Numërimi për tërheqjen e YPG/PKK-së përfundon të martën në mbrëmje

Të martën në mbrëmje, kur do të përfundojë pauzimi 120-orësh i operacionit antiterrorist turk, sytë e të gjithëve do të jenë në kufirin Turqi-Siri.

Pas bisedimeve me zyrtarët e lartë amerikanë, më 17 tetor Turqia njoftoi për një ndërprerje të shkurtër të operacionit “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë për të lejuar tërheqjen e forcave terroriste të YPG/PKK-së nga zona e sigurt e planifikuar.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe nënpresidenti amerikan Mike Pence në takimin e mbajtur në Ankara ranë dakord për një zonë të sigurt prej rreth 30 kilometrash në jug të kufirit të Turqisë me Sirinë, ku Ankaraja zyrtare dëshiron të akomodojë më shumë se tre milionë refugjatët që aktualisht i strehon.

Krahas marrëveshjes me SHBA-të, terroristët e YPG/PKK 36 herë kanë kryer të shtëna provokuese në veri të Sirisë, njoftojnë nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Turqisë.

Nga Ministria e Mbrojtjes thanë se janë neutralizuar gjithsej 765 terroristë të YPG/PKK, përfshirë përfaqësues të lartë, gjatë fushatës antiterroriste të Turqisë në veri të Sirisë.

Duke theksuar se Turqia ka çliruar gjithsej 111 vendbanime në veri të Sirisë, përfshirë distriktet Ras al Ayn dhe Tel Abyad, nga ministria thanë se një zonë prej 1.500 kilometrash katrorë është shpëtuar nga grupi terrorist.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja dëshiron të pastrojë rajonin në lindje të Eufratit në Siri nga organizata terroriste PKK dhe dega e saj siriane YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.

Turqia vazhdimisht ka kërkuar nga SHBA-të që të zbatojnë premtimet në bazë të marrëveshjes.

Presidenti Erdoğan tha se nëse SHBA-të shkelin marrëveshjen, Turqia me vendosmëri do të vazhdojë operacionin e saj në veri të Sirisë.

“Nëse premtimet që i janë dhënë Turqisë nuk mbahen ashtu si në të kaluarën, ne do të vazhdojmë operacionin pas pauzimit”, theksoi ai.

Në fazën e ardhshme të zgjidhjes së konfliktit, presidenti turk të martën do të takojë homologun e tij rus në qytetin Soçi./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne