Palestinezët gërmojnë puse në mes të mungesës alarmante të ujit nga sulmet izraelite në Gaza

Rripi i Gazës së rrethuar, i cili është nën sulme të pamëshirshme izraelite që nga 7 tetori i vitit të kaluar, po përballet me një mungesë alarmante të ujit për shkak të sulmeve të vazhdueshme dhe bllokadës së plotë të vendosur nga forcat izraelite.

Banorët e Gazës, të cilët kanë luftuar për muaj të tërë për të pasur ujë të pastër, tani po gërmojnë puse duke përdorur çdo mjet të mundshëm që kanë në dispozicion.

Kampi i refugjatëve Al Shatti, i vendosur në pjesën perëndimore të qytetit, është goditur veçanërisht rëndë nga kriza. Pa një burim të përhershëm uji, banorët e kampit u detyruan të gjejnë mënyra alternative për të plotësuar nevojat e tyre bazë.

Pasi konfliktit nuk i shihet fundi, situata dita ditës po bëhet më kritike. Banorët palestinezë të kampit, kryesisht gra dhe fëmijë, presin të lodhur dhe të etur, me shpresën për të gjetur një burim uji të pastër.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

 

Të paktën 36.800 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe mbi 83.600 të tjerë janë plagosur. Tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne