Politika e Turqisë në Ballkan është paqësore dhe vëllazërore

Zv.ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Yıldız në fjalën përshëndetëse që mbajti në aktivitetin e organizuar të dielën në Prizren me rastin e 23 Prillit-Ditës së Komunitetit Turk të Kosovës, tha se politika e Turqisë në rajon është paqësore dhe vëllazërore.

Zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Yıldız në kuadër të vizitës së tij zyrtare të dielën mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e “23 Prillit- Ditës së Komunitetit Turk në Kosovë”.

Në kuadër të aktiviteteve me rastin e festës së komunitetit turk në Kosovë, të dielën u organizua edhe pritja solemne në Prizren. Në këtë pritje, nikoqir i të cilës ishte ministri i Administratës Publike i Kosovës, Mahir Yağcılar, ishin të pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ministri pa portofol i Kosovës Rasim Demiri, zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë Ahmet Yıldız, ministri pa portofol në qeverinë e Maqedonisë Beycan İlyas, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Braathu, ambasadorja e Turqisë në Prishtinë Kıvılcım Kılıç, konsullja e përgjithshme e Turqisë në Prizren Selen Evcit, koordinatori për Ballkanin i Drejtorisë për Turqit Jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB) në qeverinë e Turqisë Suat Beylur, komandanti turk i KFOR-it në Kosovë Mustafa İhsan Tavazar, deputetë, përfaqësues nga TIKA dhe Instituti “Yunus Emre” në Kosovë, përfaqësues të partive politike dhe shoqatave të ndryshme si dhe qytetarë.

Zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Yıldız tha se ka sjellë përshëndetjet dhe urimet e Presidentit të Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, Kryeministrit Binali Yıldırım dhe ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu dhe u shpreh se ndjehet i lumtur që ka parë prej së afërmi harmoninë mes komuniteteve në Kosovë.

Yıldız duke u shprehur se bashkatdhetarët në Kosovë kanë zgjedhur një ditë kombëtare shumë domethënëse, tha se 23 prilli, dita kur është hapur Kuvendi i Madh i Turqisë pas luftës çlirimtare në vitet 1920, tregon rëndësinë e sovranitetit kombëtar dhe ardhmërisë.

“Kosova gjatë viteve të ’90-ta ka luftuar për pavarësi, këto dy çështje janë të rëndësishme për Kosovën, por edhe për komunitetin turk. Për këtë arsye Turqia vazhdon ta sjellë në rend të ditës çështjen e njohjes së Kosovës në takimet e nivelit të lartë. Turqia dhe Kosova janë shtete evropiane, duhet të zgjidhet problemi i njohjes së Kosovës sa më parë dhe të renditet brenda skemës së Bashkimit Evropian. Politika e Turqisë në këtë regjion është paqësore dhe vëllazërore”, u shpreh Yıldız.

Yıldız theksoi se Turqia është duke e përkrahur anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe shprehu dëshirën që Kosova dhe Turqia të jetojnë së bashku brenda Bashkimit Evropian.

Kurse, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë fjalimit të tij në emër të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës uroi ditën e turqve të Kosovës. Duke theksuar se kjo ditë është festa e gjithë popullit të Kosovës, Hoxhaj tha se kjo festë është treguesi më i madh i bashkëjetesës së komunitetit shqiptar, turk dhe atij boshnjak në të kaluarën, por sipas tij, edhe tregues që do të jetojnë së bashku edhe në të ardhmen.

Duke nënvizuar ndihmat e komunitetit turk në Kosovë e veçanërisht Turqisë në periudhën para dhe pas pavarësisë së Kosovës Hoxhaj tha se: “Gjatë kësaj kohë lajmi më i mirë që ia kemi dhënë popullit tonë është ai kur Kryeministri i asaj kohe dhe Presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan ka marrë vendimin që ta njohë Kosovën si shtet i pavarur. Marrëdhëniet mes vendeve tona janë me të vërtetë të shkëlqyeshme dhe shumë vende që e kanë njohur Kosovën dhe shumë anëtarësime që kanë ndodhur deri tani kanë ndodhur fale mbështetjes së shtetit të madh dhe mik të Turqisë.”

Hoxhaj duke përmendur edhe tolerancën në qytetin e Prizrenit, tha se ndjehet krenar për faktin që qytetarët e këtij qyteti fillojnë bisedën në gjuhën shqipe, vazhdojnë në gjuhën turke dhe përfundojnë në gjuhën boshnjake.

Ministri Yağcılar gjatë fjalimit të tij në hapje të pritjes duke theksuar se kjo ditë është pjesë e 17 shkurtit, ditës së pavarësisë së Kosovës tha se: “Ne turqit e Kosovës jemi pjesë e rëndësishme e mozaikut të Kosovës. Andaj është një kënaqësi dhe nder i veçantë për ne që ta festojmë 23 prillin, 17 shkurtin dhe festat e komuniteteve të tjera të Kosovës. Në anën tjetër 23 prilli si një datë e përbashkët, është bërë një ditë që ka afruar Turqinë dhe turqit e Kosovës”.

Gjatë një jave në kuadër të Ditës së komunitetit turk në Kosovë, u organizuan aktivitete të shumta kulturore, sportive dhe panele në qytetet e ndryshme të Kosovës. Programi mori fund me një koncert të mbajtur në sheshin e Shatërvanit në Prizren.

Zëvendësministri Ahmet Yıldız mori pjesë edhe në aktivitetet e realizuara në Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe Mamushë. Po ashtu ai realizoi takime me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj dhe ministrin e Administratës Publike Mahir Yağcılar./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne