Presidenti amerikan Joe Biden uron muslimanët për Kurban Bajramin.

Presidenti amerikan Joe Biden uron muslimanët për Kurban Bajramin
Biden tha se udhëheqësit e komunitetit musliman do të mblidhen për të festuar Kurban Bajramin në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë këtë vit, në një ngjarje të organizuar nga zv/presidentja Kamala Harris dhe zonja e parë, Jill Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka uruar muslimanët me rastin e Kurban Bajramit, transmeton Anadolu.

Biden dhe zonja e parë, Jill Biden, përcollën urimet e tyre më të mira për të gjithë ata që festojnë festën.

Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden theksoi se Bajrami “përkujton historinë e Abrahamit (Ibrahimit) dhe besnikërisë përfundimtare të familjes së tij ndaj Zotit”.

Biden tha se udhëheqësit e komunitetit musliman do të mblidhen për të festuar Kurban Bajramin në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë këtë vit, në një ngjarje të organizuar nga zv/presidentja Kamala Harris dhe zonja e parë, Jill Biden.

“Shtetet e Bashkuara jemi krenarë që jemi shtëpia e miliona muslimanëve që pasurojnë strukturën kulturore të kombit tonë dhe kontribuojnë në prosperitetin tonë të përbashkët”, tha Biden në deklaratë.

Duke treguar për kontributet e muslimanëve amerikanë në fusha të ndryshme, Biden tha se “prania e tyre forcon angazhimin tonë ndaj diversitetit, përfshirjes dhe lirisë fetare”.

Duke theksuar respektin e ndërsjellë, ai iu referua edhe ritualit të Haxhit të kryer gjatë Kurban Bajramit.

“Haxhi bashkon njerëz nga çdo kontinent dhe cep i globit, duke lënë pasuritë e tyre të kësaj bote dhe duke veshur petkun e thjeshtë dhe të bardhë të Ihramit në frymën e barazisë. Kjo ide është e ngjashme me ato mbi të cilat është ndërtuar kombi ynë, që të gjithë jemi krijuar të barabartë dhe kemi të drejtën e jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë”, tha ai.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar muslimanët për festën e Kurban Bajramit dhe ka përcjellë urimet më të mira për besimtarët që kryejnë Haxhin.

“U uroj muslimanëve në vend dhe në mbarë botën një festë të bekuar të Kurban Bajramit. Për ata që festojnë, Kurban Bajrami është një kujtesë e fuqishme e detyrimit të përbashkët për t’u kujdesur për njëri-tjetrin”, tha ai./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne