Ministrat e jashtëm të Iranit dhe Irakut kërkojnë seancë të posaçme të OBI-së për Palestinën

Ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Irakut në një bisedë telefonike të dielën në mbrëmje shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në Palestinë, njoftoi qeveria iraniane.

Ministria e Jashtme në deklaratën e saj tha se Hossein Amir-Abdollahian dhe homologu i tij irakian Fuad Hussein diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në Palestinë në mes të përshkallëzimit midis grupit të rezistencës palestineze Hamas dhe Izraelit.

Të dyja palët, shton deklarata, “theksuan nevojën për koordinim dhe koherencë midis vendeve muslimane në mbështetjen” e kombit palestinez dhe kërkuan një sesion të posaçëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) për Palestinën.

Grupi i rezistencës Hamas me bazë në Gaza nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke lëshuar një breshëri raketash.

Si hakmarrje, ushtria izraelite bombardoi Rripin e Gazës, duke shembur shumë ndërtesa të larta të shtunën dhe të dielën.

Të paktën 700 izraelitë janë vrarë, ndërsa numri i të vdekurve nga pala palestineze është rritur gjithashtu në mbi 430, sipas shifrave të publikuara deri më tani.

Ministri i Jashtëm i Iranit, gjatë bisedës me homologun e tij irakian, pohoi se kombi palestinez ka “të drejtë legjitime për t’i rezistuar agresionit dhe okupimit”, vuri në dukje deklarata e ministrisë, duke shtuar se operacioni i fundit është një “përgjigje e natyrshme ndaj agresionit të vazhdueshëm” të Izraelit kundër Xhamisë Al-Aksa dhe populli palestinez.

Amir-Abdollahian bëri thirrje për “veprim të koordinuar dhe efektiv të vendeve islame për të ndihmuar Palestinën dhe për të ndalur sulmet agresive të regjimit sionist kundër grave dhe fëmijëve të Gazës dhe Bregut Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Më herët të dielën, presidenti iranian Ebrahim Raisi tha se Teherani mbështet “mbrojtjen legjitime të kombit palestinez”.

Ai u bëri thirrje vendeve muslimane që të mbështesin kombin palestinez, duke theksuar se shtypjës dhe padrejtësisë, fyerjeve ndaj grave dhe të burgosurve palestinezë dhe përdhosjes së Al-Aksasë “u ka ardhur fundi”.

Raisi pati gjithashtu telefonata të ndara me liderin e Hamasit Ismail Haniyeh dhe udhëheqësin e Xhihadit Islam Ziyad Nakhalah të dielën.

Udhëheqësi iranian i tha Haniyehs se “vendosmëria e fortë e kombit palestinez premton fitoren e tij përfundimtare” mbi Izraelin, raportuan mediat shtetërore.

Nga ana e tij, lideri i Hamasit përmendi përdhosjen e xhamisë Al-Aksa dhe mizoritë kundër besimtarëve palestinezë si arsyen kryesore për operacionin e fundit ushtarak.

Irani dhe Izraeli janë armiq të përbetuar dhe nuk kanë lidhje diplomatike që nga revolucioni iranian i vitit 1979. Të dyja palët kanë akuzuar shpesh njëra-tjetrën për sabotim dhe sulme të ndërmjetësuara./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne