Një grup i bamirësisë ka thënë të martën se ushtria izraelite kreu një sulm ajror ndaj punëtorëve të tij në Gazë, duke i vrarë së paku shtatë persona, përfshirë disa të huaj. Kuzhina Qendrore Botërore, një grup i bamirësisë i themeluar nga kuzhinieri i famshëm Jose Andres, tha të martën se shtatë punëtorët e vrarë janë nga vende si, Australia, Polonia, Britania e Madhe, si dhe një me shtetësi amerikano-kanadeze.
Ky grup tha se do ta pezullojë menjëherë punën në këtë rajon. Sipas tij, punëtorët ishin duke i shpërndarë ndihmat e nevojshme ushqimore që kishin mbërritur në Gazë përmes detit të hënën, kur u goditën në mbrëmje. Izraeli ka thënë se është duke e hetuar këtë incident. Ushtria izraelite shprehu “pikëllim të sinqertë” për vdekjen e punëtorëve, por nuk e pranoi përgjegjësinë. Vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar këtë muaj të dërgojnë ndihma humanitare edhe përmes detit në Gazën e rrënuar nga lufta.