Nga martirë të mbrojtjes së rendit, në gjahun e parë të krimit.

“Në Shënjestër”

Ata duhet të ishin siguria jonë. Duhet të ishin krenaria jonë. Rroba dhe arma që mbron rendin dhe integritetin fizik të gjithsecilit prej nesh.

Në luftë kundër krimit dhe në detyra të vështira të cilat ua ka ngarkuar jo vetëm ligji, por edhe një kod betimi që e kanë nënshkruar përpara se të veshin uniformën e nderuar të Policisë së Shtetit.

Por ndërsa një pjesë e mirë e kësaj organizate të rëndësishme në mbrojtje të qytetarëve kanë zgjedhur t’i përgjigjen në respekt dhe ndershmëri detyrës dhe misionit të ngarkuar, duket se nuk është kështu për një pjesë tjetër, e cila ka vendosur ta përdhosë pa kthim këtë uniformë.

Jo vetëm kaq, por t’i lerë një njollë turpi Policisë së Shtetit që do jetë e vështirë për t’u fshirë.

Duke shkelur kështu edhe mbi gjakun e shumë kolegëve që dhanë jetën në luftë kundër krimit, por edhe të shumë qytetarëve që kanë nevojë të besojnë te kjo uniformë dhe personaliteti i saj.

Në këtë dokumentar do të flasim pikërisht për inkriminimin e policisë së Shtetit ose më saktë atë pjesë të saj, e cila ndryshe nga rroba e respektuar e ruajtësit të rendit dhe sigurisë, ka zgjedhur të bëhet palë me krimin.

Një inkriminim i cili i ka rrënjët thellë në kohë. Që nuk njeh pushtet, por që është bërë gjithmonë e më i dukshëm në 10 vitet e fundit dhe sidomos gjatë qeverisjes së majtë.

Lidhja e uniformave të policisë me segmente të fuqishme të krimit është bërë gjithmonë e më dukshme, madje për të thënë tejet shqetësuese.

Po të vihet re, se si bandat kriminale kanë mundur të infiltrohen brenda Policisë së Shtetit dhe të rekrutojnë nga aty punonjës, por edhe zyrtarë të lartë të saj disa prej të cilëve tashmë vuajnë edhe dënimin me heqje lirie, për shkak të implikimit të tyre të provuar me këto banda.

“Në opinionin tim shkaqet kryesore pse një pjesë do të thoja e punonjësve të policisë ose më mirë të them një pjesë drejtuese e punonjësve të policisë së shtetit ka qenë e përfshirë në ngjarje dhe në aktivitet kriminal, përfshirë për fat të keq në krimin e organizuar dhe nëse do i referohemi historikut pas vitit 2013 fillon përzierja e punonjësve të policisë, një pjesë e tyre në shërbim të grupeve kriminale”, thotë ish-drejtuesi i Policisë Arjan Hoxha.

Por siç thamë kjo nuk është një histori që fillon me një forcë të vetme politike, edhe pse u bë më e dukshme gjatë rikthimit në pushtet të të majtëve në vitin 2013.

Ndërsa dukej se operacioni për çlirimin e Lazaratit nga kanabisi, dhe gjaku i efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, do të shërbente si fanar në luftën e mëtejshme për ta shkulur njëherë e mirë nga rrënjët këtë fenomen, duket se ky operacion masiv policor dhe shtetëror nuk shërbeu për gjë tjetër, vetëm për ta mbirë këtë farë në mbarë Shqipërinë.

Madje tashmë edhe me bekimin e punonjësve dhe zyrtarëve të lartë të policisë, të cilët dalëngadalë nisin të dalin në përgjime si të përfshirë kryesorë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Akuza për avionë me drogë që kalonin Shqipërinë dhe përfundonin në Itali, të cilat nisën të lëshoheshin nga foltorja e parlamentit. Siç ishte replika e fortë në parlament në atë kohë midis deputetit Sali Berisha dhe kryeministrit Rama, i cili avionët me drogë të kallëzuar nga opozita i cilësonte mushkonja me drogë në mendjen e tyre.

Por ndërsa debati kishte kulmuar deri lart në Kuvend, midis maxhorancës dhe opozitës, emra të përveçëm zyrtarësh policorë nisën të lakoheshin gjithmonë e më shumë si të lidhur me grupet kriminale që po kanabizonin me shpejtësi vendin.

Emra, të cilët filluan të bëheshin gjithmonë e më të dukshëm edhe në kronikat e mediave përtej Adriatikut. Krahas kapjes së tonelatave me drogë që vinin nëpërmjet avionëve të vegjël nga Shqipëria, njoftonin edhe për arrestimin e zyrtarëve policorë shqiptarë, të implikuar direkt në këtë trafik.

Siç ishte edhe rasti i Vladimir Zanaj që në vitin 2013 ishte emëruar shef i burimeve njerëzore në Policinë e Vlorës.

I njëjti, i cili në vitin 2015 u arrestua nga policia italiane dhe ajo shqiptare, pas një aksioni kundër një grupi që transportonte drogë me avion të vegjël nga qyteti i Vlorës drejt Riminit.

Zanaj ishte përjashtuar nga radhët e policisë në vitin 2007, në dyshimet për përfshirje në bandat kriminale, ndërkohë që emri i tij u denoncua në atë kohë edhe nga opozita, që e cilësonte atë si kreun e bandës së trafikut të drogës me avion.

Në atë kohë në pranga ranë 14 persona, midis të cilëve siç e tha edhe vetë zyrtari i policisë së Vlorës, Vladimir Zanaj.

Siç doli edhe nga përgjimet, kujdesej vetë për parcelat e drogës, me qëllim që ato të mos dëmtoheshin nga kolegët.

Pas mbërritjes së policisë te parcelat e drogës, Sokol Lamaj telefonon oficerin e policisë, Vladimir Zanaj, duke e pyetur se me kë duhet të fliste. Ndërsa oficeri i thotë se do të interesohet ai vetë.

Zanaj: Mirë vëlla, ça bën ti?

Sokol: Po kush më ka vajt për atje?

Sokoli: Kush është atje lartë? Ajo rakia.

Zanaj: Te puna. Nuk e kam idenë. Jam te puna tani.

Sokol: Këtu te Vrioni, këtu poshtë.

Zanaj: S’po kap dot këtë që kam andej lartë.

Sokol: Leje, s’ke çe do më.

Sokol: Mos u mundo më, ka mbaruar ai muhabet.

Zanaj: Çfarë thua ore. Mirë, se do flasim bashkë po hajt.

Siç shikohet, ky përgjim për parcelat me kanabis në fshatin Ramicë të Vlorës, tregonte fare qartë implikimin e zyrtarit të policisë.

Por Vladimir Zanaj nuk do të ishte as i vetmi dhe as i fundit punonjës policie në këtë sipërmarrje kriminale.

Ajo që do të pasonte më pas do të ishte edhe me tronditëse.

Hetimet dhe përgjimet treguan se të paktën në zonën e Vlorës, do të ishte pothuaj e gjithë kupola drejtuese e policisë e përfshirë në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.

Një nga këto grupe kriminale ku u pa qartë përfshirja e kupolës së policisë, ishte edhe ai i Habilaj.

Një organizatë e investuar në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike me bazë në Vlorë, por me lidhje të fuqishme me segmente të mafias në jugun e Italisë.

E cila, siç rezultoi edhe më pas, do të bashkëpunonte ngushtë edhe me drejtues të policisë në Vlorë, të cilët sikurse doli edhe në përgjime, i krijonin mundësinë kësaj organizate, jo vetëm të vazhdonte e qetë kultivimin e kanabisit në Shqipëri, por edhe ta transportonin mallin përtej Adriatikut, pa u shqetësuar nga strukturat e policisë, qofshin ato në terren apo edhe ato kufitare në det.

Madje shpesh, sikundër doli edhe më pas, duke fikur transponderët në det, me qëllim që gomonet e mbushura me kanabis, të kalonin pa lënë gjurmë në radarët e policisë kufitare.

Një nga këto raste, tashmë i bërë publik, është edhe ai i drejtuesve të lartë të policisë së Vlorës që sot gjenden pas hekurave të qelisë si të lidhur me grupin kriminal të Habilajve. Ata janë Jaeld Çela, ish drejtues i policisë së Vlorës në vitet 2015-2016.

Gjergj Kohila, ish-shef i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar.

Si edhe Sokol Bode, ish-drejtor i Postës në Dhërmi.

Personi që shfaqej në foto në të njëjtën tavolinë me Florian dhe Moisi Habilaj. Ky i fundit i arrestuar në Itali për trafik droge, tashmë në kërkim prej këtyre autoriteteve, pas arratisjes së tij nga banesa ku ndodhej në arrest shtëpie, në pritje të vendimit final të gjykatës. Zyrtarë të policisë që duhet të ishin aty për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, por që në fakt u bënë vetë pjesë e kësaj sipërmarrje. Një sipërmarrje të cilën opozita e kohës e cilësoi edhe si lidhja e policisë së shtetit me krimin. Një lidhje kjo, sipas tyre, e sponsorizuar fuqishëm edhe nga qeveria.

Procesit hetimor të zyrtarëve të policisë, iu bashkua në të njëjtën çështje edhe ajo ndaj Ministrit të Brendshëm në vitet 2013-2017, Saimir Tahiri. I cili edhe ky vetë pas një hetimi nga SPAK dhe një procesi të gjatë gjyqësor, të ndjekur në sallën e gjyqit nga amerikanët, sot ndodhet pas hekurave, duke vuajtur dënimin prej 3 vite e 6 muaj, në akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Pas publikimit të lidhjeve të tij me grupin e Habilajve, që cilësoheshin ndryshe edhe si kushërinjtë e ministrit të Brendshëm të kohës, Saimir Tahiri.

Duke u bërë kështu Ministri i parë i Brendshëm, i cili dënohet me vendim të formës së prerë, nga një gjykatë e dalë, nga produkti i asaj që sot njihet si reforma e re në drejtësi. Por arrestimi i këtyre zyrtarëve të lartë të policisë dhe vetë Ministrit të Brendshëm, të cilësuar nga kryeministri Rama si ministri i tij më i suksesshëm i të gjithë kohërave, nuk do ta ndalte implikimin e policisë së Shtetit në kultivimin e lëndëve narkotike, por edhe në ngjarje të tjera kriminale. Që siç do ta shikoni edhe më poshtë, flet për një shkallë të gjerë të përfshirjes së saj në akte të shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit.

Inkriminimi i policisë që nuk del të jetë vetëm në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Por edhe në atë të armëve dhe shpesh përfoljen se efektivë të dalë nga radhët e Policisë, janë përdorur edhe në ngjarje të rënda kriminale.

Kjo për shkak të eksperiencës së tyre në polici, por edhe përgatitjes së lartë që ata kanë , si edhe lidhjeve që mbajnë ende brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Remal Rada, 39 vjeç, ishte dikur një efektiv i forcave elitë të RENEA-s. Ai u arrestua më 22 korrik 2022, nga policia e Tiranës, ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij. Në brendësi të mjetit iu gjet një arsenal i pafund armësh, midis të cilëve edhe një snajper i modifikuar me rreze qitje deri në 2 mijë metra. Ndërkohë që bashkë me të u arrestua edhe një shtetas me precedentë të shumtë penalë, i njohur si Elton Hithi, 28 vjeç. Por përse këta efektivë të policisë, zgjedhin të lenë punën në polici dhe ti bashkohen elementëve kriminalë?

A është fitimi ai që i bashkon, apo filtrimi i tyre që në momentet e para kur i janë bashkuar Akademisë së Rendit nuk është bërë në mënyrën e duhur. Jeton Lami, është një tjetër efektiv i policisë i dyshuar si i lidhur me krimin. Ai mbulonte në Policinë e Shtetit, pozicionin e ndihmës specialistit në Skuadrën Operacionale. Por njëkohësisht me këtë detyrë të rëndësishme, ai duket se mbante lidhje edhe me segmente të fuqishme të krimit të organizuar.

Siç rezultoi më pas, lidhja e tij me grupin e Ervis Martinaj, dhe vetë “Mbretin e Bixhozit”. Një grup i cili përflitej shpesh për lidhjet e forta që kishte në polici, por që deri në ndalimin e Jeton Lamit, këto zëra kishin mbetur vetëm të tillë. Lami u arrestua më 23 gusht 2022, në zyrën e shefit të tij, në Drejtorinë Operacionale.

Pas provave të pakundërshtueshme  të lidhjes së tij me Ervis Martinaj, i cili, siç tashmë dihet, rezulton i zhdukur që nga 10 gushti 2022, në rrethana ende të paqarta. Ajo që e fundosi efektivin Lami dhe lidhjen e tij me Ervis Martinaj, ishin pamjet filmike në shoqërinë e njëri-tjetrit, vetëm disa ditë para se Martinaj të denoncohej i zhdukur.

Pamje të regjistruara në hyrjen e një hoteli në Durrës, të transmetuara ekskluzivisht nga emisioni ‘Në shënjestër’, të cilat nuk lanë asnjë mëdyshje për grupin hetues lidhur mbi rolin e Jeton Lamit, si shoqërues i Ervis Martinaj.

Gjatë kohës që ky i fundit ishte në kërkim nga policia, por arrestimi i Jeton Lamit, jo vetëm që konfirmoi lidhjet e krimit me pjesëtarë të rrobës së Policisë së Shtetit, por tregoi njëkohësisht se sa i thellë ishte tashmë ky inkriminim. Dhe se sa në brendësi të kësaj organizate kishin hyrë bosët e krimit në Shqipëri. Por Jeton Lami, siç edhe u dokumentua nuk shërbente vetëm si shoqërues dhe ndihmës i Ervis Martinaj.

Gjatë hetimeve rezultoi se ai ishte edhe personi i fundit që takoi Brilant Martinaj dhe shokët e tij, para se këta të fundit të ekzekutoheshin, mesditën e 17 Korrikut 2022, mbi urën e Fushë-Krujës.

Sipas dinamikës tashmë të ndërtuar të krimit, ditën e ngjarjes, Martinaj dhe dy shokët e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, u takuan fillimisht me Jeton Lamin pranë një lokali të njohur në zonën e Fushë-Kuqes. Ku Martinaj i kërkoi Lamit, ta shoqërojë me makinën e tij, deri në një servis në Kamëz, aty ku kishte lënë për riparim automjetin e tij.

Transport të cilin agjenti i Forcës së Posaçeme Operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, thuhet se e bëri me makinën e tij tip Audi A8. Me të cilën edhe i ktheu në vendin ku i mori, tre të rinjtë, të cilët vetëm pak minuta më pas do të ekzekutoheshin në një pritë të mirë-organizuar.

Makina, me të cilën udhëtonte Lami, që rezultoi të ishte e njëjta, me të cilën po ai vetë, shoqëroi Ervis Martinajn, natën e 5 gushtit 2022, në Durrës. Vetëm disa ditë para se ky i fundit të raportohej i zhdukur, por ndërsa këta të ashtëquajtur zbatues ligji, kanë zgjedhur rrugën e gabuar për tu afirmuar, të tjerë drejtues apo punonjës policie kanë dhënë jetën në luftën kundër krimit.

Duke u kthyer në martirët e rendit dhe të sigurisë. Shumë më ndryshe se ata që e përlyen këtë rrobë.

Ndërkohë që politika, e cila duhet të qëndrojë diametralisht larg policisë, nuk ka bërë gjë tjetër, vetëm se të kundërtën, duke futur duart në radhët e policisë sa herë ia ka lypur nevoja.

Duke e shkatërruar këtë organizatë dhe duke lënë jashtë saj edhe drejtues apo efektivë që kishin luftuar me krimin, por që pas përjashtimit nga radhët e policisë, u kthyen në gjahun e parë të krimit.

Njëri prej tyre fatkeqësisht sot nuk jeton. I ekzekutuar nga grupet kriminale thjesht dhe vetëm se kishte zbatuar ligjin.

Por lista e policëve renegatë në radhët e saj, është shumë më e gjatë se kaq dhe nuk përfundon me një emër të përveçëm. Florenc Bicerri është një tjetër efektiv i policisë, i cili zgjodhi të ndiqte një rrugë tjetër ndryshe nga ajo çfarë i mësonte profesioni. Ai u arrestua më 15 Tetor 2022, në një parkim kamionësh pranë njërit prej aeroporteve të Stambollit. Bashkë me 2 shqiptarë të tjerë, të identifikuar si Kujtim Çeliku, një ish-komando dhe Ardian Qirici.

Sipas policisë së Shtetit, Bicerri la aeroportin e Rinasit, më 5 Tetor 2022, për t’iu drejtuar Turqisë. Florenc Bicerri, tashmë i arrestuar në Turqi, ka dalë nga Shqipëria, nëpërmjet Rinasit, më datë  5 Tetor 2022.

Për këtë punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit.

Por edhe pse Florenc Bicerri u përjashtua përjetë nga strukturat e policisë, a është kjo mënyra për të pastruar mollën e kalbur nga kjo organizatë. Renato Feri është një tjetër efektiv i policisë i cili u përjashtua së fundmi nga radhët e saj.

Ai shërbente si efektiv i Policisë Rrugore në Tiranë dhe ishte djali i një zyrtari në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndalimi i tij u krye pasi në makinën me të cilën udhëtonte jo vetëm nuk iu bind urdhërit të kolegëve për të ndaluar, por gjatë momentit të kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike.

Por në gjithë këtë mori të gjatë efektivësh në detyrë të përzier me krimin, nuk mungojnë edhe ata të cilët kishin dalë nga radhët e policisë dhe që tashmë ishin pjesë e organizatave kriminale.

Rasti më konkret është ai i Santiago Malkos, një ish-efektiv i Patrullës së Përgjithshme së Policisë. I cili pasi ishte përjashtuar nga radhët e policisë si i përfshirë në disa ngjarje, kishte vendosur ti shërbente krimit.

Ai njihej si mik i Ervis Martinaj dhe ishte pjesëmarrës në përplasjen e armatosur që ndodhi në lokalin Monopol më 4 Tetor 2018 në ish-Bllok.

Ngjarje ku humbi jetën miku i tij Fabiol Gaxha, ndërsa mbeti i plagosur edhe vetë Ervis Martinaj, ndërsa humbi jetën në një atentat më 27 gusht 2019, në zonën e Kinostudios në kryeqytet.

Mirsad Kuçana ishte një tjetër efektiv policie i përfshirë në ngjarje kriminale.

A ishte pjesë e strukturave të policisë që nga viti 2009. Kohë, kur përfundoi Akademinë e Policisë, deri në vitin 2019, ku punonte si efektiv policie në patrullën e përgjithshme në Drejtorinë e Policisë Qarku Durrës.

A ishte tërhequr nga shërbimi policor, 6 muaj para se të bëhej pjesë e një ngjarje të rëndë, të ndodhur në parkingun e një lokali në Linzë.

Atë të vrasjes së Elton Nikës. Ngjarje kjo e ndodhur më 11 nëntor 2015. Aty ku doli në pah lidhja dhe miqësia e tij me Ervis Martinaj.

Edhe ky protagonist në këtë ngjarje. Por pavarësisht se Ministria e Brendshme ka nisur prej disa vitesh një Vetting brenda radhëve të policisë, duket se ky proces ka stopuar.

Gjë e pranon edhe vetë zv/ministri i Punëve të Brendshme e e cilëson këtë proces tejet të ngadaltë.

Gjë që e tregojnë edhe numrat e pakët të verifikimeve të figurës dhe pastërtisë në radhët e Policisë së Shtetit.

“Kryesisht procesi ka pasur ritme që mund të themi të ngadalta ose jo ato ritme që fillimisht ishte menduar që do të kishte. Nga komisioni i jashtëm i vlerësimit i cili deri në momentin e ndryshimeve të fundit të ligjit të vitit 2022 ishte në funksion të punës së tij, janë shqyrtuar 152 subjekte nga 300 subjekte gjithsej dhe është përfunduar procesi i vlerësimit kalimtar vetëm për 66 prej tyre. Në këto vendime 51 subjekte janë konfirmuar në detyrë, 6 subjekte janë përjashtuar, 10 subjekte kanë dhënë dorëheqjen, 1 subjekt nga policia e shtetit ka dalë në pension dhe 2 subjekte nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është dhënë vendimi për të kaluar në një trajnim më të thelluar”, ka thënë Andi Mahila, zv/Ministër i Brendshëm.

Po për ish-drejtuesin e policisë, Arjan Hoxha, problem nuk janë thjesht teknikalitetet që duhen ndjekur për të kryer “Vettingun” brenda policisë, por mungesa e dëshirës për ta bërë një gjë të tillë.

Ose një gjueti shtrigash, siç përfundojnë gjithmonë procese të tilla, sa herë politika futet në lojë.

Por nëse ka një diskutim që mbetet i hapur është a duhet vazhduar Vettingu në radhët e policisë?

Dhe pse ky proces që nisi në krye të herës u ndërpre?

Ndërkohë që siç shikohet edhe nga kjo tabelë e siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, numri i efektivëve të larguar nga detyra, të paktën për vitin 2022, mbetet i lartë. Ndërsa nuk bëhen të ditura arsyet e këtij përjashtimi të tyre, arsye të cilat mbahen të rezervuara nga kjo drejtori.

Ku rezulton se viti më problematik të ketë qenë ai 2017, që rezulton edhe në një bum të prodhimit të kanabisit në vend.

Si edhe të përfshirjes së efektivëve të policisë në krime të natyrës së kultivimit të lëndëve narkotike. Teksa numri i përjashtimeve nga radhët e policisë, vihet re sërish në rritje, në vitin 2022, me 111 raste, pas disa vitesh rënie të këtij numri.

Për zv/ministrin e Brendshëm, Andi Mahila, shkaku pse procesi i nisur i vettingut brenda organizatës së policisë, mbeti i papërfunduar ka disa arsye,

Por ajo që mbetet thelbësore është fakti se në heshtje duket të mos ketë pasur një dakordësi për kalimin në procesin e pastrimit, të nivelit të lartë drejtues. Çka mund të shkaktonte një tërmet në kupolën e lartë të Policisë së Shtetit. Ajo që mbetet edhe më e përfolura në lidhjet e saj me segmente të krimit të organizuar.

Por tashmë pyetja kryesore afërmendsh është a mund të ketë fshesë në drejtësi, pa pasur edhe në polici? A mund të jetë një drejtësi e kuruar, ndërkohë që ende në radhët e policisë, ka elementë që dëmtojnë në vazhdimësi punën e saj.

Si mund të ketë një Vetting në drejtësi dhe të mos ketë në Polici, kur policia është ajo që mbledh provat? Procesi i Vettingut në polici, ndaloi në mënyrë edhe të kuptueshme, nuk munguan tentativat nga drejtues të ndryshëm të Policisë së Shtetit, që ta kryen pastrimin e radhës së policisë, edhe në mënyra të tërthorta.

Siç ishte edhe nisma që mori, drejtuesi i parafundit i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, për kryerjen e testit të drogës në radhët e policisë.

Provim ku ngelën me dhjetëra efektivë të policisë. Proces që ashtu edhe si të tjerët në vazhdim, duket se u ndërpre në mënyrë të qëllimshme, pas rezultateve shokuese që prodhuan testimet në ditët e para. Çka provoi faktin që një pjesë e organizatës së Policisë nuk ishin vetëm të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike, por ishin edhe vetë përdorues të këtyre lëndëve.

Ndërsa ky laborator eksperimental duket i kyçur për momentin, askush nuk mund të thotë se si do të bëhet pastrimi i policisë nga elementët që dëmtojnë imazhin e saj. Cila është metoda për të kthyer besimin e humbur të qytetarëve te kjo organizatë?

Dhe a do të kemi një ditë një Polici Shteti që nuk do të përfolet më për lidhje me krimin???/BW/TPZ

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne