New York, tubime propalestineze dhe proizraelite në mes të përshkallëzimit të tensioneve

Disa qindra demonstrues propalestinezë u mblodhën në Times Square të New Yorkut në shenjë mbështetjeje për Palestinën, ndërsa në anën tjetër të rrugës u mblodhën dhjetëra mbështetës të Izraelit.

Mbështetësit propalestinezë marshuan në qendër të Manhattanit, ndërsa mbështetësit proizraelitë u mblodhën pranë konsullatës izraelite.

Demonstruesit brohorisnin me sloganet “Rezistenca është e justifikuar” dhe “Liri për Palestinën”, duke mbajtur flamuj dhe pankarta në mbështetje të Palestinës.

Në anën e kundërt të rrugës, grupi i demonstruesve proizraelitë mbante flamuj të Izraelit.

Disa mbështetës të dy palëve u përplasën verbalisht me njëri-tjetrin, por policia ndërhyri me shpejtësi për t’i ndarë.

Dhjetëra oficerë policie siguruan të dyja tubimet, të cilat përfunduan në mënyrë paqësore.

Guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, dënoi tubimin propalestinez, duke e quajtur atë “të pështirë dhe moralisht të neveritshëm”. Kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams, gjithashtu e quajti tubimin propalestinez “të neveritshëm”.

“Në kohën kur njerëz të pafajshëm po masakrohen dhe fëmijë po rrëmbehen në Izrael, është e neveritshme që ky grup ekstremistësh po tregon mbështetje për terrorizmin. Kjo është e papranueshme. Qyteti i New Yorkut e kundërshton këtë. Mos përdorni rrugët tona për të përhapur urrejtje”, tha Adams në platformën “X”.

Brigadat Al-Qassam të shtunën në mëngjes nisën një sulm të gjithanshëm ndaj Izraelit të quajtur “Tufani i Aksasë”. Mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, ndërsa grupe të armatosura hynë në vendbanimet në rajon.

Grupi tha se sulmi i tyre ishte në përgjigje të sulmeve izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës së shtuar nga kolonët.

Të paktën 700 izraelitë, përfshirë 73 ushtarë izraelitë, janë vrarë dhe më shumë se 2.300 janë plagosur nga sulmet, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore në Rripin e Gazës, duke vrarë më shumë se 430 palestinezë dhe duke plagosur të paktën 2.300 të tjerë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se do të përdorë të gjitha fuqitë e Izraelit për të shkatërruar Hamasin dhe “të hakmerret për këtë ditë të zezë”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne