Ministri iranian: ShBA-ja blen ujë të rëndë të Iranit nëpërmjet palëve të treta

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, tha se pavarësisht vendosjes së sanksioneve, ShBA-ja nëpërmjet palëve të treta blen ujë të rëndë të prodhimit iranian, i cili përdoret në reaktorët bërthamorë.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim, duke folur në një ngjarje në kryeqytetin Teheran, Abdollahian tha se pavarësisht sanksioneve të ShBA-së, fushat më të zhvilluara të vendit janë sektorët e raketave dhe energjisë bërthamore.

“ShBA-ja blen ujin e rëndë të Iranit nëpërmjet një ndërmjetësi. Një zyrtar perëndimor më tha se uji i rëndë me cilësi më të mirë të prodhuar në mbarë botën është ai i Iranit”, tha ai. Nga ana tjetër, Abdollahian deklaroi se nuk është bërë asnjë përparim në ringjalljen e marrëveshjes bërthamore, e cila u shfuqizua pas tërheqjes së njëanshme të ShBA-ve në vitin 2018.

Uji i rëndë, një formë uji që përmban hidrogjen të rëndë, përshkruhet si materiali i dytë më i kërkuar bërthamor pas uraniumit dhe Irani është një nga vendet e pakta që e prodhon atë me pastërti të lartë. ​/AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne