Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Andi Bushati

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë.

Në një përpjekje të gjatë për të treguar se e ka përthithur thelbin e “flamingove të bulevardit”, Edi Rama e ka humbur krejtësisht shënjestrën. Teza kryesore e “paktit të besës” me qytetarët ka qenë se duhet ta ndryshojë katërcipërisht qeverisjen dhe PS-në, pasi përgjatë tre mandateve Rilindja na ka dhuruar një Shqipëri aq të transformuar, sa bashkë me të ka revolucionrizur edhe pritshmëritë e publikut.

Njerëzit falë nesh nuk mendojnë më të keqen më të vogël, por kërkojnë: “ka dhe më mirë”. Ne e futëm vendin në “epokën e pritshmërive”, tha pak a shumë ai, duke shpallur se protesta gati dy mujore mbylli një periudhë dhe hapi një tjetër.

Për të argumentur idenë e tij se “sukseset” e udhëheqjes së tij e kanë ngritur stekën e kërkesave, ai bëri një enumercion të gjatë të transformimeve të qeverisjes 13 vjeçare: reformën në drejtësi që po dënon zyrtarë të lartë; varrosjen e kohës së radhave në sportele për çertifikata; rikthimin e dritave që dikur as nuk paguheshin dhe ndryshimin e qëndrave të qyteteve.

Po ta dëgjoje, të dukej sikur po përjetoje një “deja vue” të Sali Berishës, në fund të pushtetit, në 2013. Edhe ai fliste për 12 mijë KM rrugë, bashkimin e kombit përmes një autostrade, ruajtjen e financave në sfondin e një krize ekonomike globale, heqjen e vizve dhe anëtrësimin në NATO. Por pavarësisht nga këto, me plot “1 miljonë shuplaka”, votuesit i thanë mjaftë më. Sepse kur është boll, është boll.

Në këtë pikë ka mbërritur edhe Rama sot, njërëzit janë të ngopur, të lodhur, të neveritur me këtë autokrat të plakur.

Kjo duket më së miri në slloganet më pikante të protestës: “Ju erdhi fundi”, “Rama jepe dorëheqjeeeeeen” dhe kërkesën për një “Shqipëri të re”.

Por, kjo ligjësi, sa e natyrës po aq e politikës, për të qenë në kërkim të së resë, nuk është fabula që sot po rënon Edi Ramën. Ai ose nuk ka kuptuar asgjë, ose thjesht manipulon me thelbin e mesazhit të atyre mbi 100 mijë njerëzve, që u derdhën në bulevard dhe e qindra mijra të tjerëve që i mbështetën nga larg. Ata nuk janë thjeshtë të velur nga stanjacioni, të ngopur nga arritjet, të mërzitur nga ritmet jo aq të larta të zhvillimit. Jo, jo dhe jo!

Thelbi i këtij revolucioni është krejt i ndryshëm. Në vend që të vidhet më pak, ata kërkojnë përmbysjen e një sistemi ekonomik. Në vend të reflektimit hipokrit, ata kërkojnë një qeverisje që mos i ndajë pasuritë kombëtare në 4-5 duar. Në vend të shifrave të sukseseve, ata kërkojnë më shumë shance të barabarta. Në vend të një pushteti të personalizuar, ata kërkojnë më shumë liri në vendimarrje. Në vend të hosanave për një lider global, që herë shitet si kandidat për kryesimin e Natos, herë si negociator për të pajtuar Turqinë me Greqinë, e herë si një akrobat që na futi në Bordin e Paqes, duan një administrator të përunjur e me fytyrë njerëzore, pa çarter privat e pa vera 33 mijë euroshe.

Ata kërkojnë një terren të ndershëm konkurimi politik, pa kryetarë partish që vendosin gjithçka, pa vende pune që i përcaktojnë patronazhistët, pa bashibozukë që kërcënojnë arsimtarët: “Po s’na votuat ne, mos u paraqisni të hënën në punë”.

Ata kërkojnë një ashansor social, ku karierrat ti vendosë suksesi dhe shkollimi dhe jo modelet e promovuara nga krimi, si Sara Mile e Zeqineja.

Kjo është ëndrra për Shqipërinë e re. Ajo e një modeli katërcipërisht të kundërt, nga ai që Edi Rama ka aplikuar gjatë kësaj dekade. Në thelb ajo është një lëvizje armiqësore me trashigiminë e Ramës. Prandaj të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë./lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

1 thought on “Një prerje në besë e Shqipërisë së re”

  1. Lëvizja nuk është një parti, sepse ata nuk ndjehen të lidhura me asnjë forcë specifike doktrinare dhe me asnjë dogmë tradicionale sepse refuzojnë të sigmatizojnë dhe të zbresin në kufijtë e ngushta dhe artificiale të një programi që smund të prek të gjithë rrymat e ndryeshme dhe shumë formash mendimesh që lëvizja ka. Por fuqia e lëvizjes dhe nevoja e veprimit kërkojnë një fusion ma të madh dhe një dispilinë në veprimtarinë e tyre. Lëvizja nuk është kundër traditave të mira e të lavdishme të së shkuarës shtetërore të shqiptarëve, ajo është kundër një shteti të degjeneruar e një kryeministri të pa aftë e abuziv me shtetin e kombin.
    Të rrinjëve fati u ka caktuar një detyrë me shumë rëndësi, prej tyre e vetëm prej tyre do varet e ardhmja e kombit. E ardhmja u përket të fortëve e të ndershmëve. Le të dinë të jenë të tillë, me ndërgjegje të sigurtë dhe me këmbëngulje e guxim qytetarësh. Shpirti dinjitoz është ajo forcë që eleminon të keqen që ka zënë rrënjë në shqipëri. Problemet kryesore të lëvizjes janë lëvizja dhe shteti, lëvizja dhe rregjimi, lëvizja dhe demokracia popullore.Lëvizja është një mobilizim i madh i forcave lëndore e shpirtërore, ajo kërkon të qeveris kombin për të siguruar madhështinë shpirtërore e lëndore të popullit shqiptar

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne