Kancelari gjerman, Fridrih Mertz, e konsideroi “të papranueshme” planin e SHBA-ve për të përdorur fondet ruse të ngrira brenda Bashkimit Europian, duke refuzuar gjithashtu edhe parashikimin për shtimin e 100 miliardë dollarëve të tjerë nga Evropa.
Megjithatë, ai shprehu shpresën se do të ketë përparim në Gjenevë dhe i hodhi përgjegjësinë Rusisë për sulmet hibride të fundit ndaj infrastrukturës evropiane.
“Ky është një hap i papranueshëm,” tha kancelari në një intervistë për televizionin publik ARD, duke iu referuar propozimit të SHBA-ve që 100 miliardë dollarë nga asetet ruse të konfiskuara në Evropë të përdoren për rindërtimin dhe investimet në Ukrainë nën kontrollin amerikan, të cilët do të marrin më pas 50% të fitimeve të mundshme.
Kancelari Mertz theksoi se këto pika“sigurisht nuk mund të zbatohen pa miratimin tonë” dhe përmendi se aktualisht diskutimet fokusohen tek përdorimi i këtyre aseteve si kredi.
“Nëse kjo kredi jepet, ajo do të sigurohet nga Bashkimi Europian dhe më pas do t’i jepet Ukrainës si garanci, që të mund të vazhdojë të blejë armë. Por kjo nuk është diçka që prek drejtpërdrejt amerikanët. Prandaj, natyrisht, amerikanët nuk mund të kenë qasje në këtë shumë,” sqaroi ai, duke shtuar se “dhe kërkesa për të shtuar 100 miliardë të tjerë nga Evropa nuk është diçka që mund ta pranojmë.”
Megjithatë, Mertz shprehu shpresën se në Gjenevë, ku diskutohen edhe ndryshimet e propozuara nga evropianët, do të ketë përparim dhe disa pika të planit amerikan do të mund të formulohen në një mënyrë të pranueshme për të gjithë.
Ai përmendi gjithashtu një propozim të vetin, për të cilin nuk dha detaje të mëtejshme.
“Nuk mund dhe nuk dua të paragjykoj negociatat që po zhvillohen aktualisht në Gjenevë, por është e rëndësishme të shënohet përparim tani,” tha ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes se pse evropianët nuk kanë më shumë peshë në këtë negociatë, kancelari theksoi se Europa duhej të kishte mbështetur Ukrainën shumë më herët dhe më intensivisht.“Bëmë shumë pak dhe shumë vonë. Duhej të kishim bërë më shumë dhe më herët,”tha ai.
Mertz nënvizoi gjithashtu se “çdo ditë shohim sulme hibride nga Rusia” dhe përsëriti se Moska po përpiqet të shkatërrojë të gjithë rendin politik të kontinentit evropian.
“Shohim sulme hibride çdo ditë, ndaj infrastrukturës, rrjeteve tona të të dhënave. Ka pasur edhe akte sabotuese: më e fundit që pamë në Poloni, që synonte një lidhje të rëndësishme hekurudhore, tregon qartë përfshirjen ruse,” përfundoi kancelari gjerman./panorama
















