Bujqësia tradicionale, vitet e fundit, po formësohej në biznese të organizuara nga prodhimi, grumbullimi, përpunimi dhe eksporti, por një projektligj i qeverisë për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore pritet të konkurrojë sektorin, sidomos në punësim dhe në sipërfaqen e tokës.
Sot, bujqësia po vuan për punonjës, teksa tokat e lira po “zaptohen” nga bizneset e paneleve diellore dhe tani kërkesa do të rritet më tej nga kultivuesit e kanabisit. Por kur vjen puna te leverdia ekonomike, ekspertët e bujqësisë ndahen në dy grupe.
Tashmë është fakt që Shqipëria ka njohuri të thelluara në kultivimin e kanabisit që tregtohet në të zezë. Si për bimët e tjera, toka shqiptare siguron prodhim cilësor dhe gjatë gjithë vitit, edhe për kanabisin. Në të njëjtën kohë, kërkesa për kanabis mjekësor është në rritje të fortë, për shkak të përdorimit të gjerë për qëllime mjekësore, por edhe në tregun e zi.
Sipas parashikimeve të “Market data Forecast”, vlera globale e kanabisit për qëllime mjekësore pritet të arrijë nga 16,4 miliardë më 2022, në rreth 46 miliardë USD deri në vitin 2027. Vendet kudo në botë kanë shtuar përpjekjet për legalizimin e kultivimit dhe përdorimit për qëllime mjekësore, por bizneset që kanë hyrë në këtë fushë po ndeshen me vështirësi.
Alban Çakalli, fermer që ka njohuri të thelluara për kultivimin e kulturave të rralla bujqësore thotë se, nëse shteti arrin të kontrollojë kultivimin e kanabisit siç e parashikon ligji, me gjasë do të fitojë nga taksimi i produktit, por nëse ndodh si në Maqedoninë e Veriut, prodhimi do të trafikohet në të zezë dhe do të përfitojnë vetëm kultivuesit.
Z. Çakalli thotë se bujqësia tradicionale aktualisht po vuan nga mungesa e punonjësve dhe hapja e serrave me kanabis do të reduktojë edhe më tej forcën punëtore në fshat dhe sipërfaqen e tokës në zonat më prodhuese të vendit.
Kultivimi i kanabisit, në mënyrë ligjore, po rezulton kudo një biznes i vështirë edhe në vendet e përparuara. Këtë vit, kërkesa në tregjet ndërkombëtare pritet të rritet prej legalizimit të përdorimit të kanabisit për qëllime rekreative në shtetet e New York dhe New Jersey në SHBA, por nga ana tjetër, çmimet janë në tendencë ulje nga legalizimi i prodhimit dhe efektet negative nga lufta në Ukrainë.
“Jemi shumë të ekspozuar në një treg ku presionet e çmimeve me shumicë janë në rënie” – është shprehur Morgan Paxhia, bashkëthemelues i Poseidon Asset Management, i cili ka investuar në kompanitë e kanabisit që nga viti 2014.
Indeksi i kompanive që kultivojnë kanabis në SHBA ka pësuar rënie këtë vit, edhe pse tregu po zgjerohet. Shpesh kompanitë e ligjshme përdorin tregun e zi për të mbajtur të ardhurat nën kontroll.
Qeveria shqiptare ka struktura të dobëta të rendit dhe të sigurisë për të siguruar kontroll, siç parashikon projektligji për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, që nga importi i farës, licencimi i kultivuesve, rrethimi dhe kontrolli i sipërfaqeve të mbjella, laboratorëve etj. Edhe pse kultivimi dhe tregtimi i kanabisit aktualisht është vepër penale, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin raportoi se në vitin 2022, Shqipëria renditej e 7-ta në botë për prodhimin dhe shpërndarjen e kanabisit.
Çdo ditë e më shumë, shtetet kudo në botë po legalizojnë kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, pasi Covid-19 la një barrë të lartë të sëmundjeve, sidomos atyre mendore që po trajtohen nga nënproduktet e kanabisit.
Por vendet që e kanë legalizuar nuk po mund të kontrollojnë tregun e ligjshëm nga ai i paligjshëm. Kështu ndodhi edhe në Maqedoninë e Veriut, që para disa vitesh legalizoi kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Eksperti i ekonomisë nga Maqedonia e Veriut, Abil Baush, thotë se, “nga një sektor që do të sillte 100 milionë euro të ardhura në buxhet me qindra të punësuar, përfunduam me 2 milionë euro shitje të vajit të kanabisit në vit dhe me shumë pak të punësuar në këtë sektor”.
Kompanitë që mbollën i kanë depot të mbushura me lulet e kanabisit, pasi ata me ligj duhen të eksportojnë vetëm vaj. Investimet për laboratorin e vajit kërkojnë më shumë se 5 milionë euro dhe vetëm një nga 60 kompanitë që e morën licencën, arriti të prodhojë vaj sipas kërkesave të ligjit.
Burime të tjera nga Maqedonia e Veriut, pohuan se shumë prej kompanive që prodhuan kanabis në mënyrë të ligjshme e shitën në tregun e zi, që të mbulonin shpenzimet e kultivimit. Shembulli më i afërt tregon se, kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore në vende ku lulëzon tregu i zi e ka të vështirë mbijetesën. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe bizneset e licencuara në vende të tjera.
Ilir Pilku, ekspert në sektorin bujqësor thotë se, kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore është 12-46 herë më fitimprurës se drithërat, 4-17 herë më shumë se rrushi i verës, 4-14 herë më shumë se ulliri, por ai tha se kjo do të ishte efikase vetëm nëse shteti do të ngrejë të gjithë infrastrukturën shtetërore për menaxhimin e kultivimit të kanabisit dhe kontrollin e rreptë në të gjitha proceset.
Presionet mbi tregun e ligjshëm
Para pak ditësh, qeveria shqiptare miratoi një projektligj për Kontrollin e Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit dhe nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale përmes subjekteve të licencuara dhe nën mbikëqyrjen e Agjencisë Kombëtare që do të ngrihet për këtë qëllim.
Shqipëria hyn në tregun e ligjshëm, duke ju bashkuar rreth 40 shteteve në të gjithë botën që e kanë lejuar tashmë, me përvojë dhe me një forcë pune të kualifikuar për shkak të dominimit që ka në tregun e zi.
Mirëpo kultivuesit e ligjshëm të kanabisit, pavarësisht perspektivës në rritje të tregut, po ndeshen me vështirësi. Kultivimi në mënyrë të ligjshme kalon në një proces ligjor shumë të rregulluar dhe me kosto për kompanitë.
Gjithashtu duhen shumë investime në laboratorë dhe shpesh bimët nuk përmbushin kriterin mbi substancën rekreative (THC—së) që mund të rezultojë mbi kriteret e kompanive farmaceutike. Dështimet bëjnë që prodhimi i ligjshëm të rrjedhë në tregun e zi, si dhe në rastin e Maqedonisë së Veriut që ishte e para në Europë, e cila lejoi prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Nga ana tjetër, çmimet e kanabisit mjekësor ishin në ulje dy vitet e fundit. Të dhënat nga raporti europian për kultivimin e kanabisit të ligjshëm tregojnë se në vitin 2022, një kilogram kanabis për qëllim mjekësore kushtoi 2150 euro nga 2600 euro në vitin 2021.
Këtë vit ka një stabilizim me trend rritje të lehtë, për shkak të legalizimit të përdorimit në shtete të tjera në SHBA. Ekspertët e tregut pohojnë se në dekadën e ardhshme, tregu i kanabisit të ligjshëm do të rritet për shkak se industria farmaceutike është duke shtuar përdorimin e tij dhe, nga ana tjetër, shumë shtete janë duke e lejuar përdorimin për qëllime rekreative.
Çmimet e tregut global ranë rreth 25% në vitin 2022, ndërsa stoqet e kanabisit pësuan gjithashtu rënie të përgjithshme prej 60%. Lufta në Ukrainë goditi ndjeshëm prodhimin e kanabisit, edhe si rrjedhojë e rrezikut të madh që mbart në vetvete ky lloj investimi dhe, nga ana tjetër, inflacioni i lartë frenoi konsumin e produktit.
Fermerët: Kanabisi do të konkurrojë bujqësinë
Fermeri Çakalli thotë se kultivimi i kanabisit do ulë sasinë e prodhimeve bujqësore. Sipas projektligjit të miratuar nga qeveria, “licenca e aktivitetit të kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose serra.
Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë”. Më tej, ligji përcakton se sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë, në rang kombëtar.
Sipërfaqja e mbjellë në serra, sipas të dhënave zyrtare, ishte rreth 1800 hektarë në vitin 2021. Zoti Çakalli thotë se, 200 hektarë janë një sipërfaqe e madhe dhe bizneset do të tentojnë të investojnë në zonat prodhuese të vendit – Fier, Lushnjë dhe Berat për shkak të rendimentit të lartë.
Nëse investitorët e kanabisit do të përqendrohen në këto zona do të shndërrohen në konkurrues të fortë të fermerëve të perimeve, si në sipërfaqe toke dhe në punonjës.
Punësimi në sektorin bujqësor shënoi rënie vjetore me rrethe 4% në tremujorin e parë 2023, kryesisht prej rrjedhjes së fuqisë punëtore nga fshati drejt emigracionit ose drejt sektorëve të tjerë në qytet.
Zoti Çakalli hedh dyshime për përfitimet, duke dhënë shembullin e Maqedonisë së Veriut. “I kam ndjekur me detaje zhvillimet e legalizimit të kanabisit në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2017. Atje u premtua se shteti do të përfitojë mbi 120 milionë euro në vit nga taksat dhe kontributi në punësim.
Realisht, deri vitin e kaluar, ka përfituar vetëm 2 milionë euro. Kanabisi në Maqedoninë e Veriut prodhohet, por shitet në të zezë. Kompanitë deklarojnë sikur malli nuk ka shitje dhe është asgjësuar, ndërkohë që shitet në tregun e zi. E njëjta gjë do të ndodhë dhe këtu”, dyshon z. Çakalli.
Mirëpo fermerët nuk janë tërësisht kundër kultivimit ligjor të bimës. Ata pohojnë se për këtë duhet të ndiqet shembulli i Italisë, e cila i ka dhënë ushtrisë një leje për kultivimin e kanabisit. Ushtria italiane po shfrytëzon disa toka të varfra për kultivimin e bimës dhe në të njëjtën kohë, po rrit të ardhurat, duke ulur varësinë nga financimet buxhetore.
Fermeri Çakalli thotë se, do të ishte mirë që kanabisi i ligjshëm të mbillet në qarqet e varfra malore të vendit, ku ka toka të lira që nuk mbillen dhe njëkohësisht ka njerëz me njohuri në kultivimin e bimës.
Fermeri thotë se nëse zbatohen rregullat fiton shteti, por nëse nuk zbatohen siç i kërkon ligji, del i fituar ai që e kultivon dhe humbet bujqësia tradicionale. Rendimenti i kanabisit në serra do të jetë shumë i lartë. Te ne mund të prodhohet në 12 muajt e vitit dhe me cilësi e lartë prej orëve diellore.
Projektligji për kanabisin, qeveria e prezanton pa bilancin e përfitimeve
Në mbledhjen e datës 16 qershor 2023, qeveria e Shqipërisë miratoi ligjin për legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, teksa drafti u propozua që në fillim të mandatit të tretë qeverisës të Kryeministrit Edi Rama.
Në ndryshim nga projektligjet e tjera, ai i legalizimit të kanabisit nuk u shoqëria me një relacion ku zakonisht trajtohen përfitimet që i vijnë vendit apo sektorit ku do të veprojë ligji.
Kriteret për licencën
Sipas projektligjit, licenca për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore mund të përmbajë veprimtaritë e mëposhtme:
-Kultivimin, prodhimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore, transportimin e farërave, bimëve dhe produkteve e nënprodukteve të kanabisit dhe eksportin e bimëve, produkteve dhe nënprodukteve të kanabisit për qëllime mjekësore.
Licenca jepet për një ose disa veprimtari për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi me kërkesë për secilin nga aktivitetet. Formati i licencës për ushtrimin e aktiviteteve të lidhura me prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë. Licenca jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e patransferueshme dhe e patjetërsueshme.
Komisioni i Licencimit jep ose refuzon miratimin paraprak, brenda 3 muajve. Licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose serra.
Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.
Kërkuesi, për t’u pajisur me licencë, paguan në momentin e paraqitjes së kërkesës një tarifë e cila është e pakthyeshme. Masa e tarifës, procedura dhe mënyra e përdorimit të kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Çdo 3 vjet, kushtet e licencës rivlerësohen nga Agjencia, e cila, nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor.
Kriteret për përfituesin
Çdo person juridik, që kërkon të pajiset me licencë për kultivimin e kanabisit mjekësor, duhet të ketë përvojë 3-vjeçare në të paktën 3 nga aktivitetet kryesore, si prodhimi, kultivimi dhe qarkullimi i bimës së kanabisit për qëllime mjekësores, sipas projektligjit.
Subjekti ose një aksioner i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, për të paktën 5 vite dhe të jetë zotërues i praktikave të mira të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat për të paktën 3 vite. Duhet të ketë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100 000 000 (njëqind milionë) lekë.
Ndër të tjera, duhet të përcaktojë, në mënyrë taksative, aktivitetin apo aktivitetet për të cilat kërkon të licencohen. Duhet të paraqesë njësitë në të cilat do të zhvillojë aktivitetin me koordinata, si dhe marrëdhënien juridike me tokën.
Duhet të ketë një plan të detajuar biznesi, duke identifikuar modelin e kultivimit dhe qëllimin e kultivimit. Duhet të vetëdeklarojnë për punësimin për të paktën 10 persona për çdo njësi, 2 prej të cilëve duhet të jenë punonjës të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agroinxhinierisë, me përvojë pune jo më pak se 3 vite në fushën përkatëse.
Subjekti duhet të paraqesë vetëdeklarim se pas vitit të tretë do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5% të qarkullimit vjetor, por, në çdo rast, jo më pak se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë; të paraqesë garanci bankare në masën 10% të vlerës së investimit dhe të paraqesë vetëdeklarim se do të plotësojë të gjitha kërkesat për gjurmueshmërinë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Ministri përgjegjës për Shëndetësinë, me marrjen e propozimit për subjektin fitues, sipas parashikimeve të nenit 17, të këtij ligji, brenda tre muajve miraton licencën.
Përpunimi dhe lënda e parë
Sipas projektligjit, materiali i prodhuar nga bima e kanabisit thahet, pastrohet, ndahet, paketohet dhe shënjohet. Pas përfundimit të korrjes, pjesa mbitokësore e grumbulluar e bimës së kanabisit thahet në një hapësirë të rregulluar në mënyrë të posaçme.
Kultivuesi i kanabisit mban një procesverbal të posaçëm, në 3 kopje për sasinë e prodhuar, në prani të punonjësve të Agjencisë. Një kopje i dërgohet Ministrisë përgjegjëse për Rendin dhe Sigurinë Publike, një kopje e mban subjekti kultivues, ndërsa një kopje e mban Agjencia.
Përpara se materiali i thatë të paketohet, Agjencia kryen kontrollin e cilësisë në laboratorë të certifikuar dhe të akredituar me metodat për kontrollin e cilësisë, Paketimi i bimës së thatë përmban emrin dhe selinë e subjektit kultivues; ditën, muajin dhe vitin e korrjes e të prodhimit; emrin e lëndës së parë; sasinë neto dhe bruto të masës së thatë; formën e bimës, nëse është gjethe, lule, bimë, e plotë apo e prerë; Datën e paketimit dhe afatin e skadencës dhe shenjën unike identifikuese.
Produktet dhe nënproduktet e destinuara për përdorim mjekësor, të prodhuara nga bima e kanabisit nga prodhuesi i licencuar, u nënshtrohen të gjitha dispozitave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për barnat dhe shërbimin farmaceutik, legjislacionin për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope dhe legjislacionin për produktet kozmetike përpara nxjerrjes së tyre në qarkullim.
Të gjitha nënproduktet dhe produktet e prodhuara në vend sipas pikës 1 janë të destinuara vetëm për eksport, sipas parashikimeve të këtij ligji.
Posedimi, lëvizja, shoqërimi dhe transportimi i farërave, fidanëve, lëndës së parë, të bimës së kanabisit mjekësor dhe nënprodukteve të saj nga një vend në një vend tjetër bëhen nga subjekti i licencuar për këtë veprimtari, pasi të njoftojë paraprakisht Agjencinë. Në çdo rast, transporti kryhet nëpërmjet shoqërimit nga një shoqëri e ruajtjes dhe sigurisë fizike, sipas kontratës së lidhur me subjektin e licencuar.
Ruajtja dhe siguria e njësisë, transportit dhe tregtimit bëhen nga subjekti që ka lidhur kontratën e ruajtjes dhe sigurisë së njësisë me subjektin e licencuar.
Agjencia administron Regjistrin Kombëtar të subjekteve të lejuara e të licencuara dhe mbikëqyr vendosjen e shenjave unike për identifikimin dhe gjurmimin në të gjitha fazat e kultivimit, prodhimit, tregtimit, furnizimit, transportit të bimës së kanabisit, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare deri te përdoruesi fundor, sipas parashikimeve të ligjit.
Subjektet e licencuara dhe të lejuara, sipas kuptimit të këtij ligji, kanë detyrimin të hedhin të dhënat në këtë regjistër.
Për qëllime kontrolli dhe inspektimi të aktiviteteve të licencuara dhe të lejuara në këtë regjistër kanë akses Ministria e Shëndetësisë, e Bujqësisë, Financave, Rendit, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe institucione apo subjekte të lejuara me urdhër të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë.
Shënjimi bëhet nëpërmjet shenjës unike në formë kodi, pulle, etikete apo çdo lloj tjetër shënjimi dhe është i detyrueshëm në të gjitha fazat. Gjurmimi është një mënyrë identifikimi për përcaktimin e saktë të vendndodhjes së bimës së kanabisit mjekësor dhe industrial.
Të gjithë zotëruesit e një licence, sipas përcaktimeve të këtij ligji, janë të detyruar të shënjojnë bimën, farën, substancën, preparatin, produktin, që është objekt i veprimtarisë së tij dhe të zbatojnë të gjithë legjislacionin lidhur me shënjimin dhe gjurmimin.
Kostoja e shënjimit dhe gjurmimit përballohet nga subjektet e licencuara dhe të lejuara sipas këtij ligji. Tarifat dhe procedurat e pagesës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për Financat, ministrit përgjegjës për Shëndetësinë dhe ministrit përgjegjës për Bujqësinë.
Për inspektimin e zbatimit të ligjit për kultivimin e kanabisit ngarkohen Agjencia, strukturat përgjegjëse për regjistrimin e farërave dhe fidanëve dhe shëndetin e bimëve dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, sipas detyrave të parashikuara në këtë ligj dhe në përputhje me kompetencat e tyre ligjore. Agjencia koordinon procesin e mbikëqyrjes me institucionet e tjera.
Mbikëqyrja e zbatimit të parashikimeve të këtij ligji dhe rregullave të miratuara në bazë të tij në lidhje me aktivitetet e licencuara kryhet nga Agjencia, nëpërmjet punonjësve të saj.
Përmbushja e detyrimeve në kuadër të ligjit të barnave mbikëqyret dhe monitorohet nga struktura përgjegjëse për inspektimin farmaceutik.
Përmbushja e detyrimeve për procesin e regjistrimit të farërave e të fidanëve dhe kontrollit të shëndetit të bimëve kryhet nga strukturat përgjegjëse të Ninistrisë përgjegjëse për Bujqësinë.
Mbikëqyrja gjatë procesit të asgjësimit të bimës së kanabisit dhe nënprodukteve të saj, apo produkteve përfundimtare, bëhet nga Agjencia në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse të Ministrisë përgjegjëse për Rendin dhe Sigurinë Publike.
Rregulla më të hollësishme për mbikëqyrjen përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në rregullat e përgjithshme të legjislacionit në fuqi për inspektimin.
Sipas projektligjit shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:
Me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) deri në masën 1 000 000 (një milion) lekë, nëse subjekti i licencuar apo i lejuar përdor barna narkotike dhe lëndë psikotrope, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me këtë ligj.
Gjobë nga 1 000 000 (një milion) deri në masën 3 000 000 (tre milionë) lekë, nëse subjekti i licencuar, apo i lejuar, nuk zbaton kushtet në lidhje me transportin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore gjatë transportit, apo kushtet për ruajtjen e paketimit origjinal.
Gjobë nga 3,000,000 (tre milionë) deri në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë, nëse subjekti fsheh ose falsifikon dokumentet, duke mbjellë dhe duke administruar sipërfaqe më të mëdha me kanabis mjekësor ose industrial, ose kur regjistrimin e sipërfaqeve nuk e ka kryer brenda afatit të parashikuar.
Krahas gjobës së parashikuar në pikën 1, të këtij neni, personit juridik mund t’i caktohet si sanksion edhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet.
Në kushtet e konstatimit të shkeljeve të Kodit Penal, Agjencia raporton, në zbatim të parashikimeve të Kodit Penal, pranë autoriteteve përkatëse sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale./Monitor