Mjeku i spitalit Nasser në Gaza: Jemi zhgënjyer, ku është njerëzimi

Ahmed al-Magribi, një nga mjekët në spitalin Nasser në jug të Rripit të Gazës, të cilin ushtria izraelite fillimisht e rrethoi dhe më pas e pushtoi, iu drejtua botës me fjalët: “Jemi zhgënjyer, ku është njerëzimi?”. Ushtria izraelite me ditë të tëra e ka mbajtur të rrethuar spitalin Nasser në Khan Younis, spitali i dytë më i madh në Gaza.

Forcat izraelite rrethuan zonën e spitalit me tanke dhe mjete të blinduara dhe vendosën snajperë në zonë. Forcat izraelite mbyllën spitalin për hyrje dhe dalje dhe mbajtën të rrethuar për ditë të tëra mijëra njerëz, përfshirë të zhvendosurit që ishin strehuar atje. Shumë njerëz që përpiqeshin të hynin ose të dilnin nga spitali u qëlluan dhe u vranë nga snajperët e vendosur në zonë.

Forcat izraelite bastisën spitalin më 15 shkurt dhe arrestuan shumë palestinezë, përfshirë stafin mjekësor. Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus njoftoi më 18 shkurt se Spitali Nasser nuk mund të ofrojë më shërbime.

Maghribi, një nga mjekët në Spitalin Nasser, rrëfeu përvojat e tij nën rrethim në një video që postoi në rrjetet sociale. Ai deklaroi se spitali ishte i rrethuar nga forcat izraelite për tre javë. “Nuk mund t’u jepja asgjë fëmijëve, hanim vetëm bukë, hanim vetëm një vakt në ditë, pse na zhgënjyet, ku është njerëzimi, nuk e di, ku është njerëzimi, pse na ndodhi kjo ne?” pyeti Magribi botën që i shikon ngjarjet në Gaza dhe nuk bën asgjë. Siç tha ai, përveç mungesës së ushqimit, ishte edhe ftohtë.

“Unë nuk e di se sa do të vazhdojë kjo (sulmet izraelite). Sa prej nesh duhet të vdesin për të ndaluar këto krime? Nuk e di. Nëse më dëgjoni, bëni diçka për të ndaluar këto krime kundër nesh, kundër popullit tonë”, shtoi Magribi. Në Rripin e Gazës që nga 7 tetori janë vrarë 29.092 palestinezë në sulmet izraelite.

Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjet, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid. Sipas Kombeve të Bashkuara, për shkak të ofensivës izraelite, 85 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës është zhvendosur brenda enklavës dhe përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose të shkatërruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne