Policia sekuestron resortin Golden, familjes Hajri i kërkohet të justifikojë pasurinë

Mediat raportuan sot se policia sekuestroi sot resortin “Golden Kompleks” në fshatin Pjezë të Shijakut, atje ku javë më parë dyshohet se u vra gjatë pengmarrjes për pazare droge, Jak Prenga.

Siç Exit News ka analizuar më parë, pengmarrja e Jak Prengës ekspozoi dyshimet se pastrimi i parave të drogës bëhet përmes resorteve luksoze. Familja Hajri, 4 anëtarë të së cilës akuzohen për përfshirje në pengmarrje, ishte akuzuar prej vitesh për lidhje me trafikun ndërkombëtar të heroinës.

Nga familja janë arrestuar 3 anëtarë: Bajram Hajri, Leonard Hajri dhe Elton Hajri. Mbetet në kërkim Altin Hajri.

Kompleksi Golden, i ngritur në një hapësirë prej rreth 1,4 hektarë tokë bie lehtë në sy në Pjezë pasi është në kontrast me ndërtesat e zonës. Rrethuar me pemë, kanxhella dhe kolona të punuara me gips, ka 3 ndërtesa të ndara me 2 pishina – Hotel Golden KompleksVila GoldenGolden Palace – dhe përpara një pikë karburanti.

Shqiptarja.com citoi burime konficenciale të cilat thanë se përveç kompleksit është sekuestruar edhe pika e karburantit dhe 3 shtëpi.

Mediat e lidhën masën e sekuestros ndaj pasurisë së familjes Hajri me operacionin e “Forca e Ligjit” propaganduar nga qeveria se do të luftojë krimin e organizuar.

Sipas “paketës anti-KÇK”, familja Hajri duhet të justifikojë pasurinë. Në rast se prokuroria dhe gjykata vendos se nuk ka burime të ligjshme, atëherë ajo konfiskohet.

Paketa anti-KÇK parashikon dhe që në raste emergjente,  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron vendosjen e masës së sekuestros së pasurisë edhe pa vendim gjykate. Mediat raportojnë se policia ka listuar rreth 150 raste./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne