“Mediat perëndimore me lajme të rreme desensibilizojnë opinionin ndaj masakrës në Gaza”

Gazetari dhe regjisori britanik, Harry Fear, deklaroi se mediat perëndimore shfaqën një qëndrim të njëanshëm gjatë raportimit për konfliktin izraelito-palestinez, duke u shprehur se nuk sqarohet se mijëra palestinezë do të vriten.

“Këto lajme nënkuptojnë se nuk ka asnjë perceptim në publikun perëndimor se qindra apo madje mijëra palestinezë do të vriten dhe se kjo duhet të ndalet”, tha ai.

Gazetari Harry Fear, regjisor i dokumentarit të vitit 2019 “Gaza: Still Alive”, i cili ka të bëjë me efektet e luftës mbi civilët që Izraeli filloi në Rripin e Gazës të bllokuar në vitin 2014, për Anadolu vlerësoi gjuhën që përdorin mediat kryesore perëndimore që po mbulojnë konfliktin izraelito-palestinez.

Fear deklaroi se ai punoi si gazetar në Gaza gjatë konflikteve të dhunshme në 2012 dhe 2014 dhe tha: “Ajo që po shohim tani është një gjakderdhje. Vrasje masive e krijuar për të marrë hak ndaj popullit të Gazës në emër të popullit të Izraelit”.

“Thuhet se operacioni tokësor i kryer nga Izraeli mund të zgjasë me muaj, me ç’rast status quo-ja në Gaza do të ripërcaktohet dhe do të pushtohet plotësisht nga ushtarët izraelitë. Qëllimi i kësaj është të eliminojë kapacitetin e Hamasit për të qeverisur dhe larguar atë nga qeverisja e Rripit të Gazës. Si më parë, në këto periudha dhune në Gaza, ligjet dhe rregullat e luftës tashmë janë tejkaluar”, tha Fear.

“Një shembull konkret i ‘çmendurisë’ në të ashtuquajturën gazetari të paanshme”

Fear kujtoi se transmetuesi britanik BBC, gjatë raportimit të konflikteve në rajon, përdori fjalët “të vdekur” për të vrarët në Gaza dhe “të vrarë” për të vrarët në Izrael dhe tha: “Organizatat famëkeqe si BBC kanë shfaqur një gjuhë të jashtëzakonshme në konfliktin izraelito-palestinez, pavarësisht parimit të neutralitetit. Ky është një rast i qartë i ‘çmendurisë’ në të ashtuquajturin raportim të paanshëm”.

Duke deklaruar se organizatat kryesore të medias në Perëndim kanë ndjeshmëri për civilët palestinezë, Fear tha:

“Palestinezët janë kategorizuar si ‘kafshë humanoide’, sipas fjalëve të zyrtarëve izraelitë, të cilët janë efektivisht jo-njerëz, dhe kjo është mënyra se si mediat kryesore po e mbulojnë storjen. Narrativa dominuese në lidhje me konfliktin Izrael-Gaza bazohet në perspektivën izraelite. Kjo thjesht do të thotë se jetët e izraelitëve janë lavdëruar tepër dhe jetës së palestinezëve nuk u jepet asnjë rëndësi”.

Fear theksoi se nuk mund të injorohet se përleshjet e fundit filluan nga grupe të armatosura të lidhura me Hamasin në Gaza dhe tha: “Inkuadrimi i konfliktit vetëm me këto ngjarje të fundit në median perëndimore injoron shtypjen dhe rrethimin 16-vjeçar. Lufta e vazhdueshme në Gaza, mohimi i plotë i të drejtave të njeriut të palestinezëve, të drejtave civile, të drejtave politike dhe ekonomike, dhe në të vërtetë dinjiteti i të qenit njeri, bazohet kryesisht në një ideologji të epërsisë dhe dominimit racor”.

“Fëmijët janë masakruar në Gaza prej vitesh, por kjo merr pak ose aspak mbulim në gazetarinë perëndimore”

Gazetari britanik theksoi se lajmet e rreme dhe manipuluese për konfliktin Izrael-Gaza po përhapen me shpejtësi dhe tha: “Kjo është një luftë e vazhdueshme midis Izraelit dhe palestinezëve, dhe një pjesë e saj është lufta e informacionit. Kjo është një luftë propagandistike”.

Duke iu referuar një gazetari nga një kanal televiziv izraelit i cili raportoi lajmin e rremë se “Hamasi ia preu kokën 40 foshnjave izraelite” në transmetim të drejtpërdrejtë, Fear tha:

“Pasi gazetari izraelit shpalli këtë pretendim, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse thashetheme, lajmi u përhap me shpejtësi në mediat perëndimore në gjuhën angleze. Edhe gazetat kryesore londineze e çuan lajmin në faqet e tyre të para, edhe pse nuk ishte i vërtetë. Kështu që, a është e vërtetë që Hamasi i preu kokën 40 fëmijëve? Kjo nuk është e vërtetë sepse nuk ka prova. As policia izraelite dhe as ushtria izraelite nuk e konfirmuan këtë”.

Hear e përshkruan atë si “hipokrizi” që media perëndimore nuk i jep hapësirë ​​të mjaftueshme përvojave të civilëve palestinezë, ndërsa sjell në rendin e ditës informacione të paverifikuara për civilët izraelitë, dhe tha: “Fëmijët janë vrarë prej vitesh në Gaza. Atyre iu ‘pre koka’ nga bombardimet ajrore izraelite, por kjo gjë merr pak ose aspak mbulim në mediat perëndimore. Në vend të kësaj, fokusi është te masakrat fillestare të Hamasit dhe se si misioni i hakmarrjes së Izraelit shënjestroi civilët palestinezë”.

“Ky lajm do të thotë se qindra apo edhe mijëra palestinezë do të vriten dhe nuk ka asnjë perceptim në opinionin perëndimor se kjo duhet të ndalet. Megjithatë, kur Hamasi kryen një masakër në Izrael, në audiencë krijohet një ndjenjë zemërimi. Ekziston një ndjenjë se kjo duhet të ndalet. Por në rastin e Palestinës, është një lloj ‘vullneti i Zotit’. Prandaj, opinioni publik perëndimor nuk ka një qëndrim kundër fuqisë së Izraelit dhe terrorizmit shtetëror izraelit”, tha Fear.

Ai theksoi se Porta Kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael u shkatërrua si rezultat i përleshjeve, dhe tha: “Porta kufitare Rafah e Gazës në kufirin me Egjiptin nuk mund të përdoret për shkak të bombardimeve rreth saj. Kjo do të thotë se Gaza është plotësisht e mbyllur nga toka, deti dhe ajri dhe gazetarët e huaj nuk lejohen të hyjnë. Vetëm disa nga gazetarët ende gjallë në Gaza mund të kontaktoheshin. Disa prej tyre u vranë edhe në këto përleshje të fundit”.

Duke theksuar se vendet perëndimore mbështesin plotësisht të ashtuquajturën të drejtën e vetëmbrojtjes së Izraelit, Fear vazhdoi: “Ne kemi parë që Izraeli ka mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe aleatëve të tij evropianë, madje edhe forcat detare amerikane kanë lëvizur në rajon për të dërguar një mesazh për aktorët rajonalë. Të gjitha kushtet janë përgatitur për sulmin më të tmerrshëm dhe më të dhunshëm ndaj Gazës”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne