Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u takua sot në Londër me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në samitin e liderëve të BE që zhvillohet në Britaninë e Madhe.
Sipas një deklarate nga qeveria italiane, takimi dha mundësinë për të theksuar edhe një herë mbështetjen e Italisë për Ukrainën dhe vlerësimit dhe përkushtimin të popullit të saj.
Mësohet se Meloni është shprehur se së bashku me partnerët evropianë dhe perëndimorë si Shtetet e Bashkuara, do punojmë për të ndërtuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila siguron një të ardhme të sovranitetit, sigurisë dhe lirisë në Ukrainë.
“I jam mirënjohës Italisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e saj të vazhdueshëm për të sjellë paqen në Ukrainë. Kam pasur një takim produktiv me Presidentin e Këshillit të Ministrave të Italisë Giorgia Meloni për të zhvilluar një plan të përbashkët veprimi për t’i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Është e rëndësishme të ruajmë unitetin rreth Ukrainës dhe të forcojmë pozicionin e vendit tonë në bashkëpunim me aleatët tanë – vendet e Evropës dhe Shtetet e Bashkuara. Ukraina ka nevojë për paqe të mbështetur nga garanci të forta sigurie”, tha presidenti ukrainas në një postim në Platformën X, duke shtuar se Putini është i interesuar për vazhdimin dhe rikthimin e shpejtë të luftës./Pamfleti