuarit janë vënë në pranga në mënyrë të dhimbshme, janë lënë me sy të lidhur për një kohë të gjatë, si dhe është ushtruar dhunë dhe neglizhencë mjekësore”.

Me akuzën e përdhunimit të një të burgosuri palestinez në Sde Teiman, u arrestuan 10 ushtarë izraelitë dhe kjo çoi në kritika të ashpra ndaj administratës së Tel Avivit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Izraelitët e ekstremit të djathtë, të cilët kundërshtuan ndalimin e ushtarëve, kryen bastisje duke hyrë në Sde Teiman dhe në bazën Beit Lid ku ndodhet gjykata ushtarake ku u dërguan ushtarët e arrestuar, ndërkohë që u shënuan edhe incidente.

Midis atyre që bastisën bazat ushtarake ishin ministri izraelit i Trashëgimisë i ekstremit të djathtë, Amichay Eliyahu, deputeti Nissim Vaturi nga Partia Likud në pushtet, si dhe Zvi Sukkot nga Partia e Sionizmit Fetar.

Më 13 gusht, ushtarët izraelitë në fjalë u hetuan dhe u vendosën në arrest shtëpiak pa asnjë aktakuzë. Organizatat izraelite të të drejtave të njeriut e vlerësuan këtë hap si një qasje që do të lejonte ushtarët dhe komandantët e ushtrisë t’i shpëtonin dënimit.

Edhe aktivistët izraelitë të të drejtave të njeriut kërkuan gjithashtu hetimin e situatës që ata e përshkruan si “dyshime për torturë” kundër palestinezëve dhe paralajmëruan se kjo mund të shkaktojë dëme globale për administratën e Tel Avivit, që mund të arrijë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërkohë, më 20 maj, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Karim Khan, njoftoi se ka aplikuar për një “urdhër-arresti” kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Vdekja e 48 palestinezëve në burgjet izraelite

Më 20 korrik, gazeta Haaretz publikoi një lajm ku thuhet se ushtria izraelite po zhvillonte një hetim për vdekjen e 48 palestinezëve në burgjet izraelite. Theksohet se shumica e këtyre personave janë arrestuar në Gaza dhe 36 prej tyre kanë humbur jetën në Sde Teiman.

Më 18 shtator, Gjykata e Lartë e Izraelit hodhi poshtë një kërkesë për mbylljen e qendrës së paraburgimit Sde Teiman, pavarësisht se organizatat e të drejtave të njeriut dëshmuan se kishte shkelje në qendrën e paraburgimit.

Më 30 qershor, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, bëri thirrje që palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite të “ekzekutohen duke i qëlluar në kokë në vend që t’u japin ushqim dhe ujë”.

Më vonë më 8 korrik, Ben-Gvir bëri presion që qendra e paraburgimit Sde Teiman të qëndrojë e hapur, duke pretenduar se “është një gjë e mirë që qendra e paraburgimit është e mbipopulluar” me palestinezë të arrestuar.

Gjithashtu edhe më 12 shtator Ben-Gvir i shtoi retorikat e tij të ekstremit të djathtë dhe kërkoi një buxhet shtesë për të ndërtuar 5 mijë qendra të reja paraburgimi, në mënyrë që të dyfishojë numrin e palestinezëve të ndaluar në gjenocidin e iniciuar nga Izraeli në Gaza.

Gazeta izraelite Yedioth Ahronoth në lajmin e saj të 12 shtatorit përdori shprehjen “Kriza e burgjeve është një nga problemet më të ndjeshme të sigurisë që nga fillimi i luftës dhe është ende e pazgjidhur”.

Edhe në lajmin e gazetës Haaretz thuhej se “Përveç Sde Teiman, burgu Megiddo në veri të Izraelit është një tjetër burg ku kryhen vazhdimisht krime të tmerrshme dhe tortura sistematike ndaj palestinezëve të ndaluar”.

Në dokumentet e rrjedhura nga Megiddo thuhej se shumë sulme të tmerrshme dhe raste torturash u regjistruan kundër qindra palestinezëve të ndaluar dhe se për të poshtëruar të burgosurit ndaj tyre u sulën qentë.

Imazhet e palestinezëve të arrestuar gjysmë të zhveshur në Gaza shkaktuan reagime

Ushtria izraelite shkeljeve të saj u shtoi shkelje të reja duke marrë imazhe të palestinezëve të ndaluar pothuajse të zhveshur në dhjetor të vitit 2023. Fotografitë dhe videot në fjalë u shpërndanë nga shumë aktivistë të rrjeteve sociale dhe kanë zënë një vend të gjerë në media.

Në raportin e përgatitur në atë kohë nga Organizata Evropiane-Mesdhetare për të Drejtat e Njeriut (Euro-Med) u konfirmua se imazhet e shpërndara shpesh në mediat sociale ishin reale dhe se ato ishin regjistruar në një qendër strehimi ku palestinezët e zhvendosur ishin strehuar në qytetin Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës.

Në raport u theksua se palestinezët u zhveshën lakuriq, u torturuan dhe u filmuan lakuriq nga ushtarët izraelitë.

Ndërkohë, administrata e Tel Avivit pretendoi se palestinezët në fotografi ishin “anëtarë të Hamasit dhe u lanë lakuriq për t’u siguruar që nuk mbanin armë ose eksploziv”.

Zyrtari izraelit i burgut: Keqtrajtimi i palestinezëve, “praktikë rutinë”

Në imazhet e tjera të publikuara nga gazeta Haaretz, palestinezët me pjesën e sipërme të trupit të tyre lakuriq shiheshin të shtrirë në tokë me duar të lidhura me pranga pas shpine dhe rojet izraelite kalonin me qentë e tyre duke shkelur mbi kokat e tyre.

Sipas lajmit të publikuar nga gazeta izraelite më 7 dhjetor të vitit 2023, një zyrtar i lartë i paidentifikuar nga Administrata e Burgjeve të Izraelit tha se imazhet në fjalë ishin një “praktikë rutinë” kundër palestinezëve të mbajtur në burgun Megiddo.

Këto shkelje të të drejtave të njeriut, të cilat zyrtari izraelit i përshkroi si “rutinë”, bazohen në shpalljet fetare të rabinëve hebrenj që lejojnë ushtrinë izraelite të torturojë dhe vrasë palestinezët.

Rabini izraelit, Meir Mazuz, mbështeti ushtarët izraelitë që përdhunuan palestinezin e mbajtur në Sde Teiman.

Vëmendje tërhoqi një video e takimit të Mazuz-it me ushtarët e ndaluar në atë kohë, ku ai thoshte se ata duhet t’i “shpërblejnë dhe jo t’i arrestojnë”.

I njohur për pikëpamjet e tij fanatike, rabini 78-vjeçar Mazuz konsiderohet lideri shpirtëror i partisë ultra-fetare Shas, e themeluar nga hebrenjtë sefardikë.

Në sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 janë vrarë të paktën 41.800 palestinezë, përfshirë rreth 17 mijë fëmijë dhe 11.378 gra, ndërsa janë plagosur mbi 96.840 të tjerë.

Thuhet se nën rrënoja ka mijëra të vdekur derisa infrastruktura civile po shkatërrohet duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne