PAS DY VITESH NGA AGRESIONI: ÇFARË FITUAN ARMIQTË E GAZËS DHE KUNDËRSHTARËT E SAJ?

Behar Kaceli

Kur palestinezët ndezën shkëndijën e “Tufanit të Aksasë” më 7 tetor 2023, askush nuk mund ta kishte imagjinuar se kjo ngjarje do të riformësonte ekuilibrat e konfliktit arabo–cionist dhe do ta vendoste Izraelin dhe aleatët e tij rajonalë e ndërkombëtarë përballë një prove ekzistenciale shumëdimensionale, si: ushtarake, të sigurisë, morale dhe strategjike.

Pas dy vitesh nga lufta më e ashpër që ka parë shekulli, e shoqëruar me rrethim, uri dhe masakra që nuk kursyen as fëmijët, as spitalet, as kishat, shumëkush pyet,

-a fitoi Izraeli dhe aleatët e tij, apo korrën të kundërtën e asaj që mbollën?

1. Izraeli: nga imazhi i “ushtrisë që nuk mposhtet” te dilema e ekzistencës.

Ajo që Izraeli përfitoi nga kjo luftë, në thelb, ishte një varg humbjesh dhe ekspozimesh të njëpasnjëshme.

Ushtarakisht dhe në aspektin e sigurisë: u trondit imazhi i “frikës absolute”, dhe sistemi i mbrojtjes izraelite dështoi në testin e parë të vërtetë brenda vendbanimeve përreth Gazës.

Njësitë e rezistencës depërtuan në thellësi të territoreve të pushtuara dhe imponuan një realitet të ri psikologjik me mesazhin: “Askush nuk është i sigurt.”

Brenda vendit: lufta e thelloi përçarjen shoqërore midis ekstremit të djathtë dhe laikëve. besimi në udhëheqjen e Netanyahut dhe në aparatet e sigurisë u rrëzua, mijëra kolonë emigruan, treguesit ekonomikë ranë ndjeshëm, dhe tensionet sociale u rritën.

Moralisht: imazhi i Izraelit, veçanërisht pas masakrave dhe urisë në Gaza, u vu në bankën e të akuzuarve në çdo forum ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Termat si “gjenocid” dhe “nazizëm sionist” nuk janë më vetëm fjalë të aktivistëve arabë, por janë bërë pjesë e fjalorit të mediave dhe universiteteve perëndimore.

2. Amerika: humbja e hegjemonisë morale mbi rendin botëror.

Administrata e Bidenit kishte vënë bast mbi një luftë të shkurtër që do të shkatërronte Hamasin dhe do të forconte rolin e Izraelit si aleat kyç në përballjen e Uashingtonit me Kinën dhe Rusinë. Por ndodhi e kundërta.

Humbja e besueshmërisë morale, mbështetja e hapur amerikane ndaj krimeve në Gaza si në planin diplomatik, ashtu edhe në atë ushtarak, nxori në rrugë miliona të rinj amerikanë, sidomos në universitete, dhe rihapi plagët e racizmit dhe diskriminimit në politikën e jashtme amerikane.

Kriza me aleatët: Evropa u përça, vende si Spanja, Irlanda dhe Belgjika refuzuan të ndjekin verbërisht politikën e mbështetjes së pakushtëzuar për Izraelin, ndërsa Afrika e Jugut ngriti padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ngjitja e fuqive kundërshtare: anshmëria e verbër amerikane përshpejtoi krijimin e një blloku ndërkombëtar kundër hegjemonisë perëndimore, të përbërë nga Rusia, Kina dhe vendet e Jugut Global, që kërkojnë një rend botëror më të drejtë.

3. Aleatët rajonalë të Izraelit: dilema e normalizimit dhe e bashkëpunimit të zbuluar.

Nga Emiratet në Bahrein, e nga Maroku në Egjipt, boshti rajonal i “normalizimit” përjetoi një tronditje të thellë.

Zbulimi i tradhtisë: opinionit publik arab dhe islamik nuk i duhen më prova, popujt panë me sytë e tyre qeveritë e tyre të heshtin përballë masakrave, të ndalojnë protestat dhe të presin zyrtarët izraelitë në kulmin e gjenocidit.

Dështimi i strategjisë së “paqes ekonomike”: të gjitha shpresat mbi projekte si “Neom”, “Harku i Paqes” apo “partneritetet e gazit” u shuan nën raketat e Tufanit, dhe u shemb iluzioni i “vdekjes së çështjes palestineze”.

Rritja e zemërimit popullor: në Jordani, Egjipt, Tunizi e Liban, rrugët u mbushën sërish me demonstrues që, pavarësisht shtypjes, thërrasin për xhihad e çlirim dhe akuzojnë regjimet për tradhti, një shenjë e ndryshimit strategjik të humorit publik arab.

4. Nga fitimet te kostot: përmbysja e ekuilibrit të narrativës.

Basti kryesor i armiqve të Gazës ishte shkatërrimi i narrativës palestineze dhe njollosja e rezistencës me etiketa si “terrorizëm” dhe “kërcënim ekzistencial”. Por ndodhi e kundërta:

Triumfi i rrëfimit palestinez: videot e drejtpërdrejta, dëshmitë e viktimave, zërat e fëmijëve dhe deklaratat e “Ebu Ubejdes” u kthyen në simbole botërore që sfidojnë makinerinë mediatike perëndimore.

Ngjitja e “rezistencës morale” përballë mizorive të sionizmit, rezistenca arriti të ruajë imazhin e “luftëtarit të ndershëm”, duke rikthyer debatin global mbi “të drejtën për të rezistuar ndaj pushtimit”.

Rënia e legjitimitetit të forcës: opinioni publik global është bindur se ajo që ndodh në Palestinë nuk është “konflikt”, por kolonializëm gjakatar që mohon vetë ekzistencën e tjetrit.

5. Humbje pa betejë?

Disa mund që mendojnë se lufta nuk e zhduku Izraelin dhe as nuk solli një fitore ushtarake për rezistencën, por e vërteta më e thellë është se Izraeli, Amerika dhe regjimet aleate humbën në një fushë që nuk matet me tanke, por me legjitimitet, legjitimitetin e ekzistencës, të narrativës dhe të hegjemonisë.

Gaza fitoi betejën e ndërgjegjes, rrëzoi maskën e fuqisë nga fytyra e pushtuesit, dhe tregoi se e vërteta nuk mund të shuhet me bomba.

Në fund, gjithçka që arritën forcat e agresionit përmes dy vitesh masakrash ishte më shumë izolim moral, shkatërrim i brendshëm dhe hapja e pyetjeve ekzistenciale për të ardhmen e të gjithë rendit rajonal dhe ndërkombëtar.

Nga: Tarik ez-Zumer./fb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq