Presidenti izraelit, Herzog: Hezbollahu po luan me zjarrin

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog priti sot në takim presidentin e Francës, Emmanuel Macron në rezidencën e tij në Kudsin Perëndimor.

Në fjalën e tij për sulmet e Hamasit më 7 tetor, Herzog tha: “Jemi përballuar me një dhimbje që nuk e kemi parë që nga themelimi i vendit tonë”. “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë shtetasve tanë të rrëmbyer dhe të mbajtur peng”, tha Herzog lidhur me pengjet izraelite që gjenden në duart e Hamasit në Gaza.

Duke folur rreth zhvillimeve në kufirin Liban-Izrael i cili ditëve të fundit është skenë e përleshjeve të ndërsjella, presidenti izraelit tha:

“Jemi duke ndjekur nga afër gjendjen në Liban. Hezbollahu po luan me zjarrin. Perandoria djallëzore e Iranit që i mbështet ato, që vepron natë e ditë për të destabilizuar Lindjen e Mesme dhe rajonin, po luan me zjarrin. Dua ta them qartë këtë: Ne nuk duam konflikt në kufirin tonë verior ose në ndonjë vend tjetër. Ne jemi fokusuar në shkatërrimin e infrastrukturës së Hamasit dhe kthimin e qytetarëve tanë në shtëpitë e tyre. Por, nëse Hezbollahu na tërheq në luftë, duhet të dihet qartë se Libani do të jetë ai që do të paguajë çmimin”.

Presidenti francez Macron tha se ndodhet në Izrael për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e tij. Ai tha se është dakord me homologun e tij izraelit për lirimin e menjëhershëm të pengjeve.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të rivendosur paqen, sigurinë dhe stabilitetin për vendin tuaj dhe të gjithë rajonin. Për këtë arsye, ne u përcollëm mesazhe të ndryshme grupeve të tjera terroriste të mundshme që dëshirojnë të sulmojnë apo t’i bashkohen kësaj lufte dhe e paralajmëruam qartë Hezbollahun dhe dhamë mesazhe shumë të qarta”, tha Macron./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress