Bota

“Mirësevini në Amerikë”: revista “Time” vendos në kopertinë Trump dhe 2-vjeçaren që qan në kufi

Midis zemërimit për ndarjen e familjeve në kufirin amerikan, revista “Time” ka vendosur të nxjerrë sërish në kopertinë presidentin Trump, po kësaj radhe ky i fundit ndoshta nuk do të mburret dot, pasi përballë tij në foto është vajza 2-vjeçare nga Hondurasi që ngjashërehet.

Presidenti Trump gjithnjë ka vënë në dukje me krenari daljet e tij në kopertinën e revistës “Time”, por shfaqja e tij më e fundit në këtë kopertinë të botimit prestigjioz, mund të mos ia dalë kurrë të ngjitet në muret e klubit të tij të golfit.

Imazhi i fuqishëm i kopertinës së kësaj jave përshkruan presidentin amerikan tek vështron një vajzë dy-vjeçare që qan me dënesë, ndërsa titulli shkruan: “Mirësevini në Amerikë”.

Vajza është marrë nga një fotografi e shkrepur në kufirin amerikan nga fotografi i Getty, John Moore. Ajo tregon ankthin e vogëlushes ndërsa nënën e saj e kontrollojnë dhe e ndalojnë rojet kufitare. Imazhi është shndërruar në një simbol të ndikimit të politikës së emigracionit të administratës Trump, ku prindërit dhe fëmijët që hyjnë në Amerikë ilegalisht ndahen në kufi.

Ndarja e familjeve me fëmijë, e madje edhe me foshnje që janë vendosur në qendra ndalimi apo “streha të moshës së njomë”, ka nxitur protesta dhe zemërim, edhe pse babai i vajzës, Denis Valera, tha për agjencinë “Reuters” se vajza është lejuar të qëndrojë me të ëmën, Sandra Sanchez, gjatë ndalimit të tyre në qytetin kufitar të Teksasit, McAllen.

Duke folur për “The Guardian”, Moore e përshkroi si përvojë të trishtuar shkrepjen e këtyre fotografive që dëshmojnë ndarjen e familjeve në kufi. “Si foto-reporter dhe baba i tre fëmijëve, imazhi më theu zemrën”, tha ai.

Pas reagimi masiv publik, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që tërheq politikën kufitare.

Rregullisht, Trump e ka pasur pikë reference numrin e herëve që ka dalë në kopertinën e revistës “Time” dhe vitin e kaluar u mburr se ai mbante “rekordin e të gjitha kohërave:”- një pretendim që u përgënjeshtrua menjëherë nga revista.

Në qershor të vitit të kaluar, “Time”i kërkoi Trump të hiqte kopertinat e rreme, nga muret e klubit të tij të golfit.

Në një konferencë shtypi, në Singapor, për samitin me Kim Jong-un, Trump e thirri me emër reporterin e revistës “Time”, Brian Bennett. “A jam në kopertinë sërish këtë javë”, pyeti ai në mënyrë retorike. “Oh, kam kaq shumë kopertina”./ tesheshi