Merr fund “Ballkani i Hapur”, aventura politike që largoi Shqipërinë me Kosovën

Para se të futej në koncertin e tenorit Rame Lahaj që u mbajt të premten në Ulqin, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ul për një kafe me politikanë shqiptarë nga Kosova dhe Mali i Zi në një nga lokalet e qytetit.

Edi Rama Vjosa Osmani kafe në Ulqin
Një detaj i pazakontë binte në sy menjëherë në tryezë. Pranë Edi Ramës ishte ulur Vjosa Osmani.

Në marrëdhënien mes të dyve ka mbizotëruar përherë tensioni negativ. Dy politikanët nuk e kanë kursyer asnjëherë njëri tjetrin.

Kur Vjosa Osmani vizitoi Tiranën dy vite më parë, Rama e takoi në kryeministri, por e la bosh karrigen në parlament.

Dhe simbolika e takimit të Ramës me Osmanin në publik nuk qe rastësi. Ajo është pjesë e një sjelljeje më të moderuar të Ramës në raport me shqiptarët e Kosovës, që ia kanë kundërshtuar qasjen ndaj Serbisë.

Sepse mes Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit kohët e fundit nisi një krisje, që po shkon drejt ndarjes përfundimtare. Gjatë një interviste për Euronews, Rama shpalli nga Ulqini fundin e projektit të “Ballkanit të Hapur”, një pjellë ekskluzive e miqësisë së tij dhe Vuçiçit.

Kësaj radhe, Rama foli për Ballkanin e Hapur në kohën e shkuar, si për një mision tashmë të kryer.

“Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët” u shpreh ai.

Entuziasmi për “Procesin e Berlinit” është në fakt ceremoniali për varrimin e “Ballkanit të Hapur”. Projekti ballkanik që shenjoi politikën e jashtme të Shqipërisë është mbyllur pas zhvillimeve që ndodhën brenda pak ditësh dhe kjo është pasojë ekskluzive e marrëdhënies personale Rama-Vuçiç.

Fundi i Ballkanit të Hapur tregon se dyshja Rama-Vuçiç nuk funksionon më. Diçka ka ndodhur mes të dyve. Me këtë projekt Rama dhe Vuçiç kishin premtuar paqen në Ballkan dhe fundin e një historie konfliktesh mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

I investuar plotësisht në miqësinë me Vuçiçin, për vite me radhë Rama nuk i kushtoi asnjë vëmëndje paralajmërimeve që i bënin politikanët e Kosovës mbi synimet reale të Serbisë në këtë projekt.

Rama nuk u tërhoq as kur politkanët e Kosovës i kujtuan se Serbia sillej ende si vend agresor me Kosovën dhe se përcillte në Ballkan interesat e Rusisë. Rama nuk u tërhoq nga Ballkani i Hapur as kur Vuçiç thirri ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në takim dhe as kur Serbia ishte i vetmi vend europian që nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë. Rama nuk u tërhoq nga Ballkani i Hapur, as kur Vuçiç zhvendosi ushtrinë në kufi me Kosovën duke provokuar tensione në Veri.

Prandaj dhe “bomba” që hodhi sot duke shpallur anulimin e Ballkanit të Hapur mbetet një mister.

Një shpjegim për këtë kthesë të fortë të Ramës mendohet se është shpërfillja që i bëri Vuçiç përpjekjeve të tij për të marrë rolin e mediatorit pas pengmarrjes së tre policëve të Kosovës nga forcat speciale serbe.

Edi Rama tentoi disa herë negociatat, por hasi në refuzimin e Vuçiçit. Disa ditë pasi kishte pranuar negociatat me Vuçiç, Rama doli në konferencë, e quajti shtetin serb “një bandë”, shpalli ngrirjen e Ballkanit të Hapur dhe tha se sikur të ishte Albin Kurti nuk do bënte asgjë ndryshe nga ç’po bën ai.

U duk se besimi i Edi Ramës tek një aleancë afatgjatë me Vuçiçin kishte marrë një goditje të fortë.

Zhgënjimi në fakt është i justifikuar. “Sakrificat” që kryeministri i Shqipërisë ka bërë për mikun e tij serb nuk janë pak. Kur i mblodhi vetë komentet që i bënin për takimet me Vuçiçin, Rama rreshtoi aty etiketimet “tradhëtar”, “të shitur”, “bërllog”, “qen i keq” “djall” apo “vëlla i Vuçiçit”. I pandikuar nga mllefi popullor për samitet në Novisad apo vizitat në Beograd, Rama u fut në një spirale konflikti me thuajse të gjithë kryeministrat e Kosovës që nuk e pranonin Ballkanin e Hapur. Kur ai u fliste për paqe dhe prosperitet, ata i kujtonin deklaratat e Vuçiçit se do krijohej një “Jugosllavi të re plus Shqipërinë”.

Edhe në kancelaritë perëndimore, Rama u bë një avokat i zëshëm i Serbisë. Kur Brukseli i kërkoi Serbisë t’i bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, Vuçiç gjeti te Rama një aleat që i kërkonte mirëkuptim Bashkimit Europian për dualitetin e qeverisë serbe.

Situata me pengmarrjen e tre policëve ishte rasti kur Vuçiç mund t’ia shlyente favorin Edi Ramës. Nëse do ta pranonte mikun e tij shqiptar si negociator të krizës jo vetëm do të mbante gjallë egon e Ramës për të bërë politikë përtej kufijve të Shqipërisë, por në fund të fundit, do të tregonte se Ballkani i Hapur e kishte një shans.

Ndodhi e kundërta. Presidenti serb i mbajti në burg tre policët e Kosovës edhe pas telefonatave të Edi Ramës. Vuçiç priti telefonatën nga Sekretari i Shtetit, Entoni Blinken pastaj liroi tre policët.

Ballkani i Hapur rezultoi një projekt kot. I padobishëm për ta bërë Ramën në negociator në krizën mes Serbisë dhe Kosovës. Asgjë më shumë se makiazh për politikën agresive të Serbisë në rajon. Asgjë më shumë se një tregues se shqiptarët nuk bëhen dot bashkë për shkak të ambicieve personale.

Zhgënjimi nga Vuçiç në rastin e tre policëve, duket të jetë në thelb të vendimit të Ramës për ta zhbërë Ballkanin e Hapur dhe për t’u rikthyer nën ombrellën e projekteve europiane në rajon.

Procesi i Berlinit, siç deklarojnë politikanët e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara ka një ndryshim thelbësor nga Ballkani i Hapur. Procesi i Berlinit kërkon që një marrëveshje të firmoset nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor njëkohësisht, pa i dhënë disave rolin e liderit e disa të tjerave pozicionin inferior te ndjekësit.

Fundi i Ballkanit të Hapur shënjon në pikë të re në politikën e jashtshme të vendit. Projekti do të kujtohet si një aventurë politike e frymëzuar nga ambicia e sëmurë ose nga kokëfortësia e injorancës së kryeministrit të radhës së Shqipërisë, që pranoi aleancën me serbët duke shpërfillur interesin e Kosovës./Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne