OKB: Planet e Izraelit për Gazën e pasluftës kundër zgjidhjes me dy shtete

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se plani i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për Gazën e pasluftës është kundër zgjidhjes me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës.

“Ne padyshim që i kemi parë ato raporte. Së pari dhe më e rëndësishmja, vlen të përsëritet, se ne bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar përsëri, një akses më të madh humanitar dhe një lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të pengjeve”, u tha Stephane Dujarric gazetarëve në New York.

Ai kujtoi se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres nënvizoi dhe përsërit se “çdo zgjidhje e qëndrueshme për paqen afatgjatë duhet të jetë në kuadrin e një zgjidhjeje me dy shtete, përfundim të pushtimin dhe krihimin e një shteti palestinez plotësisht të pavarur, demokratik, të plotë, sovran dhe të qëndrueshëm, pjesë integrale e të cilit është Gaza në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat përkatëse të OKB-së dhe marrëveshjet ekzistuese dypalëshe”.

Komentet e zëdhënësit Dujarric erdhën pasi Netanyahu i propozoi kabinetit një plan për kontroll të plotë të pakufizuar të sigurisë izraelite mbi Gazën dhe mbylljen e agjencisë UNRWA si pjesë e planit të tij kur të përfundojë lufta në Gaza. “Unë do të shtoja gjithashtu se ne mbetemi shumë të shqetësuar për retorikën e vazhdueshme, planet dhe përpjekjet që po minojnë punën e UNRWA-së”, tha Dujarric.

Ai theksoi se plani “shkon kundër gjithçkaje që ne shpresojmë, që e shpresojmë për popullin e Gazës dhe të jem i sinqert, kundër mundësinë që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe, krah për krah”. Izraeli pushtoi Rripin e Gazës në vitin 1967 dhe në 2005 u tërhoq në mënyrë të njëanshme, në atë që u bë e njohur si “Plani i Shkëputjes”, i cili u vu në veprim më 15 gusht 2005 dhe përfshinte evakuimin e të gjitha vendbanimeve dhe kolonëve nga enklava drejt territorit izraelit.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas. Lufta izraelite që pasoi ka vrarë më shumë se 29.500 njerëz dhe ka shkaktuar shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave elementare. Rreth 70 mijë njerëz janë lënduar. Rreth 1200 izraelitë besohet të jenë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa mbi 200 u morën në Gaza si pengje.

Sipas OKB-së, lufta izraelite në Gaza ka bërë që 85 për qind e popullsisë së territorit të zhvendoset mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne