Pazari politik që ka lënë në rrugë besimtarët muslimanë të Tiranës

Proverbi i vjetër që këshillon se “nuk mbahet shtëpia me miell borxh” i shkon plotësisht për shtat historisë së Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë. Vepra u projektua për t’i garantuar mijëra besimtarëve kryerjen me dinjitet të riteve për çdo festë fetare kur janë bashkë, për të mos i lënë në rrugë dhe sheshe, siç ka ndodhur prej vitesh. Por ende po ndodh e kundërta.

Edhe sot, si çdo vit mijëra njerëz dolën në shesh për të kryer ritet fetare, jashtë një objekti kulti. Fatmirësisht koha qe e mirë, por nuk kanë munguar rastet kur besimtarët kanë qëndruar në shi për të falur ritet e tyre.

Pamjet vijnë në kontrast me festat e tjera fetare, kur besimtarëve katolikë apo ortodoksë u është garantuar një objekt i denjë kulti në mes të Tiranës. Ndërkohë muslimanët ende falen në qiell të hapur.

Siç tregojnë fotot më lart, edhe këtë vit, mijëra besimtarë muslimanë u falën në në qiell të hapur në sheshin Skëndërbej për Kurban Bajram.

Xhamia peng i politikave të Erdogan

Xhamia e Namazgjasë, një nga më të mëdhatë në Ballkan është gati prej vitesh, por qeveria turke nuk e dorëzon. Tetë vite më parë, Rexhep Taip Erdogan erdhi vetë në Tiranë që të vendoste tullën e parë dhe kreu inaugurimin me një ceremoni pompoze.

Por atëherë askush nuk e kishte menduar se në këmbim të dorëzimit të godinës, ai do të kërkonte caktimin e drejtuesve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Duket se Erdoganit nuk i pëlqejnë drejtuesit aktualë, pasi sipas tij vijnë nga shkollimi gylenist. Për të shprehur mospëlqimin, mban peng xhaminë e Namazgjasë në Tiranë.

Refuzimin për drejtuesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, “sulltani” e shfaqi edhe në vizitën e fundit në Shqipëri, kur inauguroi restaurimin e xhamisë së Et’hem Beut.

Në inaugurim nuk u ftua asnjë përfaqësues i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndërsa në fjalimin që mbajti aty, Erdogan lëshoi një mesazh që tingëlloi si kusht për Xhaminë e Namazgjasë.

“Uroj dhe dëshiroj që shumë shpejt mbase deri në muajin e Ramazanit ta kemi zgjidhur edhe problemin e xhamisë së Namazgjasë”, tha ai në Janar të vitit 2022. “Problemi” në këtë rast do të ishte emri i pasuesit të Skënder Bruçajt. Nëse pasuesi nuk do të kishte pëlqimin e Erdoganit, atëherë xhamia nuk do të hapej.

Më herët gjatë asaj dite, kishte qenë akoma më i drejtpërdrejtë me qeverinë shqiptare kur i kishte kërkuar dorëzimin e gylenistëve dhe mbylljen e shkollave dhe bizneseve të tyre në vendin tonë.

Por ndërsa Rama ia pranoi kërkesat, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nuk iu përgjigj siç donte ai. Madje ish-kreu i KMSH, Skënder Bruçaj foli me tone të ashpra pas kushtëzimit që i bëri Erdogani dorëzimit të Xhamisë së Namazgjasë.

“Xhamia është një objekt kulti. Nuk mund të bëhet pjesë e asnjë pazari politik. Nuk mund të bëhet pjesë e asnjë strategjie kombëtare të një shteti të huaj për të rritur ndikimin. Është një objekt kulti, ku bëhen lutje ndaj Zotit, është një objekt që duhet të jetë larg këtyre polemikave.

Më vjen keq që është bërë pjesë e këtyre polemikave xhamia e Namazgjasë, që është një ëndërr e të gjithë shqiptarëve prej shumë dekadash. Askush nuk ka të drejtë që këtë ëndërr ta shtyjë ose ta përdorë për qëllimet e veta politike” – shprehej në atë kohë Bruçaj.

Me largimin e tij nga drejtimi i Komunitetit u zgjodh kreu i ri, Bujar Spahiu. Edhe me këtë, Turqia nuk e pëlqen. Prandaj ende nuk e ka dorëzuar xhaminë.

Ajo që bie në sy është heshtja e qeverisë shqiptare. Duke mos qenë nën presion nga myslimanët, kryeministri Edi Rama ka një marrëdhënie të shkëlqyer politike dhe personale me presidentin e Turqisë. Sa herë ka zgjedhje në njërën anë apo në tjetrën, të dy shkëmbejnë favore për t’i ardhur në ndihmë njëri-tjetrit. Pra, vetë Rama i ka rregulluar punët me Erdogan. Në anën tjetër kryeministri nuk ndjen asnjë presion nga besimtarët myslimanë që detyrohen të falen çdo vit në shi apo në diell./Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne