Presidenti izraelit: Izraeli është gati për pauzë të re humanitare në Gaza për lirimin e pengjeve

Presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm për një pauzë të dytë humanitare në Rripin e Gazës për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. “Mund të përsëris faktin se Izraeli është gati për një tjetër pauzë humanitare dhe ndihmë shtesë humanitare në mënyrë që të mundësojë lirimin e pengjeve”, tha Herzog gjatë një takimi me ambasadorët e 80 vendeve.

Sipas tij, përgjegjësia i takon plotësisht udhëheqësit të Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar dhe lidershipit të Hamasit. Një pauzë e mëparshme humanitare 1-javore, muajin e kaluar, çoi në lirimin e 84 izraelitëve dhe 24 të huajve nga Hamasi, në këmbim të 240 palestinezëve nga burgjet izraelite, përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

Herzog tha se Izraeli “nuk ishte në një luftë me popullin palestinez, por po luftonte armikun e tij Hamasin”. Për deklaratat e presidentit izraelit deri më tani nuk ka pasur ndonjë koment nga Hamasi.

Sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë, kanë vrarë të paktën 19.667 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe kanë plagosur 52.586 të tjerë. Lufta e ka shndërruar Gazën në gërmadha me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose të shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë palestinezë të zhvendosur brenda enklavës me një popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne