Njerëzit flenë në çadër, rilindja në charter

Nga Ermir Gjinishi

Dhimbje, lot, zhgënjim. Ky është trishtimi i kësaj dite, një vit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Banorët e pastrehë po kalojnë dimrin e dytë jashtë, bashkë me rrezikun e kovidit mbi shpinën e kërrusur nga premtimet e gënjeshtërta të një sekti gënjeshtarësh. Bilanci i tërmetit ishte katastrofik. 51 viktima, 913 të plagosur, 200 mijë banorë pa strehë, 90 mijë banesa të pabanueshme, 11 mijë të dëmtuara. Nën sëmundjen e vetëkrekosjes paranojake, kryerilindasi deklaroi se në shtator të gjitha shkollat do të ishin të përfunduara dhe në fund të 2020-ës gjitha banesat e ndërtuara. Klishetë e monologjeve boshe të ERTV-së kanë vlerën citimit latin: Avantazhi i budallait është se ai është gjithnjë i kënaqur me veten.

MASHTRUES! Njeriu që para një viti premtoi se pikërisht sot, të gjithë banorët do të kishin shtëpitë e reja, fluturoi me charter dhe na la në dorë një video dopiogjashtë. Shkeli pabesisht kujtimin e 51 viktimave që fjetën për të mos u zgjuar më nën rrënojat e betonit vrastar të sekto-rilindjes. Jeta e njeriut është gjëja më pavlerë në defterët e mafio-rilindjes. Kryerilindasi dhe tufa e tij me maska, mashtron të gjallë e të vdekur. Mashtrimi është serumi i këtij sekti ogurzi që vendit i solli vetëm mjerim, varfëri, braktisje dhe vdekje.

Sot, megjithëse më shumë se 4,000 shqiptar kanë mbetur pa shtëpi, 12,000 familje në çadra dhe 13.365 të tjera me qera, Kryehaqimi i qeverisë së oligarkëve, pa ja ndjerë, poston video e foto si të jetë duke pozuar për revista Play Boy. Striptizmi i tij politik është kartolina e shërbimeve për oligarkët dhe kamxhiku i mjerimit të popullit.

DEMAGOGJI! Tërmeti nxorri zbuluar videot 3D me rezolucion që poston kryedemagogu nga bunkeri i tij. 90% e stacioneve të sizmiologjisë në gjithë vendin ishin pa burim energjie rezervë, ndërsa Departamenti i Sizmiologjisë nuk kishte fonde për studime shkencore. Vetëm pas një muaji Instituti i Sizmiologjisë pranoi zyrtarisht se lëkundjet ishin të magnitudës 6.4 të shkallës richter, dhe zgjatën rreth 1 min.

Kaosi post-tërmet tregoi se autoritetet përkatëse kishin mungesë eksperience dhe ekspertize. Logjistika dhe mjetet operative specifike mungonin, ndërsa punonjësit e kërkim-shpëtimit përfunduan nëpër gomosteritë aty pranë për të adaptuar mjete shpëtimi ndihmëse. Më keq se kaq, nga 51 viktima, afro gjysma e tyre (24 vetë) humbën jetën pasi ishin rifutur në banesa pas lëkundjeve të shtatorit, ndërsa institucionet e shtetit, në shkelje flagrante të ligjit, nuk i ndaluan. Ky ishte krimi më i rëndë në këtë fatkeqësi.

Për muaj të tërë tërmeti nuk është përmendur në leksikun infantil të qeverisë megjithatë, Kryeqeveritari ynë gjithnjë gjen kohë mjaftueshëm të sulmojë opozitën me demagogji njëlloj si në fletë-rrufetë e kohës së etërve. Qenia puniste nuk jeton dot pa armiq. Ajo i krijon edhe kur nuk ekzistojnë.

E KORRUPRUAR! Kjo është damka e sekto-qeverisë në të gjitha raportet ndërkombëtare. Plani për rindërtimin është kthyer në një aferë korruptive. Vetëm në Durrës, tenderi për rindërtimin e 667 objekteve i është dhënë një kompanie e cila “rastësisht” është pronë e një ish-kryetari bashkie të rilindjes, ndërsa objektet e kategorisë DS4 i janë dhënë një dore të vetme. Papërmendur këtu abuzimet e pafundme në kategorizimin e objekteve, sidomos DS4 dhe DS3 dhe dëmshpërblimet e dhëna deri në mënyrë fiktive militantëve partiakë. Si nuk u lodhën duke vjedhur as në kohë morti. Njerëz të dehumanizuar.

Interesi publik për 8 vite nuk ka qenë prioritet i sekto-rilindjes. Termat kohorë mbi procedurat e rindërtimit, pas të cilave qeveria mundohet të fshehë vonesën dhe korrupsionin e saj galopant, nuk vlejnë për investimet PPP. Ndryshe nga projekti i rindërtimit, në rastin e incenetarorëve mafio-qeveria rilindase brenda një dite mori 14 vendime për xhepat e kompanive Offshore.

FAJTOR! Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për t’i bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë thotë Aristoteli. Për mafio-rilindjen ajo rrugë nuk ekziston. Ka një vullnet politik që krimi të mos zbardhet, Asnjë i dënuar deri tani për atë masakër urbane. Nuk do të ketë. Ndërtuesit janë oligarkë të sekto-rilindjes, firmëtarët dhe cerifikuesit yzmeqarë, ndërsa drejtësia vegël në duart e tyre. Reforma për drejtësi ka dështuar në mënyrë spektakolare. Me shpresën se do t’ia hedhë, mafjo-rilindja ka harruar efektin e matricës mitike të Platonit: Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që e vuan atë.

Dënimi më i madh në jetë është të lejosh disa njerëz të qëndrojnë në jetën tënde më shumë se sa e meritojnë. Shqiptarët në çadra, rilindja në charter. Me gjithë këto turbulenca 8 vjeçare sekto-rilindja dhe ithtarët e saj nuk do të gjejnë vend ku të ulen më 25 prill./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne