Osmani: Të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venecias t’i zbatojmë në planet aksionare

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, organizoi sot një brifing me gazetarët për sesionin e konkluzave të Komisionit të Venecias lidhur me përdorimin e Ligjit për gjuhët, duke theksuar se me definimin e fundit të këtij ligji u arrit balanci në marrëdhëniet maqedono-shqiptare.

Osmani rikujtoi se Komisioni i Venecias është një organ këshillimor i Këshillit të Evropës, i cili përfshin përfaqësues të pavarur nga 60 vende, përfshirë 47 nga Këshilli i Evropës dhe 13 vende të tjera.

Ai tha se Ligji për gjuhët rrjedh nga Marrëveshja Kornizë, për të cilën ai tha se ishte inkorporuar në ndryshimet kushtetuese në vitin 2001, më saktësisht nga neni 7 paragrafi 5 i Kushtetutës, i cili thotë se në organet e administratës shtetërore përdorimi i gjuhëve zyrtare të ndryshme nga maqedonishtja do të rregullohen me ligj, me çka Kushtetuta jep të drejtën e legjislacionit për të rregulluar çështjen e gjuhës zyrtare, gjegjësisht gjuhën shqipe në organet e administratës shtetërore.

“Çdo tentim për zhvendosje të njëanshme të balancit në marrëdhëniet maqedono-shqiptare që është arritur me shumë mund, me shumë sakrificë nga dy anët që sot të flasim për shtet funksional multietnik, do të hap rrethin magjik dhe spiralen e cila plotësisht do të na largojë nga rruga në të cilën jemi nisur”, tha zëvendëskryeministri Osmani.

Duke shpjeguar se çfarë nënkupton zhvendosje e njëanshme, ai ka thënë se çfarëdo tentimi, për shembull nëse gjykatësit kushtetues maqedonas mbivotojnë gjykatësit kushtetues shqiptarë, apo Ministria e Drejtësisë pa pëlqim nga Qeveria, nëse Kuvendi pa pëlqim edhe të përfaqësuesve të bashkësive etnike, nëse kushdo tjetër në shtet nëse tenton një çështje më senzitive t’i qaset njëanshëm, siç tha, “e thyen boshtin në të cilin mbahet balanci i raporteve maqedono-shqiptare në shtet”.

“Çdo qasje duhet të jetë inkluzive dhe këtë e konstaton Komisioni i Venecias se nuk guxon të ketë asnjë tentim për zhvendosje të atij balanci, njëanshëm, ose pa pëlqim të të gjithë bashkësive etnike, pasi ajo është bazë e Marrëveshjes së Ohrit përmes shumicës së dyfishtë, ose përmes Badenterit”, ka thënë Osmani në pres konferencën e sotme.

Duke komentuar vendimet e Komisionit të Venecias, Osmani ka thënë se “aq sa është e rëndësishme gjuha, aq është i rëndësishëm edhe shteti juridik”.

“E ndajmë qëndrimin se nuk guxon asnjë lëndë të jetë viktimë e kapaciteteve të papërfunduara. Fokusi duhet të jetë në ndërtimin e shpejtë të kapaciteteve edhe në gjyqësi, administratë, pastaj të gjejmë mënyrë se si asnjë lëndë, të çfarëdo lloji, të mos jetë viktimë e kapaciteteve të papërfunduara në gjyqësi. Lidhur me bankënotat do të duhet përsëri të ulemi inkluzivisht dhe të shohim si të zbatohet kjo konkluzë e Komisionit të Venecias”, ka thënë Osmani.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Osmani ka thënë se Komisioni i Venecias nuk është supermarket ku ju mund të blini një produkt, ndërsa tjetrin të mos e blini.

“Komisioni i Venecias thotë – po, ka vështirësi në gjyqësi për shkak të mospasjes së kapaciteteve, por thotë – po mund të përdorni dygjuhësinë në bankënota. Dhe ju nuk mund të hapni debat për gjyqësinë, ndërsa të mos hapni për bankënotat. Komisioni i Venecias nuk thotë të hidhet poshtë dygjuhësia në gjyqësi”, ka thënë Osmani.

Ai ka shtuar se nëse ka zhvendosje të njëanshme të atij balanci nënkupton se nuk ka pse të mbahen ato marrëdhënie, pra kthim prapa para sjelljes së Marrëveshjes së Ohrit dhe hapje të debatit për të.

Osmani ka thënë se ligji është zgjidhje kompromisi, balanci është arritur dhe si Qeveri dhe shtet të bëjmë plan aksionar me qëllim të lehtësojmë implementimin.

“Të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venecias t’i zbatojmë në planin aksionar dhe në krijimin e kapaciteteve. Ky është qëndrimi që sot e ndaj dhe konsideroj se ajo është zgjidhje më e mirë”, ka thënë Osmani./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne