Në përkujtim të myderrizit të shquar prizrenas Hafëz Abdullah ef. Telakut (1896-1943)

Nga Faik MIFTARI
U lind në Prizren në vitin 1896. Ishte djali i Hëzërit, i biri i Sylejman agë Telakut të shquar, e i cili njihej, gjithashtu edhe sipas emrit të babait të tij, hafëz Hëzër Telakut. Pas përfundimit të iptidaijes (shkollës fillore) vazhdoi ruzhdijen (gjimnazin), por për fat të keq nuk arriti ta përfundojë, sepse pas largimit të Perandorisë Osmane nga Kosova në vitin 1912, kjo shkollë qe mbyllur nga ana e pushtetit serb sikurse të gjitha shkollat tjera ekzistuese në Perandorinë Osmane.
Pas disa viteve, u regjistrua në medresenë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren, me ç’rast ndoqi mësimet tek myderrizët (profesorët) e shquar të kohës, sikurse që ishin hafëz Abdylaziz efendiu dhe hafëz Rrystem ef. Shporta. Krahas mësimit në medrese, hafëz Abdullah ef. Telaku ka mësuar edhe Kur’anin famëlartë përmendsh, ashtu që mori edhe titullin e çmuar hafëz i Kur’anit. Mësimet në medrese i përfundoi në vitin 1928 dhe mori ixhazetnamen (diplomën) tek myderrizi i shquar i kohës së tij, hafëz Nysret ef. Agallari. Përveç gjuhës shqipe, turke, serbe, e njihte edhe gjuhën arabe, si edhe gjuhën frënge. Derisa akoma ishte nxënës në medrese, u caktua imam në vitin 1925 në xhaminë e Arastës (Jakub bej Evrenoszades), detyrë të cilin e kreu deri në vitin 1930, kur u emërua ndihmës i myderrizit të tij në medresenë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren.
Në vitin 1935, pas emërimit në pozitën e myftiut të Prizrenit, të myderrizit të tij, hafëz Nysret ef. Agallarit, hafëz Abdullah ef. Telaku u emërua në pozitën e myderrizit të medresesë së Gazi Mehmed Pashës, të cilën detyrë do të kryente me shumë përkushtim deri në fund të jetës së tij në vitin 1943. Në pikëpamje politike, hafëz Abdullah ef. Telaku ka ndjekur vijën politike të Ferhat bej Dragës dhe organizatës politike “Xhemijeti”, e cila ishte një organizatë politike, si mundësi e vetme të organizimit politik shqiptar legal jashtë partive politike serbe, rreth së cilës ishte tubuar inteligjenca shqiptare myslimane. Në këtë aspekt, bashkëpunëtori i tij i parë ishte intelektuali dhe veprimtari i njohur politik, juristi dhe sekretar i përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame në Sarajevë në atë kohë, e më vonë anëtar i Organizatës Nacional-Demokratike Shqiptare në Kosovë, patrioti i shquar shqiptar Ibrahim ef. Lutfiu.
Hafëz Abdullah ef. Telaku me rastin e ceremonisë së inaugurimit të Fehim ef. Spahos në pozitën e Reis ul-Ulemasë të ish Jugosllavisë në vitin 1938, ishte caktuar që të lexojë tekstin e ”Menshuras” (Betimit) në gjuhën arabe, kurse në vitin 1939 derisa ishte i sëmurë Reisi i atëhershëm Fehim ef. Spaho, për një kohë të shkurtër e ka zëvendësuar në pozitën e udhëheqësit të besimtarëve mysliman në ish Jugosllavinë e atëhershme. Gjatë kohës së Shqipërisë në Kosovë(1941-1944) hafëzi, myderrizi, alimi, atdhetari, Abdullah ef. Telaku mori pjesë aktive në Kongresin Mysliman të mbajtur në Prizren në nëntor të vitit 1941 ku morën pjesë 51 imam, me ç’rast kryesoi Kongresin dhe u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit me qendër në Prizren.
Hafëz Abullah ef. Telaku ka qenë i martuar me zonjën Radije Ahmeti, me të cilin kishin katër djem e dy vajza, Abdylhadiu, Abdylmexhidi, Muhameti dhe Ahmeti, vajza, Fet-hija, ishte e martuar me djalin e hafëz Abdylaziz efendisë, Azizin, kurse vajza e dytë ishte Shemsije. Hafëz Abdullah ef. Telaku posedonte një bibliotekë shumë të pasur me libra dhe dorëshkrime të rralla. Pas vdekjes së tij, bashkëshortja e tij, zonja Radije e përmbushi amanetin e bashkëshortit të saj, me ç’rast i ka dhuruar të gjitha librat kutubhanes (bibliotekës) së medresesë së Gazi Mehmed Pashës në Prizren. Vlen të theksohet se një pjesë të kësaj biblioteke, fatmirësish, ruhet edhe sot e kësaj dite në bibliotekën e Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë. Përveç tjerash është e njohur se hafëz Abdullah ef. Telaku me rastin e vdekjes së myderrizit të tij hafëz Rrystem ef. Shporta e ka shkruar edhe nekrologun në kujtim të vdekjes së tij.
Hafëz Abdullah ef. Telaku ndërroi jetë pas një sëmundje të shkurtër, prej tuberkulozës, në vitin 1943 në Prizren në moshë mjaft të re, 47 vjeçare dhe është varrosur me nderime më të larta fetare e qytetare në varrezat Kuriçeshme të Prizrenit. Miku i tij nga Sarajeva, myderrizi(profesori) Fejzullah ef. Haxhibajriq, me të cilin mbante korrespondencë të rregullt, me rastin e vdekjes së tij ka shkruar përveç tjerash: “Ka qenë alim(dijetar) me dije të thellë dhe një njeri shumë i devotshëm, e këndonte shumë bukur Kur’anin dhe nuk doje gjë tjetër veçse ta dëgjoje hafëz Abdullahun duke lexuar Kur’anin. Ka qenë një kaligraf jashtëzakonisht i shkathtë. Ishte jashtëzakonisht xhymert( dorëshlirë), bujar dhe mikpritës. Ai nuk jetonte nga të tjerët, por jetonte për të tjerët. Si tregtar ishte shumë solidar, sikurse në çdo aspekt tjetër përmbahej rregullave të Sheriatit edhe në tregti. Kushdo që kishte vizituar Prizrenin, detyrimisht do të kishte qenë mysafir në konakun e tij”.
Lidhur me mikpritjen dhe bujarinë e hafëz Abdullah ef. Telaku nuk mund e të mos e cek edhe këtë rrëfim interesante që ka ndodhur. “Me një rast, haxhi Rexhep efendiu, myderrizi(profesori) me nam i medresesë së Opojës, e që ishte koleg dhe mik i ngushtë i hafëz Abdullah ef.Telakut, u nisë me kalin e tij nga Bresana(Brodosana) për të shkuar në një fshat të afërt për të vizituar një mik të tij. Por, rrugës duke ecur, kali i tij e merr udhën teposhtë drejt Prizrenit, dhe haxhi Rexhep efendiu nuk ia prishi drejtimin kalit të tij, i cili nisi të ec drejt Prizrenit, ndërroi mendjen aty për aty, dhe vendosi të shkoj të vizitojë kolegun dhe mikun e tij të nderuar hafëz Abdullah efendinë në Prizren. Në ndërkohë në Prizren, në ato çaste, hafëz Abdullah efendiu e porositë vëllanë e vet, Ismailin të shkoj të blejë mish tek kasapi (mishtore) dhe t’ua dorëzoj grave të shtëpisë, të përgatisin sarma për darkë, se do të vinte në konak haxhi Rexhep efendiu nga Opoja. Pas një kohe mbërrini në konak të hafëz Abdullah efendiut, haxhi Rexhep efendiu. Sikurse të ishin marr vesh me telefon, edhe pse në atë kohë nuk ka pas telefon, por të dy këta alim(dijetar), myderrizë(profesor), koleg dhe miq të ngushtë, janë kuptuar në distancë, pasi që të dy, me siguri, Allahu alem,( Allahu e di), kanë qenë evlija (të përafërt) të Zotit”./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne