Policia e Shtetit zgjedh të shtrëngojë më tej lidhjet me gjigandin “Meta Platforms INC.”, pronar i Facebook dhe Instagram, për të monitoruar më nga afër qytetarët shqiptarë në hapësirën digjitale, në vend që të përqendrohet te lufta ndaj krimit të organizuar apo korrupsionit në nivelet e larta.
Takimi i mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me përfaqësues të kompanisë Meta, ka pasur si qëllim zyrtar “luftën kundër krimit kibernetik”, por përmbajtja e tij ka ngritur pikëpyetje serioze për qëllimet e vërteta të këtij bashkëpunimi. Në thelb, kemi të bëjmë me krijimin e mekanizmave të përbashkët për “hetim dhe menaxhim të rreziqeve online” – një formulim i vagullt që në praktikë mund të përdoret edhe për të justifikuar ndjekjen, identifikimin dhe ndëshkimin e zërave kritikë në rrjetet sociale.
Me një shtet që ka treguar më shumë zell në ndalimin e fjalës së lirë sesa në ndjekjen e krimeve të rënda, rritja e ndikimit të Policisë në platformat sociale përbën një kërcënim serioz për privatësinë dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve shqiptarë.
Statusi i plotë i Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit-Kompania Meta Platforms INC. konsolidojnë urat e bashkëpunimit, për një luftë sa më efektive kundër krimit kibernetik.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përfaqëuesit e kompanisë, zj. Kateryna Kruk, Drejtuese Rajonale e Politikave Publike për Europën Qëndrore dhe Lindore, dhe z. Birger Witt, Menaxher i Besimit dhe Sigurisë për Europën Qëndrore dhe Lindore. Gjithashtu, në takim morën pjesë Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe Drejtoresha e Hetimit të Krimeve Kibernetike Drejtues i Parë Ervina Gjana.
Diskutimi gjatë takimit, tejet i hapur dhe kostruktiv, me objektiv parësor forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e hapësirës digjitale.
Takimi u përqendrua në adresimin e problematikave të hasura në platformat sociale të administruara nga kompania “Meta INC.”, si dhe në nevojën për krijimin e mekanizmave të përbashkët për rritjen e efikasitetit të hetimit dhe menaxhimit të rreziqeve online.
Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit falënderuan kompaninë “Meta INC.” për bashkëpunimin e deritanishëm, veçanërisht për rastet emergjente që lidhen me mbrojtjen e të miturve, dhe shprehën gatishmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.
Ky takim konfirmon përkushtimin e përbashkët për ndërtimin e një hapësire digjitale më të sigurtë për qytetarët dhe një proces hetimor më efektiv në përballje me sfidat kibernetike të kohës./gazetaimpakt