Polonia do të përforcojë kufirin e saj lindor pas pranisë së grupit “Wagner” në Bjellorusi

“Prania e grupit paraushtarak në Bjellorusi mund të sinjalizojë një fazë të re të luftës hibride”, tha zv/kryeministri i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski.

Zëvendëskryeministri i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski të mërkurën bëri të ditur planet e qeverisë për të përforcuar kufirin e saj lindor për shkak të pranisë së grupit paraushtarak rus “Wagner” në Bjellorusi, raporton Anadolu.

Pas takimit të Komitetit të Sigurisë, Kaczynski, i cili është gjithashtu kreu i partisë polake në pushtet Ligj dhe Drejtësi, tha se në vendin fqinj mund të ketë deri 8.000 luftëtarë të “Wagner”-it.

“Duke u nisur nga kjo, morëm vendim të forcojmë mbrojtjen e kufirit lindor të Polonisë”, tha Kaczynski. Ai theksoi se masat do të përfshijnë përforcimin e forcave polake të stacionuara pranë kufirit dhe ndërtimin e barrierave në rajon.

Kaczynski tha se prania e grupit mercenar në Bjellorusi është rrezik jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet fqinje si Lituania dhe Polonia. Ai tha se prania e grupit “Wagner” në Bjellorusi mund të sinjalizojë një fazë të re të luftës hibride.

Themeluesi i kompanisë private të sigurisë, Yevgeny Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e një sulmi ndaj “Wagner”-it dhe kërcënoi me hakmarrje. Luftëtarët e “Wagner”-it u larguan nga Ukraina dhe hynë në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) hapi një çështje penale kundër Prigozhinit dhe luftëtarëve të “Wagner”-it me akuzën për “trazira të armatosura”, ndërkaq presidenti rus Vladimir Putin veprimet e “Wagner”-it i quajti “tradhti”.

Prigozhin fillimisht planifikoi të drejtonte luftëtarët e tij në një marshim drejt Moskës, duke nxitur masa të shtuara sigurie.

Megjithatë, ata u kthyen pranë kryeqytetit për të shmangur gjakderdhjen.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha se ai zhvilloi bisedime me Prigozhinin pasi mori pëlqimin e Putinit dhe se Prigozhin pranoi marrëveshjen për uljen e tensioneve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress